Kristaq BALLI
Lindy Hop” është titulli i një vallëzimi të famshëm ritmik amerikan në çift që lindi dhe evoluoi në komunitetet afro-amerikane në Harlem, New York gjatë viteve 1920-1930 fillimisht me muzikën xhaz të asaj kohe e më tej si një përzierje e shumë ritmeve muzikore të asaj kohe si tap, brëkuej, çarleston,etj. Është një dancim tepër ekspresiv, i gëzuar, i papërmbajtur, i harlisur, eksploziv, spontan e plot improvizime, me lëvizje të thukëta thuajse akrobatike të çdo pjese e muskuli të trupit, por edhe plot harmoni midis dy partnerëve; me qindra hapa individuale, apo të sinkronizuara, figura hapësinore, pirueta e salto eterike, me afrime intime, përqafime, largime, me tërheqje e shtyrje të sinkronizuara e sensuale, me “floor steps” (hapa toke), “shine steps” (hapa farfuritës) “air steps” (hapa në ajër), të lidhura nga duart e pagabueshme, plot gjeste, pra një koreografi ekstaze e shpejtësisë, figurave, gjallërisë dhe vitalitetit artistik. Ky vallzim ka fije lidhëse me një ngjarje e vërtetë: Aviatori i famshëm Charles Lindberg, me pseudonimin ”Lucky Lindy” (Lindi fatlum) fluturoi për herë të parë me avion (hopped) nga Nju Jorku në Paris më 1927 dhe u bë, kështu, i famshëm për udhëtimin e tij ndërkontinental. Te Roy Williams dhe orkestra e tij regjistruan këngën ”Lindberg Hop-Overseas Stomp”. Dhjetë ditë pasi Lindbergh qëndroi në Le Bourget, Francë, një variant vallëzim “Lindy Hop” u përshkrua nga gazetari Gilbert Swan1)
Siç duket vallzimi i parë kushtuar fluturimit të Lindbergut ishte “Lindy Hop”. “Lindy”, me sa kuptohet koincidon me pseudonimi i Lindberg ndërsa “Hop” është një pasthirmë eksklamative që nënkupton “kërcim”, “hedhje”, “hopa!” ”shkëputje nga toka”, “fluturim në ajër”, që i përshtatet pilotimit të Lindbergh-ut”.
Prej këtij vallzimi Gjon Mili ka rrëmbyer në fotot e tij fragmente thelbësore e karakteristike interpretuar fillimisht nga Stanley Cotron dhe Kaye Popp (1943), të dy shtatëmbëdhjetë vjeçarë nga shkolla muzikore e Brodueit “Something for the Boys”. Fotoja e tyre nga Gjon Mili është vendosur në ballinën e revistës LIFE. Brenda saj Mili e ka ilustruar vallzimin me fotot e tij analitike lëvizje pas lëvizjeje, aq sa revista e konsideron tërësinë e essesë së gjatë fotografike si një leksion vizual të Gjon Milit për ta mësuar këtë vallzim gjithë të rinjtë.2)
“Lindy Hop” ka pësuar një evolucion të gjatë duke u kthyer nga një kërcim popullor argëtimi në një performancë konkurimi, madje deri në koreografi baleti modern.3)
Janë këto disa prej parapritjeve pse Gjon Mili zgjodhi të bëjë objekt të aparatit të tij këtë kërcim të famshëm ekstravagant që, sipas intuitës së tij të pagabueshme, premtonte për foto të stilit të tij origjinal në lëvizje, në shpërthim të
fraksioneve të kohës dhe ngrirje të lëvizjes.
Vetë Gjon Mili thotë: “…Kishte thashetheme se Zoti B., kryeredaktori i LIFE nuk e pëlqente këtë vallëzim. Por unë kisha shpresë për një rezultat shumë të mirë. Lindy Hop ishte përhapur gjerësisht me kalimin e viteve….Performanca e valltarëve ishte frymëzuese dhe fotot e vërtetuan atë. Përballeshe me një ortek sekuencash që tregonin morinë e lëvizjeve: figura në dysheme, lëvizje farfuritëse, hapa në ajër, kërcime e rrotullime, pa përmendur improvizimet që ishin pjesë e pandarë e vallzimit. Zoti B. e harroi paragjykimin, në se e kishte një të tillë dhe, i mbushur nga një frymë e gëzuar në ato që pa, ai e la të hapur(në revistë K.B.) historinë e hapësirës së essesë dhe të kopertinës – një pasuri tërësisht e papritur.”4)
Dhe s’kish si të ndodhte ndryshe. Seti i fotove të “Lindy Hop”, u botuan në revistën “LIFE” më 1943 (një seri shkrepjesh në studion e Gjon Milit me kërcimtarët Kaye Pop dhe Stanley Catron në vitin 1943. Njera prej tyre përfshin gjithë ballinën e revistës “LIFE” të datës 23 gusht 1943, ndërsa brenda saj gjendet një fotoese prej 10 faqesh “për ata që duan ta mësojnë këtë vallzim”, i cili pati një jehonë sensacionale jo vetëm për bukurinë estetike dhe mjeshtërore të realizimit fotografik, por edhe për reklamën dhe promovimin pozitiv të kërcimit dhe të valltarëve virtuozë.
Por fotoja më përfaqësuese e këtij vallzimi emblematike mbetet ajo, kur vallëzimin do ta interpretonin dy prej valltarëve të tjerë të njohur me ngjyrë, që u bënë simbol i këtij kërcimi – Willa Mae Ricker (…ajo ishte një nga më famshmet e Lindy-Hop… ajo ishte shpirti dhe zemra e vallzimit” – shprehej me entusiazëm koreografi i njohur i Lindy Hop-it, Frankie Manning) dhe ylli Leon James. Frankie theksonte aftësitë e Willa Mae Ricker në performancën ajrore dhe fuqinë e saj fizike “…për të mbajtur partnerin lart aq sa ata të mund të shkëlqenin”. Fotografitë e këtij kërcimit nga çifti Ricker-James të realizuara në studion e Milit janë sensacionale sidomos kur valltarët janë në ajër. Nga pikpamja pamore, ai ka zgjedhur formën e skajshme grafike me kontrast të fortë, ku siluetat e kërcimtarëve të veshur me kostume të zinj ndriçohen nga disa burime dritash tangjente me aparatin e tij, në mënyrë që sfondi prapa kërcimtarëve të mbetet po aq i errët sa të mos duket asnjë objekt tjetër. Kjo zgjedhje mjeshtërore, me një shkrepje fraksion të sekondës (strobe) i jep fotos idenë e qëndrimit pezull të valltarëve në një lartësi të madhe, si në një fluturim.
Në paraqitjen e shkurtër redaksionale që paraprin artikullin “Photography as Theology” (Fotografia si Teologji) nga Sean Callahan në revistën “American Photographer” thuhet: “Gjon Mili e ndriçoi botën si një kolos. Lindi Hop ishte e gjitha një furi entusiazmi tek të rinjtë kur Mili bëri foton e Willia Mae Ricker duke kërcyer me Leon përçmim të konsiderueshëm nga institucionet kulturore për marrrëdhëniet e saj me mënyrën e jetesës moderne dekadente të shoqëruar me xhazin. Mili, një pionier në përdorimin e dritës stroboskopike kishte njohuri të thella për kompleksitetin e fotografimit të kërcimit dhe krijoi një foto që habiti botuesit e revistës LIFE, të cilët e përdorën si ballinë të saj. Një profil i Milit, një prej legjendave të gjalla të fotogazetarisë vijon në faqet e mëtejshme…”5)
Disa prej fotove me Willia Mae Ricker dhe Leon James të Gjon Milit për këtë vallëzim u bënë dhe mbeten edhe sot përfaqësuese, simbolike në shumë kartolina, CD muzikore, reklama e printime, sidomos tek veshjet e të rinjve.
Nga viti 1936 e deri në vitin 1944, vetëm Revista “LIFE” ka botuar në faqet e saj 13 herë artikuj me foto ese të lidhura posaçërisht me kërcimin “Lindy Hop”6)7)8)9)
Ndërkaq, po ky organ mediatik do t’i rikthehej sërish këtij vallzimi simbolik nëpërmjet fotove të Gjon Milit 29 vite më vonë më 1972, ku riboton disa foto të tij me komentin redaksional të titulluar “29 Years Ago In” (29 Vjet më Parë) dhe nëntitull “The dance that had wartime teenagers jumping was called the Lindy Hop (Vallzimi që të rinjtë e kohës së luftës kërcenin quhej Lindy Hop). Aty thuhet: “Ballina e revistës Life e 29 viteve më parë i kushtohej një vallzimi popullor që rrëmbeu brezin e ri të Luftës II Botërore. – Lindy Hop. Life theksonte që Hop ishte i pari vallzim popullor tërësisht kombëtar që mbante historinë me kryefjalën “një vallzim kombëtar folk kishte lindur në SHBA”. Shkrepjet e Gjon Milit me stop-aksion e hapave të njëpasnjëshëm ishin një nga zbatimet e hershme të blicit elektronik në fotografinë e gazetarisë. Një pamje anësore e një improvizimi fluturimthi jep kënaqësinë e papërmbajtshme shpirtërore të vallzimit.10)Por kjo foto përfaqësuese e Gjon Milit rikthehet në shumë botime bashkëkohore, sidomos në albumet jubilare që redaksia e revistës “LIFE” boton në çdo 5 vjet me rastin e përvjetorëve të saj. Kështu “Lindy Hop” është një nga katër fotot me të cilat Mili përfaqësohet në botimin ”The Best of LIFE” (Më të mirat e LIFE) të vitit 1973. Edhe në botim me rastin e 70-vjetorit te revistës të nëntorit 2006, ku vendosen fotot më të spikatura të jetës së saj, fotos “Lindy Hop” i është kushtuar një faqe. Me rastin e 75 Vjetorit të Revistës “Life”, më 12 Janar, 2012 gazeta amerikane “The Telegraph” boton rubrikën “75 Fotot më të Bukura të revistës LIFE”, ku fotoja “Lindy Hop” me Willa Mae Ricker dhe Leon James radhitet e pesta. Ndërkaq botimi luksoz “75 Years – the Very Best of LIFE” i dedikon kësaj fotoje faqen e parë të tij.
□ □ □
Referenca
_________________________
- Reno Gazette, 31 Mars, 1927
- The Lndy Hop: A True National Folk Dance Has Born in USA, LIFE: August, 23, 1943
3) Kristaq Balli: “Një Artist Argjendar Dardhar i Suksesshëm” Gazeta “Koha Jonë”, 19 qershor 2017, f.16-17: Gazeta “Boston Traveller” në një artikull të dt. 18 Maj 1928, i ribotuar edhe në gazetën “Dielli”, dt 25 Maj 1928 shkruan: “Aviatorët gjermanë që fluturuan nga Europa në Amerikë me Bremenin, të shtunën e kaluar ishin në Boston, ku u pritën me paradë dhe nderime të mëdha. Lidhja e Ushtarëve ‘American Legion’ me këtë rast i dhuroi tre vizitorëve të shënuar nga një medalje. Është për t’u theksuar që këto medalje, Shoqëria e Ushtarëve i kish porositur te artisti argjendar shqiptar (nga Dardha e Korçës-K.B), zoti Stavri Pani, i ungji i zotit Vasil Pani, anëtarit të komisionit të “Vatrës”. Edhe në dy raste të tjera kur “American Legion” dekoroi kolonelin Lindbergh e më vonë kondëradmiralin Byrd me shokë, medaljet ishin porositur te zoti Pani”
4) Gjon Mili, Photographs & Recollections, p.56
5) Sean Callahan: American Photographer, Vol. IV, No. 5 November 1980, p. 3 dhe pp.36-48
6) December 14, 1936: Scenes from the Savoy Ballroom including Leon James, pp 64-68
December 28, 1936: General issue on American dance, pp 30-31 show Leon and Willa Mae demonstrating the swing-out
7) Harlem’s New “Congeroo” Gives Girls a Workout. Life 16 June 1941, pp. 49-50
8) The LINDY HOP COVER ISSUE. A full-scale discussion of Lindy and its origins including the classic pictures of Leon James and Willa Mae Ricker doing aerials, August 23, 1943: pp 95- 103.
9) Gjon Mili photographs Gene Kelly,LIFE May 29, 1944, pp 12 – 15
Në të vërtetë para vitit 1936, LIFE ishte tepër konservatore, anglofilike, anti emigrantëve dhe raciste e vërtetë në qasjen e saj ndaj tyre. Dukej se para Luftës II Botërore, kur Lindy u përhap në komunitetin me ngjyrë, Life e përçmoi dukshëm vallzimin. Më 28 Dhetor 1936 në një variant të këtij vallzimi, Leone dhe Willa Mae identifikohen vetëm si “…këta negro të Harlemit…”, ndërsa valltarët e tjerët (kaukazianët) identifikoheshin me emra… Ishte vetëm viti 1943 kur LIFE zbuloi Lindy-n si “kërcim amerikan folku”, pasi vallzimi u adoptua nga komuniteti i bardhë, veçanërisht nga ushtarët pjesëmarrës në luftë…
Me sinqeritet, Henry Luce, botuesi, mund të kishte pasur një politikë editoriale të pakëndshme, ndaj ai afroi disa fotografë të mëdhenj si Margaret Bourke-White, Philippe Halsman, Alfred Eisenstaedt, dhe W. Eugene Smith. Si të dhëna fotografike nuk kemi asgjë negative, veçse lavdërime për LIFE. Bashkëngjitur për kënaqësinë tuaj kemi vendosur, artikullin mbi Lindy Hop të revistës LIFE, 23 Gusht 1943 (të Gjon Milit) (LIFE Magazines with Lindy-Related Content – Jitterbuzz,
10) “29 Years Ago In”, LIFE, August 25, 1972 pp. 24-25