
Sokol Paja/
Westchester, New York më 28 Maj 2022 – Shënohet një ditë shumë e veçantë për historinë e Vatrës, themelohet dega më e re e Vatrës “Westchester-Putnam” në New York. Kjo degë do të drejtohet nga Drita Vushaj – Kryetare, Diana Scotto – Nënkryetare, Fiton Osmanaj – Sekretar dhe John Shala – Arkëtar i degës “Westchester-Putnam”. Kryetarja e Degës Drita Vushaj me rastin e ditës së themelimit, në fjalën e mirëseardhjes dhe prezantimit u shpreh ndër të tjera: “Bashkohemi sot bashkë për të punuar të gjithë për çështjen kombëtare, për të mirën e komunitetit tonë shqiptar dhe të Vatrës në tërësi. Sot formojmë grup patriotësh e profesionistësh shqiptarë për me trashëgu emrin shqiptar e vlerat tona kombëtare në Amerikë”. Arkëtari i Vatrës Besim Malota mbajti fjalim në emër të Kryesisë së Vatrës ku inkurajoi degën e re të merret me aktivitetet patriotike siç i ka pasur hije dhe traditë Vatrës në 110 vite histori. Shtimi i degëve dhe anëtarësisë në Vatër shton vlerat e Vatrës dhe rrit fuqishëm veprimtarinë në dobi të çështjes kombëtare, tha ndër të tjera z.Malota. Prend Qetta anëtar prej 10 vitesh në Vatër cilësoi se kjo degë do të punojë për kombin dhe se do të ecë nën mësimet dhe veprimtarinë e lavdishme të Fan Nolit dhe Faik Konicës. Editori i Diellit vlerësoi seriozitetin dhe angazhimin në veprim të patriotëve që themeluan degën më të re të Vatrës në New York. Dega “Westchester-Putnam” filloi rrugëtimin patriotik me 32 anëtarë.