
Teza # 6
“Çështja çame është e mbyllur”
Për dekada me radhë, sa herë që është përmendur Çamëria në ndonjë tryezë diplomatike, Athina ka pasur një përgjigje standarde:”Çështja çame është e mbyllur. “E kanë thënë ministrat, ambasadorët, akademikët, por edhe zëdhënësit institucionalë të politikës greke. Një fjali që në pamje të parë tingëllon si “çështje procedurale” por në përmbajtje është një politikë e heshtjes, mohimit dhe mosndëshkimit.
A mund të mbyllet një çështje që nuk u hap kurrë?
Shteti grek nuk ka pranuar asnjëherë zyrtarisht dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë në vitet 1944–45.
* Nuk ka asnjë vendim shtetëror të Greqisë që të njohë masakrat dhe dëbimin.
* Nuk ka pasur komision të përbashkët Shqipëri–Greqi që të shqyrtojë këtë kapitull të errët.
* Nuk ka pasur asnjë gjyq për autorët e krimeve, përfshirë Zervën dhe drejtuesit e tjerë të EDES-it.
Çfarë nënkupton në të vërtetë kjo frazë?
Deklarata “çështja çame është e mbyllur” nuk është vetëm një qëndrim politik. Ajo është një strategji për të mohuar përgjegjësinë historike, për të justifikuar grabitjen e pronave, për të mbyllur gojën e kujtesës.
E thënë troç kjo fjali do të thotë:
* “Mos kërkoni kthim.”
* “Mos flisni për të shkuarën.”
* “Mos na trazoni me kujtesën tuaj.”
Çfarë thotë e drejta ndërkombëtare?
* Dëbimi masiv i një popullsie për shkak të përkatësisë etnike përbën krim kundër njerëzimit, dhe si i tillë nuk parashkruhet.
* Konventat e Gjenevës, Statuti i Romës, si dhe jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut e garantojnë të drejtën për kthim, kompensim dhe rehabilitim për popullsitë e dëbuara me dhunë.
* Askund në të drejtën ndërkombëtare nuk ekziston nocioni i “çështjes së mbyllur me deklaratë politike”, kur bëhet fjalë për krime kolektive.
Po Shqipëria?
Në Tiranë, kjo tezë është toleruar në heshtje për 81 vjet. Frika diplomatike, mungesa e vizionit shtetëror dhe mungesa e presionit shoqëror kanë bërë që çështja çame të trajtohet si një barrë e padëshiruar, jo si një detyrim kombëtar. Por një shtet serioz nuk e ndërton të ardhmen duke fshirë të shkuarën, dhe as duke hequr dorë nga qytetarët e tij të përjashtuar nga historia.
Çështja çame nuk është e mbyllur por është çështje e mbuluar. Drejtësia nuk mbyllet me heshtje, por me përballje.
Alket VELIU