
Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 shkurt 2026
Gazeta neozelandeze “The Auckland Star” ka botuar, të mërkurën e 11 majit 1938, në faqen n°7, intervistën ekskluzive asokohe të Myzejen, Ruhije dhe Maxhide Zogut në Londër, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Vajza moderne. Princesha elegante. Motrat e Mbretit Zog. Diskutojnë planet e dasmës.

“Ne besojmë në të qenit vajza moderne — dhe po bëjmë më të mirën për ta modernizuar Shqipërinë.”
Tri motrat e vogla brune dhe elegante të Mbretit Zog — Princeshat Myzejen (28), Maxhide (26) dhe Ruhije (24) — e thanë këtë kur së fundmi pritën një gazetare në suitën e tyre në stilin Louis XVI në Hotel Ritz, Londër.
“Megjithëse vendi ynë është gjysmë oriental,” thanë ato, “ne nuk kemi pasur ndrojtje në prezantimin e risive të tilla si të shkuarit rregullisht në kinema, veshja e kostumeve të shkurtuara të banjës dhe pizhamave të plazhit, përdorimi i makijazhit dhe heqja dorë nga ferexhja.”
Princesha Myzejen kishte veshur një fustan georgette ngjyrë blu Oxford, të stolisur me një dantellë të bardhë të hollë rreth qafës, të mbërthyer me një yll diamanti.
Princesha Ruhije kishte veshur një kostum të zi korb, me spirale më të trasha zbukurimi që shtriheshin nga kyçet e duarve deri te shpatullat e saj elegante.
Princesha Maxhide ishte gjithashtu e veshur në të zeza, me zbukurime bizantine të arta mbi shpatulla.
Të tria kishin veshur këpucë të zeza me taka të vogla rreth 5 cm, me përmasa aq të vogla sa nuk mund të ishin më shumë se numri 35. Të gjitha ishin të kuruara në mënyrë të shkëlqyer, deri edhe te thonjtë e lyer me një nuancë të lehtë.
Princesha Myzejen, e cila nuk e kishte vizituar më parë Anglinë, zbuloi se nuk do të ketë rite fetare kur Mbreti Zog të martohet me të fejuarën e tij të bukur dhe bjonde 22-vjeçare, Konteshën Geraldinë Apponyi, më 27 prill.
Ajo tha: “Martesa do të zhvillohet në pallatin e vjetër në Tiranë dhe do të jetë tërësisht civile—po sikurse një martesë civile në çdo vend tjetër. Edhe pse feja e Shqipërisë është myslimane dhe Kontesha Apponyi do të mbetet katolike romake, kjo procedurë është plotësisht kushtetuese.
“Për më tepër, kjo shmang vështirësinë e marrjes së një leje papale. Nuk bëhet fjalë që vëllai im dhe mbretëresha të vizitojnë Papën gjatë muajit të mjaltit për të marrë bekimin e Tij.”
Princesha Maxhide shtoi: “Kur u nisëm nga Nju Jorku me anijen Queen Mary, nuk kishim ndërmend të vizitonim Londrën.
Vetëm Myzejeni, e cila nuk kishte qenë kurrë këtu më parë, na bindi. Nga një kapriço e çastit dërguam një mesazh te Legata jonë duke u kërkuar të rezervonin akomodim për ne.
Princesha Ruhije dhe unë kishim kaluar më parë dy javë këtu dhe, pasi kishim lexuar historinë e Britanisë së Madhe, menduam se ishte një mundësi që nuk duhej humbur. Duhet të nxitojmë të kthehemi në Shqipëri për të provuar fustanet tona. Duhet gjithashtu të vendosim me vëllanë tonë sa shoqëruese të nuses do të ketë. Ne të tria do të jemi shoqëruese — gjithashtu mbesa jonë, Princesha Danushe, vajza e motrës sonë më të madhe, Princeshës Adile. Fustanet tona do të jenë të gjitha të bardha, por nuk do të mbajmë vello.”
“Shumë moderne.”
“Do të jetë një dasmë shumë moderne.”
Princesha Ruhije shpjegoi se ajo dhe motrat e saj janë ngarkuar nga vëllai i tyre, Mbreti Zog, me detyrën për të udhëhequr modernizimin e grave shqiptare.
Ajo tha: “Ne të tria jemi lejtnante në ushtrinë e grave shqiptare. Unë jam përgjegjëse për udhëheqjen e lëvizjes moderne artistike në Shqipëri. Myzejen është pioniere e sporteve për gratë, ndërsa Maxhide është përgjegjëse për turizmin.”