


Teqeja n’Sulti ose Tyrbja e Kolshit ndodhet mbi një kodër të ulët në pjesën veriore të fshatit Kolsh, në Malësinë e Lezhës, afër rrugës së vjetër që lidh qytetin (lagjen Shehër) me fshatrat e kësaj zone. Ky pozicion gjeografik i jep monumentit një funksion strategjik dhe simbolik njëkohësisht. Afërsia me qytetin e Lezhës dhe me rrugën tradicionale e vendos tyrben në një vijë të dukshme të komunikimit ndërmjet qendrës urbane dhe periferisë. Kjo përforcon rolin e saj si një shenjë e synuar vizualisht e pranisë dhe autoritetit fetar osman në territor. Materiali ndërtimor përbëhet kryesisht nga gurë gëlqerorë të gdhendur e të puthitur me kujdes, të lidhur me llaç të fortë gëlqereje, i cili ka arritur kalcifikim të plotë. Gjurmët e pastra të llaçit të mbetura në segmente të ndryshme të mureve dëshmojnë qartë se ndërtesa ka qenë e suvatuar si në pjesën e jashtme, ashtu edhe në atë të brendshme.
Ndërtesa ka një planimetri të rregullt katrore me trashësi mesatare murale prej 0.90 m dhe me përmasa që variojnë shumë pak ndërmjet tyre: muri verior është 5.21 m i gjatë, ai perëndimor 5.23 m, lindori 5.25 m, ndërsa ai jugor 5.27 m. Lartësia murale e strukturës katrore, e matur në këndin jugperëndimor, arrin në 3.30 m. Mbi këtë bllok qëndron një bazament tetëkëndësh me lartësi 1.10 m, mbi të cilin ngrihet kupola. Kjo e fundit, e ndërtuar me gurë shtufi, ngrihet deri në një lartësi prej 0.87 m, përmes një sistemi harqesh të brendshëm, për të përfunduar në një rozetë qendrore prej guri me 12 rrathë simetrikë. Kjo strukturë përfaqëson kulmin e sofistikimit teknik të monumentit, me një lartësi përfundimtare prej 4.17 m. Pjesa kulmore ku duhej të ishte “guri çelës” është e zbrazët dhe si e tillë shërben si dritare e vogël ajrimi. Ndërsa, kombinimi ndërmjet trupit katror dhe tamburit tetëkëndësh që mbështet kupolën përfaqëson një tipologji të zakonshme të arkitekturës funerare osmane në Ballkan, duke siguruar një tranzicion estetik dhe funksional të harmonizuar me terrenin kodrinor. Vendkalimet ndërmjet formave gjeometrike janë shoqëruar me realizimin e dy kornizave të theksuara horizontale, të punuara me gurë të latuar dhe të profiluar, të cilat e dallojnë vizualisht këtë ndërrim strukturor.
Kupola ka qenë e mbuluar me tjegulla, të cilat sot nuk ruhen më, ndërsa në katër cepat e zgjatura të bazës katrore janë vendosur rrasa guri, të ruajtura pjesërisht deri në ditët e sotme. Hyrja në monument është pozicionuar në pjesën lindore të murit verior dhe përbëhet nga një derë e ulët me përmasa të jashtme 1.28 m lartësi × 0.70 m gjerësi, ndërsa nga brenda ajo zgjerohet në 1.55 m lartësi dhe 1 m gjerësi. Fasada e jashtme e saj mbulohet me një qemer të vogël të harkuar lehtë, i ndërtuar me dy gurë të latuar. Në anën jugore dhe atë perëndimore janë vendosur dritare të harkuara me përmasa mesatare, të cilat, përveç funksioneve ndriçuese dhe ajrosëse, kanë shërbyer edhe si hapësira për lutje nga jashtë – një praktikë devocionale e dokumentuar në kontekste të tjera të islamit ballkanik. Dritarja jugore është 1.10 m e lartë dhe 0.70 m e gjerë, ndërsa ajo perëndimore, e cila ishte kthyer në një hyrje të lartë në një fazë të mëvonshme të përdorimit të monumentit, është restauruar pjesërisht në vitin 2014. Në murin verior dhe atë lindor janë të pranishme dy kamare të vogla, të realizuara me korniza guri të latuar.
Po ashtu, në të katër fasadat janë të dukshme vrima të thella që përshkojnë muret tejpërtej; këto kanë shërbyer për mbajtjen e trarëve horizontalë, të cilët kryqëzoheshin në qendër të hapësirës së brendshme, në një lartësi rreth 2 m mbi dysheme, ndoshta për mbajtjen e ndonjë elementi druror dekorativ ose funksional. Në mungesë të mbishkrimeve dhe dokumentacionit historik, datimi i tyrbes mbështetet në analiza stilistike dhe dëshmi gojore. Format, teknikat e ndërtimit dhe elementët dekorativë e lidhin atë me shekullin XVII, periudhë kur islamizimi i qytetit të Lezhës dhe zonave përreth u përforcua nëpërmjet rrjeteve religjioze të lidhura me urdhrat sufistë dhe administratën osmane. Monumenti mund të jetë ndërtuar për një dervish të shquar ose për një funksionar të rëndësishëm osman me autoritet lokal, ndonëse emri i të varrosurit nuk ruhet në kujtesën kolektive.
Tyrbja ka shërbyer si vend pelegrinazhi i kufizuar, i përdorur sporadikisht nga komuniteti egjiptian i Lezhës deri në fillim të shek. XXI, i cili e vizitonte me rastin e 6 majit, “Festa e Shën Gjergjit (sipas Kalendarit Julian).” Kjo praktikë synkretike dëshmon për një përdorim fleksibël të hapësirave të shenjta në kontekste multikonfesionale. Veçanërisht domethënës është fakti që monumenti u shpëtua nga shkatërrimi gjatë Revolucionit Kulturor Ateist të vitit 1967 falë mbrojtjes nga komuniteti katolik i fshatit, një akt solidariteti që flet për ndërthurje kulturore dhe respekt reciprok ndaj vendit të shenjtë, përtej përkatësisë fetare. Monumenti u restaurua për herë të parë në tetor të vitit 2014, nga autori i këtij studimi, pas një periudhe të gjatë braktisjeje. Ndërhyrja u përqendrua në murin perëndimor, i cili kishte pësuar dëmtime gjatë regjimit komunist. Restaurimi synoi ruajtjen e autenticitetit të ndërtesës përmes metodave minimale ndërhyrëse dhe përdorimit të materialeve tradicionale. Tyrbja e Kolshit, ndonëse e panjohur deri më sot në literaturën historiografike dhe e mbetur pa një identitet të qartë individual, përfaqëson një dëshmi të rrallë dhe të çmuar të arkitekturës funerare osmane në Shqipërinë Veriore.
Vendndodhja e saj në një zonë periferike kodrinore dhe pranë një rruge tradicionale tregon për praninë e strukturave religjioze të mirëorganizuara edhe jashtë qendrave urbane, në një periudhë kur Perandoria Osmane ndërmerrte hapa për të institucionalizuar islamin në të gjitha shtresat dhe hapësirat e shoqërisë. Monumenti fton në një rishikim të paradigmave klasike të islamizimit në Ballkanin Perëndimor, të cilat shpesh kanë theksuar qendrat urbane si vatra të përhapjes së fesë së re. Në rastin e Kolshit, ndërthurja e arkitekturës, topografisë dhe devocionit lokal dëshmon për një model alternativ të islamizimit – atë të periferisë kodrinore, ku ndërlidhjet lokale dhe ndikimet perandorake gërshetohen në një sintezë të veçantë të përkatësisë fetare dhe kulturore. Në këtë kuadër, tyrbja e Kolshit nuk përfaqëson vetëm një tipar arkitektonik të veçantë, por edhe një pikë takimi midis traditës vendore dhe ndikimeve osmane. Ajo përçon trajtat tipike të arkitekturës funerare islame – si planimetria katrore, kupola qendrore, orientimi simbolik – ndërkohë që integron elementë lokalë që reflektojnë tradita ndërtimore dhe besime popullore të zonës.
Monumenti, kësisoj, bëhet një dëshmi e gjallë e mënyrës sesi kultura osmane u ndërthur me substratin lokal për të prodhuar forma të reja identitare. Në një plan më të gjerë, tyrbja e Kolshit ofron një pikë referimi të vlefshme për studimin e islamizimit periferik dhe të përhapjes së kulturës funerare islame në viset jashtë qendrave të mëdha urbane. Ajo ndihmon në ndriçimin e procesit të osmanizimit të zonave kodrinore të Shqipërisë Veriore dhe vë në dukje rolin e rëndësishëm që arkitektura religjioze ka luajtur në konsolidimin e një identiteti të ri fetar dhe kulturor në shek. XVII. Në një kohë kur shumë tyrbe të tjera janë shembur ose nuk janë dokumentuar kurrë, ky monument përfaqëson një dëshmi të rrallë dhe të ruajtur shumë mirë, që mund të shërbejë si pikë reference për rindërtimin e tipologjisë dhe shpërndarjes së arkitekturës funerare osmane në Shqipërinë e Veriut. Kjo e bën monumentin një objekt me vlerë të lartë për arkeologjinë arkitektonike, historinë e fesë dhe Trashëgiminë Kulturore.
Nga: Paulin Zefi.
Lezhë: 04.06.2025.