
“Lëvdohet si mirënjohës ai që tregon për mirësinë e fituar; por më mirënjohës është ai që harron mirësinë për t’u kujtuar për bamirësin.”- Ludwig Börne (1786 – 1837) shkrimtar politik gjerman-
Shkruan:Eugjen MERLIKA/
Në marrëveshjen Sërbi – Kosovë, të nënëshkruar më 4 gusht 2020, në të cilën çuditërisht ishin firmat e presidentit Trump e të kryeministrit të Kosovës, por jo ajo e presidentit të Sërbisë, në pikën e fundit të saj thuhet: “Kosova dhe Izraeli pajtohen të njohin njëri tjetrin”.
Është e vështirë të jepet një gjykim i saktë mbi këtë risi të dokumentit, ndoshta e vetmja risi e tij, mbasi u tha se 90 % e argumentave ishin biseduar më parë, kur nuk dihen mirë mendimet e veprimet që kanë paraprirë shpalljen e vendimit të thatë të njohjes. E parë nga jashtë, dukuria në kontekstin e takimit në Shtëpinë e Bardhë, duket më shumë si një vendim i Izraelit për të plotësuar kornizën e një ngjarjeje të rëndësishme, që ka lidhje me një nga pikat më nevralgjike të kundërshtive në fushën ballkanike dhe evropiane, një nisme të marrë nga presidenti Trump, me synimin e hapur të një fitoreje vetiake në skenën ndërkombëtare, që do t’i vlejë në garën e pritme zgjedhore.
Në këtë kuadër presidenti amerikan, që ka vendosur një raport të ri e të mirë marrëdhëniesh me demokracinë e vetme të Lindjes së Mesme, ndryshe nga para-ardhësi i tij, Obama, besoj se i ka kërkuar qeverisë së Izraelit një nder në lidhje me marrëveshjen Kosovë–Sërbi, njohjen diplomatike të Kosovës. Veprimi më logjik e i pritshëm në këtë nismë të SHBA do të kishte qënë trysnia mbi Sërbinë për të njohur Kosovën, sepse pa njohje të drejtpërdrejtë, është e vështirë të sendërtohen me vullnet të lirë të gjitha pikat e marrëveshjes. Por ndoshta kjo gjë ka qënë e pamundur për presidentin amerikan dhe ai, që e dinte mirë se marrëveshja që i ofrohej dy Vendeve ballkanike, çalonte nga ana e Kosovës, me një lëvizje të zgjuar është munduar të shpagonte disi atë mungesë me njohjen e saj nga Izraeli. Janë truket e zakonshme diplomatike, të hershme sa bota, por që vazhdojnë të kenë dobinë e tyre. Kjo njohje u prit me ngazëllim në Kosovë e në mjediset shqiptare në botë, duke mos kujtuar një ngjarje madhore të zhvilluar rreth tetëdhjetë vite më parë në trualllin e bashkuar shqiptar.
Kujtesa historike duhet të jetë një nga pasuritë më të vyera për çdo popull. Duke e shmangur atë edhe veprimet e kohës janë të mangëta, mbasi vetë qenësia e një populli, rrugëtimi i tij në shtigjet e historisë, ka ligjet e tij që përkojnë me karakterin e tij, me veçantitë e formimit, me vlerat e trashëguara. Këto vlera shfaqen në çdo kohë, pavarësisht nga fakti se ata që e përfaqësojnë zyrtarisht një popull, mund të jenë më shumë apo më pak të prirur t’i lenë në vëndin e tyre, apo t’i mënjanojnë në emër të kundërvlerave që mund të zotërojnë në kohë të ndryshme.
Duke u kthyer me mendim n’ata vite të luftës së Dytë botërore, kur shqiptarët shkruan një faqe të rrallë në kontekstin e kohës, po rendis disa fakte të vërtetuara me dokumenta, që i përkasin asaj kohe, një numur shumë të vogël t’atyre episodeve qëpërcaktuan njërën nga ndodhitë më të habitëshme, atë të mos dërgimit të asnjë hebreu nga toka shqiptare në kampet naziste të vdekjes.
Shkruan Francesco Jacomoni, ish mëkëmbës i Mbretit në Shqipëri gjatë pushtimit italian: “Një shfaqje nga ana e Mustafa Krujës e asaj që ishte “burrnia” e tij, pra aftësia për të përballuar rrethanat me guxim e shpirtmadhësi, e pata pak mbas emërimit të tij në kryesinë e Këshillit të ministrave. Kishte shkuar tek ai konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë e i kishte paraqitur një notë gojore, me të cilën qeveria naziste kërkonte dorëzimin e më shumë se treqind hebrenjsh që, të ikur nga Jugosllavia kishin gjetur strehë në Shqipëri. Komanda ushtarake gjermane në Beograd kishte dhënë lajme të sakta mbi emrat e tyre dhe mbi vëndet ku ishin strehuar në Kosovën shqiptare. Mustafa Kruja erdhi të më kërkonte lejen për t’i lënë të patrazuar në Shqipëri. Nuk kishte në të gjithë vendin ushtarë gjermanë që të mund t’i njimendësonin. Ishim të një mendimi se t’ikurit hebrenj do të shpërnguleshin shpejt për në zonën e Gjirokastrës, që kufizohej me zonën greke, të pushtuar nga trupat italiane. Ata do të pajiseshin me pashaporta shqiptare me emra të rremë e, aty ku do t’ishte e nevojshme të ndihmoheshin materialisht. Këto masa do t’i jepnin mundësi Mustafa Krujës t’i përgjigjej, mbas disa ditëve, konsullit të përgjithshëm të Gjermanisë, se të gjitha kërkimet e kryera në Kosovë përsa i përket emrave të treguar, kishin qënë të kota….”
Dekreti antihebraik i 14 majit 1939 i shpallur zyrtarisht në Itali, nuk u bë kurrë i njohur në Shqipëri, mbasi asnjë qeveri shqiptare nuk e vuri në zbatim.
Shkruan studjuesi amerikan H.Sarner, duke mbajtur parasysh marrëveshjen ndërmjet qeverisë shqiptare dhe komandës gjermane më 17 tetor 1943: “Fraza për mosndërhyrje në punët e brëndshme mori një rëndësi të posaçme për fatin e hebrenjve, kur komanda naziste i kërkoi Regjencës që të dorëzonte listat e tyre në tërë Shqipërinë” “Sedra kombëtare e ministrit Deva doli më e fortë se anti-semitizmi i tij i njohur. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve. Deva i a doli që t’i bindëte ata që të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve.”
Shkruan studjuesi Shaban Sinani, duke u mbështetur në dokumentët e Arkivit:
“Njerëzit e thjeshtë kishin në dorë t’u jepnin hebrenjve bukë, punë dhe strehë. Njerëzit e thjeshtë nuk i kishin listat e tyre. Këto lista i kishin autoritetet qeverisëse dhe nuk i dhanë. Ata arin e Shqipërisë e dhanë, por këto lista jo. Ka pasur funksionarë të qeverive bashkëpunuese që jo vetëm nuk kanë dorëzuar lista hebrenjsh, jo vetëm kanë raportuar se në juridiksionin e tyre nuk ka hebrenj, por madje kanë kërkuar prej komandës naziste të lirojë ata hebrenj që ajo i kishte kapur gjatë mërgimit nga thellësitë e Ballkanit drejt Shqipërisë (Kruja, Hurshiti, Mulleti, Korça, Çoba, Preza)”.
Përfundimi i gjithë kësaj politike, në nivelet më të larta të drejtimit shtetëror, ishte se nga 191 hebrenj që gjindeshin në Shqipëri më 1937, në fundin e vitit 1944 numëroheshin plot 2265 prej tyre me prejardhje nga shumë Vënde t’Evropës, në një kohë kur në Vendet fqinjë si Sërbia e Maqedonia nuk kishin shpëtuar as 10 % e tyre.
Kaluan shumë vite që atëherë e në fundin e viteve 90 dukuria mizore e shfarosjes ra mbi popullin e Kosovës, mbasi sërbët, me Hitlerin komunist të tyre, Millosheviçin në krye, shtrënguan nëpërmjet terrorit më shumë se gjysmën e popullsisë kosovare, të braktiste banesat e tyre në kërkim të shpëtimit të jetëve. Erdhi një çast në të cilin vetëdija njerëzore e botës së lirë u rebelua e detyroi politikën të ndërhynte me fuqinë e saj madhore të rivendoste rendin, që nuk mund t’ishte më ai i pari. Ndërhyrja ushtarake e NATO-s i dha mundësi kosovarëve të ktheheshin në vatrat e tyre të shkatërruara.
Kalaunedhe pak vite të tjerë e me shtysën e një tjetër presidenti amerikan, Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt 2007. Qe një ditë madhore për historinë e shqiptarëve. Bota e lirë, me pak përjashtime, e njohu menjëherë shtetin më të ri të kontinentit. Për çudinë e anakronizmit historik, i pari Vend që njohu Kosovën nuk ishte Izraeli, por Afganistani. Për atë që kishin bërë shqiptarët për hebrenjtë, njohja e menjëherëshme e Kosovës duhej t’ishte akti më i natyrshëm i qeverisë izraeliane. Fatkeqësisht, për turpin e tyre, shtetarët e Izraelit nuk e kthyen kokën mbrapa, për të kryer një detyrë morale e njerëzore mirënjohjeje kundrejt një populli të vogël i cili, dikur ndërmjet shumë të paktëve n’Evropë, dha një mësim universal duke respektuar vlerat e tij të trashëguara, e nuk lejoi që nga toka e tij të nisej për në kampet e vdekjes asnjë para-ardhës të popullit të sotëm t’Izraelit. Kjo ndodhte në Shqipërinë e bashkuar e të pushtuar nga trupat e huaja gjatë luftës së Dytë botërore.
Por në vitin 2007, në politikën izraeliane, përmbi vlerat e larta të mirënjohjes njerëzore zotëruan arsyet e konjukurave rajonale e botërore deri sa një tjetër president i Amerikës t’i kërkojë me forcë asaj njohjen e Kosovës. Tani, mbas kaqë vitesh qeverisjeje, kryeministri Netaniahu, në një letër që i dërgon hebrenjve në Prishtinë, me rastin e viti të ri hebraik “i shtrin dorën e miqësisë popullit të Kosovës”, duke paralajmëruar “një erë të re që do të sjellë përfitime për të dy popujt”.
Edhe po t’i marrim me mirëdashje si të sinqerta këto shprehje të kryeministrit izraelian nuk mund të mosi i themi: tepër vonë z. Kryeministër, jeni tejet i vonuar në mirësjelljen tuaj kundrejt Kosovës. Po të kishit respektuar edhe juve si komb vlerat njerëzore, siç bënë të parët tanë tetëdhjetë vite më parë, do të kishit qënë më shumë i nderuar, sepse do të kishit nderuar kujtesën tuaj historike. Në jetën e popujve ashtu si dhe n’atë të njerëzve, rrethanat e veprimet përcaktojnë herë herë edhe detyrime. Njohja e Kosovës ishte për Izraelin një detyrim moral e historik, por ai e bëri i 115-ti në botë në kushte të pasqaruara mirë. Ky akt nga një anë flet shumë por në tjetrën belbëzon. Uroj që e ardhmja të flasë më shumë, mbasi të gjithë jemi vdekëtorë të thjeshtë e mund të gabojmë herë herë në çdo hap të jetës sonë.
Shkruajtësi i këtyre rradhëve është një mik i Izraelit që vlerëson shumë vështrime të jetës së tij: përparimin e shumëllojshëm në çdo fushë, vetmohimin e qytetarëve e qytetareve të tij në mbrojtje të Vendit të tyre, demokracinë e tij në një rajon të mbushur me regjime autokratike. Si i tillë nuk mund të mos vinte në dukje një mangësi të madhe të atij shteti, për të cilën ai u tregua i pavëmendshëm, në rastin më ndjellamirë, por për të cilën shpreson në t’ardhmen të shohë qëndrime të tjera.
Shtator 2020- Eugjen Merlika