
Dr. Skender Lutfiu/
Themelimi i Gjykatës speciale ka qenë ndër veprimet më të padrejta dhe kësisoj të gabuara që ka ndërmarrë diplomacia ndërkombëtare në raport me Republikën e Kosovës dhe me shqiptarët në përgjithësi. Që nga ideja e saj e deri tek vendimi për themelimin e saj dhe ratifikimi në Kuvendin e Kosovës më 2015 e kanë përcjell parregullsi dhe probleme që vështirë mund të rikuperohen në periudhën e tanishme, ngase jo vetëm që po mbahen të arrestuar në Hagë krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të institucioneve kryesore të vendit, por ndaj dy prej tyre (Nasim Haradinajt dhe Hysni Gucatit), tashmë është shqiptuar dënimi me nga 4 vjet e gjysmë heqje lirie (burg).
Së pari, ideja e krijimit të Gjykatës speciale është totalisht e gabuar, për shkak të disa arsyeve. Njëra ndër to ishte se ka ekzistuar një gjykatë që është marrë me krimet e kryera në ish Jugosllavi, dhe ka qenë e pa nevojshme të krijohet një tjetër. Për më tepër, ideja e Gjykatës Speciale është e gabuar edhe për faktin se është një etnike, pra është krijuar vetëm për të dënuar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Si e tillë, është e pa drejtë dhe kësisoj e papranueshme. “Arsyet” për krijimin e saj janë po ashtu të pabazë. Kjo sepse, Raporti i Dick Martit, “gjetjet” e Carrla Del Pontës për krimet e kryera nga shqiptarët etj, janë vërtetuar se janë të inskenuara dhe me qëllim devijimin e fakteve dhe të vërtetës historike. Pretendimet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer krime ndaj popullsisë civile serbe dhe të minoriteteve të tjera në Kosovë janë dëshmuar se janë të pa vërteta. Në asnjë moment dhe rrethanë, asnjë dokument apo urdhër çoftë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, apo shtabeve të zonave operative, nuk është gjetur ku është dhënë urdhër për vrasjen e civilëve në Kosovë. Pra, asnjë vrasje gjatë dhe pas luftës në Kosovë nuk është kryer me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Rastet sporadike që kanë ndodhur janë të palidhura me njëri-tjetrin, ngase janë kryer për motive personale. Është e kuptueshme që në periudhat e trazirave të mëdha mund të kryhen krime nga individ me motive të ndryshme si vrasje për hakmarrje, për prona, etj. Por, këto krime duhen gjykuar si raste individuale dhe jo si krime me bazë etnike. Madje, kryerësit e tyre duhet të dënohen nga gjykatat vendore, pse jo edhe nën mbikëqyrjen e gjyqtarëve ndërkombëtar. Por, është krejtësisht i papranueshëm dhe i pajustifikueshëm themelimi i një gjykate një etnike, me qëllim dënimin e kryerësve të krimeve të pretenduara me bazë etnike.
Së dyti, vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale është vepër e agjenturave serbo-ruse, të cilat kanë gjetur mbështetje tek individ të caktuar edhe brenda organeve të drejtësisë ndërkombëtare. Qëllimi i tyre është krijimi i një perceptimi ndërkombëtar se në Kosovë në vitet e Luftës (1998-1999) nuk kanë kryer krime forcat ushtarake dhe policore serbe me direktivat e institucioneve politike të Beogradit, por ushtarët e UÇK-së, me qëllim destabilizimin e Jugosllavisë së mbetur. Pra, një lloj përpjekje për të balancuar krimet e shtetit të Serbisë ndaj civilëve shqiptarë, me luftën çlirimtare që kanë zhvilluar UÇK. Kjo ushtri çlirimtare ka buruar nga gjiri i popullit, si rezultat i shtypjes sistematike të Serbisë përgjatë gjithë shekullit XX, që arriti kulmin me suprimimin e Autonomisë së Kosovës (23 mars 1989), dhe dhunën dhe terrorin shtetëror përgjatë viteve 90-të dhe në veçanti në vitet 1998-1999.
Është mjaftë kontradiktor fakti se si ka mundësi, që të krijohet një gjykatë një etnike dhe përfaqësuesit e një lëvizjeje çlirimtare të arrestohen, të mbahen dhe të dënohen, duke u mbështetur në skenarë dhe “fakte” të pa vërtetuara, ndërsa të mos dënohen të gjithë krerët e shtetit dhe të organeve të drejtësisë, ushtrisë dhe policisë serbe që kanë kryer krime ndaj civilëve shqiptarë. Vetëm brenda dy viteve të luftës kanë vrarë dhe ekzekutuar mbi 13 mijë civilë, ndër të cilët foshnjë disa muajshe dhe pleq mbi 90-vjeç, pastaj gra dhe vajza e djemë të rijnë anekënd Kosovës. Janë kryer rreth 400 masakra masive, janë dhunuar mbi 20 mijë gra e vajza të reja shqiptare, janë rrënuar qytete e fshatra të tëra në gjithë Kosovën, janë shkatërruar objektet dhe monumentet kulturore, arsimore e religjioze etj. Pra dëmet janë të pa llogaritshme. Pa diskutim që Serbia ka kryer krime deri në shkallën e gjenocidit, kulturocidit e urbocidit. Të gjitha këto janë kryer me direktivat e politikës së shtetit serb, që politikën e tij e ndërton mbi të “arriturat” e Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe Klerit Ortodoks Serb. Këto dy institucione brenda dy shekujve (shek. XIX dhe XX) kanë hartuar mbi 25 projekte, elaborate e memorandum antishqiptare, zbatimi i të cilave është dëshmia më e fortë që Serbia në mënyrë institucionale ka kryer gjenocid mbi popullsinë shqiptare të Kosovës, si e tillë.
Pra, lufta që është zhvilluar në Kosovë në vitet 1998-1999, nga drejtësia ndërkombëtare me ose pa qëllim trajtohet njëanshëm. Duhet theksuar faktin se në Kosovë shqiptarët morën armët dhe dolën në male për të luftuar regjimin e Sllobodan Milosheviqit, i cili në vitet 90-të e kishte shndërruar Kosovën në një koloni të Serbisë. Ndërsa, Serbia në Kosovë kishte qëllim të qartë: 1. Spastrimin etnik, që e realizoi në vitet e luftës ngase u dëbuan me dhunë mbi një milion shqiptarë (gjysma e popullsisë së përgjithshme) dhe 2. Popullimin e Kosovës me elementin sllav me qëllim ndryshimin e strukturës etnike, për të fituar më pas të drejtën historike për ta mbajtur Kosovën nën tutelën e saj.
Së treti, arsyet e ratifikimit të Gjykatës speciale në Kuvendin e Kosovës (gusht 2015) janë dëshmia më e mirë se shqiptarët në Kosovë nuk kanë frikë nga asnjë lloj gjykate apo drejtësie për faktin se ndjehen ashtu siç janë të pastër sa i përket krimeve të pretenduara. Prandaj, për të dëshmuar se janë të hapur dhe të sigurt në shumicë kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale, ndonëse që të gjithë e dinin se kjo gjykatë është e pa nevojshme dhe për më tepër e pa drejtë. Duhet të shtohet fakti se shumë nga krerët kryesor të UÇK-së ishin pjesë e Kuvendit të Kosovës, të cilët e votuan këtë gjykatë, që natyrshëm kuptohet si fakt, se ishin të bindur për veprimet e tyre dhe të UÇK-së se nuk janë kryer krime ndaj popullsisë civile në Kosovë gjatë luftës nga asnjë prej strukturave të këtij formacioni ushtarak, që në analet e historisë bashkëkohore shqiptare ka hyrë si formacioni më i suksesshëm, për faktin se arriti të çliroj (në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar (NATO-n)) Kosovën pas 87 vjet robërie nga Serbia.
Shkruar nga Dr. Skender Lutfiu, bashkëpunëtor shkencor për shek.XX në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë dhe asistent i angazhuar në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Filozofik-Departamenti i Historisë.