Botimi i tretë i Evarist Beqirit, vjen në prag të përvjetorit të Pavarësisë.
Dokumente dhe fakte të reja për Ismail Qemalin përfshihen në botimin e tretë të librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit” me autor Evarist Beqiri. Botimi i tretë pritet të dalë në prag të përvjetorit të Pavarësisë dhe sjell për lexuesit disa risi ndër të cilat; foton e dokumentit të Regjistrit të Gjendjes Civile në Bruksel, 1900, fotografi të bashkëshortes së tij Kleoniqi Surmeli Vlora, si edhe të Ismail Qemalit. Veçojmë këtu foton e realizuar në Paris, në Kongresin e Xhonturqve, në fillim të vitit 1902.
Foto e dokumentit të Regjistrit të Gjendjes Civile në Bruksel, 1900. Në regjistër pasqyrohen gjeneralitetet e Ismail Qemalit dhe të tre bijëve të tij, që e shoqëruan në azilin e tij politik vullnetar. Ky dokument ka rëndësi të posaçme në saktësimin njëherë e përgjithmonë të ditëlindjes së Ismail Qemalit, më 24 janar 1844. Por, kuptimplotë është edhe mënyra e regjistrimit të vendlindjes së tij: Vlorë, Shqipëri. Një tjetër fakt domethënës ky për shqiptarizmën e tij të kulluar. Ismail Qemali gjatë jetës së tij në Bruksel në vitet 1900-1908, realizoi një veprimtari të jashtëzakonshme patriotike, që shërbeu si një gur themeli në përgatitjen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Njëkohësisht albumi fotografik është pasuruar me artikullin e “The New York Times” dhe dokumente nga dosja e klasifikuar e arkivit të Perandorisë Britanike për arratisjen e bujshme të Ismail Qemalit nga Kostandinopoja, në 1 maj 1900. Fashikulli titullohet: “Historia e kërcënimit të jetës së Ismail Qemal Beut nga Sulltani i Turqisë dhe arratisja e tij me një anije që valëviste flamurin anglez”. Ai përmban 8 faqe me dokumente të klasifikuara “Konfidenciale”. Ai hapet me letrën që ambasadori britanik në Kostandinopojë Sir Nicholas R. O’Conor i dërgon kryeministrit dhe njëkohësisht ministrit të Jashtëm britanik Markezit të Salisbury-it.
Sir N. R. O’Conor në letrën e dërguar thekson faktin që: “Ismail Qemal beu është një patriot i sinqertë dhe i zellshëm me pikëpamje të ndriçuara dhe liberale. Ai nuk është as revolucionar, as i përzier me Partinë e Xhonturqve. Ai gëzon reputacion të madh, dhe konsiderohet nga të gjithë si një njeri me karakter dhe integritet të jashtëzakonshëm. Ai ka ruajtur ndershmërinë në mes të korrupsionit; ai e ka shfrytëzuar pozicionin dhe influencën e tij si anëtar i Këshillit të Shtetit për të mbrojtur të shtypurit dhe për të ruajtur drejtësinë dhe moralin. Megjithëse vetë është një mysliman, ai ka mbrojtur në çdo rast privilegjet e popullatës së krishterë. Ai admirohet nga myslimanët, midis të cilëve ai ka një peshë dhe influencë të konsiderueshme; ai e ka shfaqur veten si një mik i sinqertë i Anglisë, duke bërë gjithçka që kishte në dorë për të mbajtur marrëdhënie miqësore midis dy vendeve…Në mbyllje ambasadori përmend faktin që nuk duhej injoruar një personazh me një influencë kaq të madhe, si edhe rëndësinë e librit të sapo shkruar nga Ismail Qemali, me titullin “Çështja e Transvalit ose Roli Civilizues i Britanisë së Madhe në Këndvështrimin Mysliman”.
Pjesë e fashikullit janë edhe katër letra të shkurtra por shumë interesante të Ismail Qemalit. Ato janë shkruar me një frëngjishte të përsosur dhe me një gjuhë të rafinuar diplomatike. Tre prej këtyre letrave janë drejtuar ambasadorit britanik në Kostandinopojë Sir N.R. O’Conor dhe një diplomatit Adam Block. Nga leximi i këtyre letrave të tërheq vëmendjen fraza:“MON crime c‘est mon patriotisme” (“Krimi IM është patriotizmi im”)… Gjithashtu, aty del në pah edhe forca e tij karakterit, që është edhe vetë thelbi i lidershipit. Sepse karakteri ndikon tek suksesi më tepër sesa të gjitha aftësitë e tjera. Kjo shprehet qartësisht tek vendosmëria e Ismail Qemalit për t’i qëndruar deri në fund vendimit që kishte marr, pavarësisht pasojave të tij: “Duke u larguar, unë mbështetem vetëm në lirinë time të veprimit dhe do të jem aq i fortë sa të mund të jetoj përmes punës sime.”.
Autori Evarist Beqiri thekson se pak ka ndryshuar në përmbatje, « Por nga ana tjetër, ky botim i tretë vjen si një domosdoshmëri në pasurimin e librit me disa materiale, me të cilat jam njohur kohët e fundit. Një falënderim i veçantë për Darling dhe Qamil Vlorën, stërnipërit e Ismail Qemal Vlorës, për vendosjen në dispozicion të fotografive dhe dokumenteve nga arkivi i familjes Vlora.»
Botimi i parë i librit “Themeluesi-Lidershipi i Ismaili Qemalit” doli në vitin 2022, botimi i dytë në vitin 2023. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar tre promovime në tre kryeqytetet e shqiptarisë: në Tiranë, në Vlorën e flamurit dhe në Prishtinë. Njëkohësisht autori ka realizuar një sërë takimesh me lexuesit, në universitete dhe librari brenda dhe jashtë vendit.
Gjithashtu, në prag të 112-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, autori ka planifikuar disa aktivitete kulturore. Më 19 nëntor, ora 13, autori do të zhvillojë një leksion i hapur në Fakultetin e Drejtësisë, UT, me temë “Lidershipi i Ismail Qemalit dhe Aktet Themeluese të Shtetit Shqiptar”. Më 20 nëntor, ora 11, do të zhvillohet një bashkëbisedim me lexuesit pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL). Dhe më 26 nëntor, autori zhvillon një tjetër bashkëbisedim me lexuesit, në Bruksel, në Shqip Ville/Maison Culturelle Belgo- Albanaise.