-Presidenti Thaçi takon komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Majorin Giovanni Fungo: Puna e KFOR-it është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Kosovë por edhe në rajon/
PRISHTINË, 8 Shtator 2016-B.Jashari/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar Gjeneral Majorin Giovanni Fungo, komandantin e XXI të KFOR-it, i cili ka marrë detyrën e re më 1 shtator.Presidenti Thaçi i ka uruar detyrën e re Gjeneral-Majorit Fungo dhe ka shprehur kënaqësinë që këtë detyrë e merr një ushtarak që njeh mirë rajonin nga detyrat e mëhershme që ka kryer.
Kreu i vendit u shpreh se KFOR-i gëzon besimin e madh të qytetarëve të Kosovës dhe se kjo është falë punës dhe përkushtimit që ka dëshmuar.
“KFOR-i është i pazëvendësueshëm”, ka thënë Presidenti Thaçi dhe ka shtuar se “puna e KFOR-it është e rëndësishme për paqen dhe stabilitetin në Kosovë por edhe në rajon”.
Ndërsa, Gjeneral-Majori Fungo ka shprehur kënaqësinë që është përsëri në Kosovë dhe ka konfirmuar angazhimin e KFOR-it të sigurojë lirinë e lëvizjes dhe ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë.
“Moto e imja do të jetë ‘besim dhe përkushtim’ që përshkruan misionin e KFOR-it XXI”, ka thënë Komandanti i KFOR-it Fungo.Presidenti Thaçi u shpreh se falë punës së përbashkët “kemi ndërtuar një shoqëri mbi themelet e multi-etnicitetit, të bashkëjetesës, të tolerancës etnike dhe fetare” dhe u shpreh i gatshëm të vazhdojë “bashkëpunimin e shkëlqyer me KFOR-in”.Në 1 shtator 2016, në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it, në Kampin “Film City” në Prishtinë është zhvilluar ceremonia e ndërrimit të komandës në mes të Gjeneral Majorit në largim Guglielmo Luigi Miglietta dhe Gjeneral Majorit në ardhje Giovanni Fungo, i cili është italiani i katërt me radhë në krye të forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë.
Gjeneral major Guglielmo Luigi Miglietta mori detyrën e komandantit të KFOR-it në 7 gusht 2015 nga gjeneral major Franqesko Paolo Figliuolo, i cili nga 3 shtatori 2014 pasoi Gjeneral Majorin Salvatore Farina. Të tre këta komandantë të KFOR-it janë italianë dhe pasonin Gjeneral Majorin gjerman Volker Halbauer, i cili në 7 shtator 2012 pat marrë detyrën e komandantit të KFOR-it, për të katërtën herë radhazi një gjeneral i Bundesverit. Nga viti 1999 i lirisë së Kosovës, i hyrjes së NATO-s, KFOR kishte edhe komandantë të tjerë, ndërsa i pari ishte gjenerali britanik, Michael Jackson.