Nga Nikolla Lena-Një histori interesante dhe një kujtesë historike, e gjejmë në qytetin e Fierit.
Në lagjen “Kastriot” jeton 76-vjeçari Sali Krasniqi, një burrë trupmadh, i veshur thjeshtë, bukur, me një borsalinë në kokë, të cilën e mban në çdo stinë. Ai është një nga më të vjetrit e familjes së madhe dhe të nderuar Gërguri, e cila mban edhe një mbiemër të dytë, Krasniqi.
Të parët e tij erdhën në Shqipëri në vitin 1925, të dëbuar nga politika e mbrapshtë etnike e Jugosllavisë së Karagjorgjeviçëve. Gërgurët janë një prej atyre familjeve të shumta kosovare, të cilat derdhën gjak në luftërat e shumta kundër serbëve, për liri dhe pavarësi, duke vazhduar më tej traditën e rilindjes sonë Kombëtare.
Babai i Sali Krasniqit, Sherifi ka në vetvete një histori shumë interesante. Ai ishte pjesë e atyre burrave dhe djemve të Kosovës që shoqëruan në nëntor të vitit 1912 luftëtarin e shquar për liri dhe pavarësi kombëtare, burrin e Kosovës,Isa Boletinin, në udhëtimin e tij historik drejt Vlorës.
Ndërkohë Sherif Gërguri i Krasniqes dhe vëllezërit e tij Latifi dhe Xhema kanë luftuar vite më vonë krah për krah Azem dhe Shote Galicës në periudhën e viteve 1918-1924 kundër ripushtimit serb të Kosovës.
Pikërisht në Dubocv të Drenicës, në shtëpinë e Gërgurëve, Azem Galica zhvilloi luftën e tij të fundit në korrik të vitit 1924, ku u vra në përpjekje me forcat e ushtrisë dhe çetnikët serbë.
Për aktivitetin luftarak dhe patriotik në shërbim të kombit në 3 Qershor 1993 Presidenti i Republikës së Shqipërisë i dekoroi vëllezërit Sherif, Xhemë dhe Latif Gërguri me medaljen për veprimtari patriotike.
Në librin e autorit kosovar Mehmet Gërguri, botuar në Prishtinë në vitin 2007, i cili i kushtohet Ajet Gërgurit njërës prej figuravve të lëvizjes nacional- demokratike shqiptare në Kosovë në vitet 1945-1947, gjejmë një fakt interesant. Diku në një faqe të librit të tij, autori na citon këtë ngjarje që lidhet me trevën e Cakranit, e treguar nga Sali Krasniqi.
– Më 1912 babai im, Sherifi, ka qenë me Isa Boletinin kur kanë shkuar në Vlorë. Forcat turke ishin mobilizuar në Zhupan të Fierit dhe po niseshin për tërheqje përmes detit (Vlorës). Kur kanë hyrë forcat e Isa Boletinit në Vlorë, babai lidhur me këtë ngjarje më ka treguar: “Kur hymë në Vlorë, Isa Boletinit i është dhënë urdhri që forcat kosovare t’i niste për në Mifol, dhe një pjesë e tyre të shkonte në Korçë, ku pritej sulmi nga forcat e greke. Batalionit tim i kishte rënë të pozicionohej në Cakran. Aty ne kemi qëndruar te një familje patriotike, familja e Ferrik Demës, ku kemi (penguar) turqit të mos kalonin në Vlorë ku do bëhej shpallja e pamvarësisë”.
Shumë vite më vonë unë u ndodha në një vdekje në fshatin Çorrush të Mallakastrës,vazhdon rrëfimin e tij saliu. Nipi i Ferrikut, kur dëgjon mbiemrin Gërguri, i thotë të zotit të shtëpisë, Avni Aliut “të më njohësh me atë Gërgurin”. Kur u prezantua me mua më thotë: “Gjyshi im ma ka lënë amanet se kur ka qenë tek ne Sherif Gërguri dhe ka qëndruar gjashtë muaj në shtëpinë tonë në kohën e ngritjes së flamurit me batalionin e tij ka lënë një palë tespie”. Unë e pyes: -si e ke mbiemrin?, ai më thotë, -Llanaj. Babai im nuk ka ndenjur tek kjo familje, po tek Ferrik Demaj dhe unë jam djali i Sherif Gërgurit dhe quhem Salih Gërguri. Ai ma kthen përgjigjen: “Gjyshi im ishte Ferrik Dema, por tani kemi mbiemrin Llanaj”. Pastaj ai e mori shënim emrin tim dhe ia jep të atit të tij, i cili erdhi të më takonte në shtëpinë time në Fier. Gjatë bisedës, kur u sigurua se kush isha unë, nxorri një palë tespie qelibari dhe më thotë: -Këto i ka harruar babai yt në shtëpinë tonë dhe m’i dha ato tespie, të cilat tani gjenden në Qyqavicë, në fshatin Beçuk.
Kohë më vonë u ndodha për një vizitë në Kosovë. Kam shkuar me nipin tim, Xhamajl Abazin (Pantina), në një rast vdekjeje dhe aty gjetëm shumë njerëz nga Drenica. Ishim ulur pranë një patrioti nga Drenica. Pasi kishin kuptuar se unë isha kushëriri i parë i Ajet Gërgurit, të gjithë filluan të rrëfenin ndodhi nga luftërat dhe heroizmat e Ajet Gërgurit në Drenicë. Thua se bënin garë se kush të tregonte më shumë për Ajetin. Nga kënaqësia që ndjenin këta burra që ishin takuar me kushëririn më të afërt të Ajetit, kur po largohesha, ai plaku patriot i madh që ishte, pasi ishte i bidur nga biseda ime, nxjerr një palë tespi nga ato me 99 gurë dhe mi dhuron në shenjë respekti që kishte për Ajetin. Unë, papritmas u zura ngushtë dhe për t’ia kthyer respektin nxorra tespitë dhuratë e babait të kohës kur ishte rritur në Drenicë dhe ia dhurova këtij plaku patriot. Tashmë tespijet të cilat u ruajtën për 80 vjet në Cakran ndodhen në Kosovë, në vendin nga ku u nisën drejt Shqipërsië së bashku me babain- e përfundon rrëfimin Sali Krasniqi (Gërguri).