Perëndimi duhet të heqë dorë nga fantazia se paqja afatgjate në Ballkan mund të arrihet me izolimin e Serbisë, por edhe Beogradi duhet të bëjë kompromis e ta njohë Kosovën shtet, ka vlerësuar në The Observer eksperti amerikan për siguri dhe ish-analisti i Agjencisë Kombëtare për Siguri (NSA) John Schindler, transmeton Koha.net.
Sipas Schindlerit, “Shqipëria e madhe gjithsesi po vjen dhe është më mirë që ajo të vijë në kushte paqësore”.
Ai mendon se Kosova duhet t’i bashkohet Shqipërisë, ndërsa Serbisë duhet t’i takojë rajoni i Mitrovicës verore e Kosovës Lugina e Preshevës. Autori shton se objektet fetare serbe duhet të vihen nën mbrojtjeje të KB-së dhe të shpallen eksterritoriale.
Autori thotë se nga korrigjimi i hartës në Ballkan, humbëse e madhe do të jetë Maqedonia dhe se Shkupi, në këmbim për humbjen e pjesës veriperëndimore të vendit, që me shumicë popullohet nga shqiptarët, duhet që para të gjithë të tjerëve ta marrë ftesën për anëtarësim në BE e ndihma nga Perëndimi.
Sipas Schindlerit Putin po përpiqet të shkaktojë probleme në Ballkan, porse, thotë ai, nga Moska mund të pritet bashkëpunim në këmbim të territoreve nëse Kremlini trajtohet partner i barabartë.
Ai e përshkruan Be H-në si “pseudo-shtet që nuk është shëruar kurrë nga katastrofa e viteve 1992 – 1995” dhe ka shtuar se “miliarda dollarë të ndihmës perëndimore janë humbur nga kriminaliteti e korrupsioni “.
“Le t’i bashkohet Republika Srpska Serbisë”, ka shkruar Schindler, duke thënë se askush nuk mund të shpjegojë në mënyrë racionale pse kufijtë e Serbisë nga koha e komunizmit mund të ndryshojnë e kufijtë e Bosnjës nuk munden.
Autori i tekstit thekson se “kroatëve etnikë nga Hercegovina perëndimore duhet lejuar t’i bashkohen Kroacisë dhe përkujton se shumica e kroatëve të atjeshëm tashmë kanë pasaporta kroate.
Ai mendon se pjesës së mbetur të B e H-së duhet mundësuar që të shkojë rrugës së vet dhe me procedurë të përshpejtuar të pranohet në NATO dhe në BE“Vetëm pasi Perëndimi të pranojë se popujt e Europës Juglindore mund të arrijnë paqen pasi të jetojnë në kombet –shtete koherente, sikur Gjermania, Polonia ose Danimarka, mund të presim që Ballkani të qetësohet dhe të fillojë së zgjidhuri problemet serioze të varfërisë, kriminalitetit e korrupsionit”, thotë Schindler .Është koha që Perëndimi të pranojë dështimin e vet dhe që Europës Juglindore t’ia japë atë që vërtetë i duhet, shtetet-kombe normale me kufij koherentë duke përmirësuar kështu hartën e Titos, ka thënë Schinlder.
“Dokumenti” i Beogradit kundër Shqipërisë së madhe në Bruksel
Ministrja serbe e ngarkuar për Integrime europiane Jadranka Joksimoviq dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë MarkoGjuriq, në takimin me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, kanë dorëzuar dokumentin (non paper) me të cilin kanë pretenduar të tregojnë se “hapat e fundit të koordinuar të liderëve shqiptarë janë bërë me qëllim të legjitimimit gradual të projektit të Shqipërisë së madhe”, transmeton Koha.net.
Në dokument, siç shkruan gazeta e Beogradit “veçernje novosti”, janë paraqitur katër kërkesa për atë se do të duhej të rregulloheshin gjërat në Ballkan.
Në dokument kërkohet që aktorët relevantë ndërkombëtarë të dënojnë, siç thuhet, retorikën agresive që e shtyn Ballkanin Perëndimor në konflikte e ndarje të reja, vazhdimi i dialogut Beograd – Prishtinë, zgjidhje e balancuar, politike e paqësore për krizën në Maqedoni dhe respektim të normave ndërkombëtare për integritetin territorial dhe sovranitetin e shteteve të njohura ndërkombëtarisht.
Në dokument, ndër të tjera janë përmendur ato që Beogradi zyrtar i ka quajtur “deklaratat më ekstreme” të liderëve politikë shqiptarë që nga fillimi i vitit.
Ky dokument do t’i dorëzohet shefit të UNMIK-ut Zahir Tanin me kërkesë që ai t’i përcjellë sekretarit të përgjithshëm të KB-së Antonio Guteres.
Në mbledhje kanë marrë pjesë edhe ambasadorët e vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën.
Sipas asaj që shkruan “novosti”, pozicionin e BE-së në këtë takim më së shumti e kanë arsyetuar ambasadorja e Francës Christine Moro, ambasadori gjerman Axel Ditmann dhe përfaqësuesi i BE-së Oscar Benedict.
Në fjalët e Joksimoviqit e Gjuriqit për “agresivitetin e shqiptarëve” dhe për nevojën e angazhimit më të madh të BE-së, diplomatët e BE-së kanë thënë se të gjitha palët duhet t’i qetësojnë pasionet.
