Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 7 Korrik 2015-Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me ministrin e Jashtëm dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Paulo Gentiloni, gjatë vizitës zyrtare në Romë.
Në takimin e pasur me një drekë pune zëvendësministri Thaçi dhe ministri Gentiloni kanë biseduar për sukseset e Kosovës në konsolidimin e brendshëm dhe të jashtëm të shtetit, për progresin në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare nga ana e institucioneve të Kosovës.
Zëvendëskryeministri Thaçi e ka falënderuar ministrin Gentiloni për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë dhënë Kosovës, që nga koha e luftës, e cila rezultoi me një bashkëpunim të mirë politik mes dy vendeve, thekson njoftini i MPJ-së kosovare dërguar nga Roma.
“Do të dëshironim që ky bashkëpunim të thellohet edhe në rrafshin ekonomik”, u shpreh zëvendëskryeministri Thaçi, dhe shtoi se “tanimënë Kosovë ka investitorë të suksesshëm italianë” dhe ftoi që të inkurajohen edhe ndërmarrësit e tjerë që të investojnë në Kosovë.
Zëvendësministri Thaçi e informoi ministrin Gentiloni se ministrat e zhvillimit e ekonomik dhe bujqësisë të Kosovës, Blerand Stavileci dhe Memli Krasniqi, do të vizitojnë Italinë këtë verë për të përgatitur nënshkrimin e disa marrëveshjeve konkrete të bashkëpunimit në sferën e ekonomisë, e që pritet të nënshkruhen në shtator, në “EXPO Milano 2015”.
Gjatë bisedës u fol edhe për bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e arsimit si dhe në luftën kundër radikalizmit dhe terrorizmit.