Intervistë me Anton Kolajn, veprimtar i çështjes kombëtare dhe ish- nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës/
Intervistoi per Gazeten “DIELLI”: Mikel GOJANI/
Biseda me z. Anton Kolaj, ka shumë motivacione. Profesor Anton Kolaj, është një emër i njohur i angazhimit dhe veprimit politik dhe kombëtar në Kosovë. Ishte njëri nga veprimtarët e hershëm të kauzës kombëtare. Për veprimtari politike dhe kombëtare më 1989 është arrestuar dhe burgosur, ku burgjet i ka vuajtur në Leskovc të Serbisë, Beograd dhe Pejë. Ishte themelues i Degës se LDK-s në Klinë dhe me vone, për shumë vite, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Njëri nga bashkëpunëtorët e dr. Ibrahim Rugovës, konceptit politik dhe filozofik të tij i mbetet akoma besnik. Me z. Kolaj, përmes kësaj interviste shpalosëm shumë gjera të rëndësishme dhe tematike.
“DIELLI”: Z. Kolaj, jeni një emër mjaft i njohur i jetës politike dhe kombëtare, për të qenë edhe më afër lexuesve konsiderojmë që është e dobishme të na prezantoni një biografi tuajën.
• Anton Kolaj: Jam i lindur më 3.10.1953, në fshatin Zllakuqan të Komunës së Klinës. Shkollimin fillor kam kryer në vendlindje, shkollën e mesme, gjimnazin “Luigj Gurakuqi” në Klinë, ndërsa studimet kam përfunduar gjatë viteve 1973-1977 në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës, Dega Filozofi –Sociologji. Jam i martuar me Drita Palushajn nga Klina, baba i pesë fëmijëve: Albani, Artani, Blerta, Besa dhe Gjini. Prej muaj shtator 1977 deri më 1989 kam punuar mësimdhënës për lëndët filozofi, sociologji dhe psikologji, në Gjimnazin” Luigj Gurakuqi” në Klinë dhe Kijevë (i larguar me dhunë nga regjmi serb nga procesi i punës për aktivitet dhe bindje politike në kauzën e mbrojtjes dhe të afirmimit të të drejtave kombëtare dhe njerëzore). Prej muajit mars deri muajin qershor të vitit 1989 isha i arrestuar në të ashtuquajturin proces të izolimit të rreth 250 intelektualëve shqiptarë të Kosovës. Prej muajit dhjetor 1989 deri në muajin maj 1990 kam punuar si sociolog i punës në NNIT“Mirusha“ në Klinë, mirëpo prapë i përjashtuar nga puna nga ana e regjimit serb, si i papërshtatshëm dhe i rrezikshëm për sistemin kushtetues serbo- jugosllav. Me aktivitet politik jam marrë qysh herët, si pjesëmarrës aktiv në demonstratat e viteve të 81-ta në Kosovë dhe zhvillimeve të mëvonshme lidhur me to; iniciator dhe bashkëthemelues i Degës se LDK-s ne Kline, kryetar i parë i Degës së LDK-së në Klinë, iniciator dhe bashkëthemelues i Këshillit për pajtimin e gjaqeve për Komunën e Klinës; anëtar i Kryesisë (korrik 1990) dhe më vone nënkryetar i LDK-së i zgjedhur në Kuvendin e parë zgjedhor të LDK-së (5 maj 1991); Co-Ministër i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës (1991-94); Deputet ne Parlamentin e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 24 majit 1992; në Zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 kandidat për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e LDK-s. (merr rreth 5000 vota, kandidati më i votuar në Klinë). Nga janari 1995, gjendem me familje ne Gjermani.
“DIELLI”: Në angazhimet politike dhe kombëtare jeni kyçur qysh herët. Çfarë keni mundësi të na flisni për këto angazhime tuaja shumë të hershme dhe me interes dimensional?
• Anton Kolaj: Pyetja është shumë sfiduese. Nuk me vjen lehtë të përgjigjem në këtë pyetje, sidomos kur njeriu duhet të flas për vetveten. Unë, si shumë bashkëkombës të mi, kemi pasur fatin që të jetojmë dhe veprojmë në kohë kthesash të mëdha historike. Vitet e shtatëdhjeta i kujtoj si vite të një fryme më të lirë, në rrafshin nacional. Pas shumë përpjekjeve dhe vuajtjeve, populli shqiptar fitoi disa liri të cilat u sanksionuan edhe në Kushtetutën e vitit 1974. Megjithatë, shqiptarët, edhe me këtë kushtetutë, nuk ishin te barabarte me të tjerat entitete në ish-Jugosllavi.
Klina, nga vij unë, në këto vite u bë me gjimnaz. Unë i takoja gjeneratës së parë të gjimnazit. Dashuria për shkollim u bë e madhe. Kjo, fale edhe angazhimit të mësimdhënësve, vullnetit të prindërve dhe të nxënësve. Por, në këtë rrafsh duhet veçuar një figurë tepër të rëndësishme, e cila dha një kontribut të madh në përhapjen e arsimit shqip. Ky ishte drejtori parë i gjimnazit “ Luigj Gurakuqi” në Klinë, i nderuari prof. Frrok Gojani.
Për opinionin e gjerë, duhet thënë se gjer në ato vite, në jetën politike, arsimore dhe kulturore në Klinë e dominonte elementi serb. Tani gradualisht ky dominim i padrejtë, po ndryshohej. Kthesat po bëheshin, por jo pa vështirësi. Në Kline gjimnazi u bë vatër e dijes dhe rezistencës, si shumë qendra tjera në Kosovë. Si rezultat i këtij hovi zhvillimor që po bënte Kosova, në njërën ane dhe pengesave e sanksioneve që i bënte pushteti i asaj kohe, plasën demonstratat e 1981-ës. Kjo ishte një periudhe me shume sfida dhe kthesa të shpejta.
Shovinizmi serb, dhe jo vetëm ai, bënte çmos për t’ua marrë shqiptarëve ato të drejta që u garantoheshin me Kushtetutën e vitit 1974. Këto dallgë lirie dhe të drejtash, fuqizoheshin çdo ditë, dhe shumë shpejt u pa se kornizat e Kushtetutës së 1974 –ës ishin të ngushta për shqiptarët. Në këto vite isha mësimdhënës në gjimnazin „Luigj Gurakuqi“ në Kijevë. Për shkak të qëndrimit dhe rezistencës që behej nga disa mësimdhënës dhe nxënës dhe synimit dhe sulmit që bënte politika e atëhershme zyrtare e Jugosllavisë kundër shkollave dhe institucioneve tjera në Kosovë, kjo shkollë, shihej si halë në sy, si për politikën komunale klinase, po ashtu edhe për atë krahinore dhe qendrore.
Personalisht, por edhe shume kolegë të mi të nderuar, që jepnin mësim aty, me paraqitjet tona dhe qëndrimet shumë të forta kombëtare dhe profesionale, kontribuuam, së bashku me nxënës dhe prindër, që ideja e Kosovës Republikë të mos trajtohet dhe pranohet si ide kontrarevolucionare! Përkundrazi, janë të njohura angazhimet tona teorike dhe praktike rreth afirmimit dhe avancimit të idesë për Republikën e Kosovës. Për punën time dhe të disa kolegëve të mi të respektuar të kësaj periode, duhet pyetur nxënësit tanë. Ata ishin rrugëtarët dhe implementuesit më të denje të angazhimeve tona.
Më vonë, nga Kijeva, diku në vitin 1983/84, kalova në gjimnazin „Luigj Gurakuqi“ në Klinë.
Klina ishte një mes shumë interesant për pushtetin jugosllav, e posaçërisht për nacionalistët serb, të cilët nuk ishin bukur pak në numër.
Kishte ide që në Klinë, duke pasur parasysh përbërjen konfesionale të popullsisë shqiptare, të eksperimentohet me konflikte mbi këtë bazë. Dhe gjimnazi shihej si institucion shumë i përshtatshëm për këto qëllime. Në disa klasë nxënësit uleshin të ndarë. Kjo më ra në sy posa erdha nga Kijeva në Klinë dhe në biseda, së pari, me disa kolegë me të cilët na lidhnin mendimet dhe pikëpamjet, biseduam dhe filluam një aktivitet sqarues. Personalisht, mendoja se ky veprim i nxënësve shqiptarë nuk vinte nga bindja fetare, por ishte më tepër karakter regjional, d.m.th. nxënësit uleshin spontanisht, varësisht se nga cilat shkolla vinin. Por, kishte përpjekje që kjo situatë të keqpërdorët. Arsimtarë serbë, shovinistë të përbetuar, përpiqeshin të keqpërdorin këtë situatë. Dorën në zemër, unë, por edhe disa kolegë të nderuar, ishim shumë të hapur në biseda me nxënësit në këtë drejtim. Gjimnazi i Klinës, përpos funksionit primar që kishte në ofrimin e arsimit dhe të dijes, u bë një vatër e rezistencës intelektuale dhe politike kundër shovinizmit serb.
Shovinistët serbë i tmerronte kjo qendër arsimore dhe fryma që zhvillohej në të. Ata sulmuan fillimisht emrin e gjimnazit, me pastaj sulmuan dhe burgosen nxënës dhe profesorë, por për asnjë çast nuk arritën synimin e tyre. Ky gjimnaz, si dhe te tjerët gjithandej Kosovës i dha shumë kuadro të fushave të ndryshme dha së fundmi edhe shumë luftëtarë të lirisë.
Le të më lejohet, për lexuesit më të rinj të sjell diç nga e fryma antishqiptare që dominonte në vitet ‘80-ta dhe të 90-ta të shekullit të kaluar. Në Fushë – Kosovë në fundvitet e tetëdhjeta dhe fillim të nëntëdhjetave, vepronte Shoqata famëkeqe antishqiptare „Bozhur“, që për platformë politike dhe strategjike kishte idetë shoviniste antishqiptare çubriloviqiane. Përpos tjerash në ato vite, ata lansuan propagandën se gjoja shqiptarët e besimit katolik, po kërkojnë ndihme tek serbët, se janë të terrorizuar nga shqiptarët e besimit mysliman! Unë, atëherë pata një shkrim që u botua në të përditshmen “Rilindja”, ku me argumente demantova këtë politikë antishqiptare. Shkrimin e përfundova me konstatimin se “ne , shqiptarët jemi vëllezër dhe se 99 fije na bashkojnë dhe vetëm një na veçon!” Ky shkrim u prit shumë mirë nga nxënësit e mi, nga qytetarët shqiptarë, jo vetëm të Klinës, por edhe anë e kënd Kosovës dhe më gjerë. Por ky shkrim mbeti i pafalshëm për regjimin serb, i cili, gjatë qëndrimit tim në burg, përpos „mëkateve” tjera ma numëruan edhe këtë “mëkat!”
Kur sot lexoj dhe shikoj disa paraqitje dhe veprime devijante në Kosovë, të cilat përpiqen të fusin ndarje dhe urrejtje ndërfetare ndër shqiptarë, nuk më mbetët tjetër gjë vetëm të klith gjer në kupë të qiellit dhe të them: “Këto ide nuk janë të panjohura për ne! Këto janë “Made in Serbia!” Shqiptarë ruhuni nga këto ide dhe këto veprime!
“DIELLI”: Në vitet e ’90-ta ishit nënkryetar i LDK-së. LDK-ja ishte forca e parë politike në Ballkan e cila sfidoi ideologjinë komuniste. Çfarë mund të shtoni për ato vite të themelimit, punës dhe angazhimit të LDK-së, në krye me strategun dhe vizionarin, dr. Ibrahim Rugova?
Anton Kolaj: Siç dihet LDK-ja u formua më 23 dhjetor 1989. Nëse i hedhim një sy ngjarjeve nëpër të cilat kalonin shqiptarët nën Jugosllavi, mund të konstatohet se ishin shterur të gjitha mundësitë, që në kuadër të sistemit ekzistues politik jugosllav, të avancohen dhe të mbrohen më tej të drejtat e shqiptarëve në Kosove dhe vise tjera shqiptare në Jugosllavi! Në anën tjetër, as aktivitetet e grupimeve ilegale shqiptare, qofshin brenda, qofshin jashtë, nuk mundnin, për arsye objektive dhe subjektive, të bënin diç më serioze në afirmimin dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve!
Në Ballkan po frynte një erë e re, ajo e pluralizmit. Jugosllavia po vlonte nga brenda. Shumë Republika jugosllave nuk dëshironin më të jetojnë në një shtet të tillë, ku primatin e kishin serbët. Në planin ndërkombëtar, pas lodhjes dhe shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, pas rënies së Murit të Berlinit, e ndryshimeve tjera në rajon, u krijuan kushtet që edhe shqiptarët e Kosovës, me veprime tjera, të ndërmarrin hapa që ishin kompatibel me situatat e krijuara.
Formimi i LDK-s si një vullnet dhe synim i elitës intelektuale shqiptare të Kosovës, u bë shpejt ajo kthesa e madhe historike për shqiptarët, jo vetëm në Kosovë. Ndikimi i LDK-së dhe i frymës kombëtare dhe politike që rrezaton ajo, ndikoi shumë tek shqiptarët, si në Maqedoni, Mal të Zi Kosove Lindore dhe Diasporë.
Fryma bashkëpunuese, komunikimi i urtë dhe tolerant e gjithëpërfshirës, ngadalë, por suksesshëm, po vendoste themelet e një organizimi të ri ndërshqiptar. Filluan te instalohen vlerat e një forme të re organizimi politik, dhe pa pasoja e turbulenca, pa vëllavrasje e konflikte, dita – ditës, po shkatërrohej sistemi politik i LKJ dhe po ngushtohej hapësira e ndikimit të tij në jetën e shqiptarëve.
Kështu e parë, LDK-ja përkrah synimit social-politik dhe kombëtar, shumë shpejt u shndërrua në një lëvizje gjithëkombëtare. Në ato vite, krijohej përshtypja, më të drejtë se Prishtina ishte bërë qendër e botës shqiptare!
Shtëpia e vogël e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku gjendej selia e LDK-se dhe ku punonte Presidenti Rugova me bashkëpunëtorët e tij, u bë një shtëpi – kala, që rrezatonte vizion, paqe, urtësi, demokraci, qëndresë dhe apel për liri!
LDK-ja në atë kohë ishte forca kohezive e të gjithë shqiptarëve dhe adresë e respektuar për ndërkombëtarët. Nga aty Presidenti Rugova dhe bashkëpunëtorët e tij, punuan, vepruan dhe menaxhuan tërë jetën politike, sociale, kulturore dhe shtetërore.
Për hir të së vërtetës historike duhet theksuar se të gjithë akterët e jetës politike në Kosovë, në ato vite, më pak përjashtime, tregonin një angazhim dhe sakrificë të jashtëzakonshme për kauzën kombëtare. Kjo mënyrë e punës u reflektua edhe në masat e gjera, gjithandej Kosovës. Tanimë dihet se në çdo lagje, fshat apo qytet, tregohej një vetëdisiplinë, vetëmohim, sakrificë dhe solidaritet për të qëndruar, për të punuar dhe për të realizuar synimet për liri kombëtare!
LDK-ja në këto vite, në bashkëpunim me të gjithë subjektet tjerë politikë e jo politik të shqiptareve, si partitë politike, sindikatat, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, bashkësitë fetare etj., koordinonin veprimet të cilat synonin formimin e shtetit të Kosovës dhe çlirimin e saj nga okupatori serb.
“DIELLI”: A kishte ne atë kohe vështirësi dhe mospajtime ndër shqiptarë
Anton Kolaj: Gjithsesi, nuk duhet kuptuar se në atë kohë ndër shqiptarët nuk kishte mospajtime. Po. Kishte mendime tjera, njerëz të pakënaqur, të tillë që nuk e kishin kuptuar ende demokracinë, që nuk e kuptonin drejt rendin e ri ndërkombëtare, nostalgjik të përkatësive dhe simpative të kaluara politike, qofshin ndaj sistemit politik të Enver Hoxhës, apo edhe të tillë që kishin një dhembshuri për të kaluarën e tyre komode në Jugosllavinë e Titos! Kishte edhe asi që politikisht i takonin organizimeve të vjetra djathtiste, si Balli Kombëtar etj.
Pra, siç shihej duhej punuar dhe vepruar me një kulturë të lartë të tolerancës dhe mirëkuptimit. Në këtë drejtim, kultura komunikuese e Presidentit Rugova (ai nuk fyente dhe nuk anatemonte askënd), u bë segment i rëndësishëm i LDK-së, madje shenjë që këtë subjekt e dallonte nga subjektet tjera në Kosovë.
Punohej me një përkushtim të lartë dhe ajo që quhet aktivizim i resurseve dhe potencialeve, ishte bërë preokupim i LDK-së. Kështu, ruhej një kohezion kombëtar dhe çdo ditë pushtoheshin hapësira të pa shfrytëzuara që dërgonin kah shtetndërtimi.
Ajo që latinët e vjetër thonin „ Ec ngadalë që të arrish më shpejt në cak“, u tregua, së pakut për ato vite gjer në prag të luftës, si e suksesshme!
“DIELLI:” Koncepti politik, filozofik dhe humanist i LDK-së në atë kohë ishte një koncept mbi platformën e së çiles dominonte opsioni paqësor. Me këtë politikë, tepër racionale për kohën, u ndërtuan dhe funksionuan shumë segmente të jetës, po ashtu njëherësh u vunë edhe themelet e shtetësisë së republikës së Kosovës. LDK-ja ishte bartëse e gjitha këtyre veprimtarive dhe këtyre organizimeve që jeta shqiptare në atë kohë nën okupimin serb i kërkonte këto organizime, çfarë mund t’u shtoni këtyre konstatimeve?
Anton Kolaj: Rreth kësaj pyetje, gjer më sot, ka pasur mendime të ndryshme. Disa, atë rrugë e glorifikojnë dhe përpiqen ta paraqesin si një “lutje kishtare!” Të tjerët duan ta shohin si një rrugë ose opsion të „qulltë“ që nuk dërgon askund!
Nëse „kandari“ më i mirë i matjes së diçkahit është praktika, atëherë me plot gojën mund të thuhet se filozofia politike e LDK-s, në ato vite ishte një filozofi politike, shumë aktive në rrugën e shtetndërtimit dhe lirisë kombëtare.
Nihilistet e kësaj rruge, apo të këtij opsioni, janë viktima të miopisë politiko- intelektuale dhe të përvojave historike, posaçërisht të atyre në Ballkan.
Si njëri prej bashkëpunëtorëve të Presidentit Rugova, në ato vite, mund të them se LDK-ja ishte një Lëvizje për çlirim dhe shtetformim. Në këtë aspekt, rezistenca, organizimi i segmenteve shtetërore, në tërësinë e tyre, ngritja permanente e vetëdijes kombëtare, forcimi i vetëbesimit të qytetarëve, orientimi properëndimor dhe bindja e miqve në sinqeritetin tonë karshi këtij orientimi, nuk ishin diç që mund të bëheshin brenda natës. Jo gjithmonë, vullneti dhe dëshira, janë të mjaftueshme. Por, këto janë, kuptohet, parakushte mbi të cilat fillon ndërtimi i diçkahit.
Nuk është e re nëse them se resurset dhe kapacitetet tona kombëtare, duke përfshirë edhe Shqipërinë në ato vite, nuk përputheshin me nevojat dhe synimet e LDK-së dhe subjekteve tjera shqiptare në Kosovë. Shqipëria në ato vite, kalonte nëpër disa faza tepër të rënda dhe me turbulenca të rrezikshme. Shkurt, shteti shqiptar në atë kohë, në aspektin e funksionalitetit, ishte jofunksional. Unë nuk them se në Shqipëri nuk mbështetej ideja e Kosovës për pavarësi, por ishte „takati“ tepër i vogël i shtetit, turbulencat transitore kah demokracia, nuk jepnin asnjë sinjal për ndonjë ndërmarrje serioze. Këtë e them edhe nga kontaktet e mia që në atë kohë, si ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, nga LDK-ja, kam pasur me funksionarë të lartë të shtetit të Shqipërisë.
Në anën tjetër, Republikat tjera të RSFJ-së, nuk e shihnin Kosovën si aleat, por si akter për të realizuar synimet e veta. Për lexuesin e ri le të përmendet këtu marrëveshja sekrete Tuxhman- Millosheviq. Edhe faktori ndërkombëtare, ende nuk shkonte kah një mbështetje, për të shpejtuar dinamiken e veprimeve tona. Te disa ende shiheshin gjurmët e propagandës serbo-jugosllave, dhe hetohej një skepticizëm e madhe karshi opsionit tonë!
Kur të merren parasysh të gjithë këta faktorë, tani pas një çerekshekulli, edhe me me zë mund të them se Lëvizja e Shqiptarëve e udhëhequr nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova, si dhe subjektet tjerë shqiptarë, ishte një lëvizje që suksesshëm vunë themelet e shtetësisë dhe të çlirimit të Kosovës.
Të përkujtojmë se në këto vite u organizuan dhe ndërmorën shumë veprime që vërtetojnë atë qe u tha më lartë. Me lejoni t’i përmendi disa nga këto:
Deklarata e Pavarësisë- 2 Korrik 1990; Kushtetuta e Kaçanikut shtator 1990; Referendumi gjithëpopullor për Pavarësinë e Kosovës ( fundi i shtatorit 1991); Formimi i Qeverise së Kosovës ( nga të gjithë subjektet politikë të Kosovës me ministri brenda dhe jashtë Kosovës); Zgjedhjet e para shumëpartiake dhe Presidenciale, të mbajtura më 24 maj 19902 etj. Shkurt, synimi nuk ishte paqja me çdo kusht, por liria dhe pavarësia e Kosovës.
“DIELLI:” Pas përfundimit të luftës, ne Kosove u krijua nje realitet i ri. LDK-ja, nën udhëheqjen e dr. Ibrahim Rugovës, edhe përkundër shumë sfidave dhe vështirësive që iu paraqitën, prapë ishte forca politike që kishte besimin më të madh tek masa e gjerë popullore. Thuhej që “forcat e luftës” çliruan vendin, mirëpo prapë se prapë LDK mbeti partia më e besueshme.
Anton Kolaj: Ka disa arsye pse ndodhi kjo: Së pari, sipas mendimit tim, figura politike dhe udhëheqëse e Ibrahim Rugovës nuk ishte zbehur dhe rrënuar. Populli e vlerësonte punën, përkushtimin dhe sakrificën e tij. Le të parafrazoj një diplomat të lartë amerikan, pas një vizite që menjëherë pas lufte e kishte bërë së bashku me Ibrahim Rugovën në Komunën e Malishevës:“ Populli e donte dhe përkulej para tij”!
Në anën tjetër LDK-ja ,sikur edhe subjektet tjerë shqiptarë, përkundër propagandës agresive mohuese që është zhvilluar në ato vite, ishte pjesë reale e luftës, qofshin këta individ në formacione të caktuara të UÇK-s ose komandantë e ushtarë në formacionet e FARK-ut. Së dyti, disa që veten e konsideronin“çlirimtarë“ pas luftës keqpërdorën idenë e luftës dhe të çlirimit. Ishte e neveritshme qe pas luftës të shiheshe gjithandej, grafitë të ndryshme nëpër mure shtëpish e pronash grafitet: “E nxënë UÇK!“ ose „e nxënë x y komandanti“ etj. Këto shëmti dhe keqpërdorime që iu atribuoheshin „çlirimtarëve“, u ndëshkuan në zgjedhjet e para të pas luftës. Udhëheqësve politikë të të ashtuquajturit “krah i luftës”, nuk ju shkoi përshtati t’i ndalojnë këto veprime. Së treti, u dëshmua se demokracia ka disa rregulla tjera të lojës. Por, a do të fitonte LDK-ja pa Ibrahim Rugovën, mendoj se jo. Populli ishte bindur se ai nuk e donte luftën, por u angazhua shumë për liri dhe pavarësi kombëtare!
“DIELLI:”LDK-ja e sotme, kuptohet se nga ndryshuar rrënjësisht nga ajo e kaluara dhe sot themeluesit dhe bartësit shumëvjeçarë të aktiviteteve dhe veprimtarive të kësaj partie pothuaj janë eliminuar, sa është e justifikueshme kjo politike?
Anton Kolaj: Së pari unë, ende nuk mendoj se ka një LDK të djeshme dhe një të sotme. E vërteta është se tani, pas lufte, dhe posaçërisht pas shpalljes se Pavarësisë së Kosovës, kemi tjera rrethana dhe një realitet krejt te ri.
LDK-së iu është dashur të ecë nga koncepti i partisë-lëvizje, kah koncepti i një partie politike modern , pra të bëjë ndryshime të rrënjësishme. Pastaj, pas vdekjes së Presidentit Rugova, LDK- nuk është më parti e liderit. Ajo, si çdo parti moderne, do i nënshtrohet rregullave të reja atë të lojës. Gara e brendshme i ka turbulencat e caktuara! Dikush kënaqet e dikush mbetet i pakënaqur. Disa edhe zhgënjehen ose tërhiqen, ose kërkojnë alternativë tjetër!
Njohësit e kësaj fushe dhe të këtyre praktikave, vërejnë se në këtë rrugë transformimi, ka vështirësi të caktuara. Nuk mjaftojnë vetëm ndryshimet statutare, kjo merr kohë gjersa njeriu të mësohet me një nevojë dhe realitet të ri!
Tani t`i kthehem pjesës se dytë të pyetjes: Demokracia ka disa rregulla interesante dhe shumë sfiduese të lojës. Meritokracia nuk është i vetmi kriter i mjaftueshëm për të mbetur në rendin e parë.
Le të më lejohet, për lexuesit e rëndomtë, të sjell një shembull nga fusha e sportit. Pavarësisht nga fama, p.sh., në boks, dikush të sfidon ose me nokaut, ose me poenë. Kjo nuk do të thotë se akëcili boksier i famshëm, me daljen nga ringu, i vdes fama! Me kalimin e kohës ai kujtohet për rezultatet e tija. Por nëse ai dëshiron për të luajtur prapë, duhet për t’u përgatitur për meçe tjera, për sfida tjera. Por, edhe në politikë, sikur edhe në sport, ka tejkalime, ka hile, kuptohet, nëse mungon referi!
Ata që duan të merren aktivisht në politikë, nuk duhet të vajtojnë, por të angazhohen, me ide e projekte dhe të mos kenë frikë për të dalë prapë në ring!
Unë nuk njoh shembuj në politikë, që dikush të thotë: “Eja në karrigen time, se ti je burrë ose grua e mirë!”
“DIELLI:” Edhe sot LDK-ja thirret në frymën e rugovizmit, këtë sintagmë mos e ka vetëm sa për t’u mbështetur në filozofinë e Dr. Rugovës, sepse pothuaj të gjithë e dimë që LDK e ka humbur identitetin që ka pasur. Sa pajtoheni me këto pikëpamje?
Anton Kolaj: Unë nuk mendoj se LDK e ka humbur identiteti e vet. Thirrja në filozofinë e Presidentit Rugova është zëri dhe veprimi që duhet të mbes gjallë dhe të begatohet me risitë tjera që sjell jeta. Përndryshe, nëse nuk ka risi, atëherë mund të shndërrohet në dogmë. Unë jam kundër dogmave.
Në anën tjetër, realiteti ynë në Kosovë është shumë sfidues. Ka varfëri, mungese të perspektivës ekonomike, dukuri devijante shoqërore, si korrupsion, reketim, nepotizëm, prostitucion, keqpërdorim funksionesh, depërtime të ideologjive të ndryshme antidemokratike e kombëtare. Këto janë bërë pengesë e madhe për të ecur vendi përpara.
Në anën tjetër, Serbia vazhdon të bëjë pengesa dhe shantazhe të shumta, si në planin e brendshëm, duke i manipuluar serbët vendorë (rasti i Veriut të Kosovës), po ashtu duke sabotuar përpjekjet tona dhe të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve përmes bisedimeve.
Nëse shtrohet pyetja, se a ka rrezik të devijohet nga shtyllat kryesore të rugovizmit, mund të them se po. Ky rrezik është permanent. Dhe, këtu mendoj se LDK-ja , dhe jo vetëm kjo, ndodhen të sfiduara dhe nganjëherë të shantazhuara. Jemi dëshmitarë se në Kosovë dhe hapësirat tjera shqiptare, po synohet të depërtojë islami politik. Kjo është sfidë për shoqërinë shqiptare në përgjithësi dhe për shtetin e Kosovës në veçanti. Terreni socio- ekonomik dhe fetar, është shumë i volitshëm për këto depërtime. Zakonisht, në vende të varfra ekonomikisht dhe pa një tradite shtetërore, të rrethuar me shtete që nuk janë miqësore, ky virus gjen shumë shpejt mesin social për shumëzim. Dhe tani t’i kthehem të ashtuquajturës “lojë politike”: disa parti politike, këtu nuk përjashtohet as LDK-ja, për nevoja të votës ose edhe për mungese të identitetit politik, koketojnë me këtë frymë politike.
Në qoftë se prurjet e reja janë të pakontrolluara, ato herët ose vone, mund ta ndryshojnë identitetin e çdo subjekti!
LDK-ja dhe Dr. Rugova kanë qenë shumë herët objektivë sulmi nga grupimet antishqiptare. Kjo për faktin se RUGOVIZËM përpos tjerash domethënë përkushtim për familje të shëndoshë, shtet të fortë, ekonomi stabile të tregut, identitet dhe kulturë kombëtare, tolerancë ndaj përkatësive tjera nacionale e fetare, ndarje e fesë nga shteti, demokraci europiane dhe miqësi të përhershme me SHBA-të.
Pa dashur për ta zgjatur, mund të them se shumë nga këto segmente, sot në forma të hapura ose më të kamufluara, janë objekt i sulmeve ose i planeve për sulm! Pra, rreziku tjetër që i kanoset LDK-së është e thënë në mënyrë filozofike një lloj eklekticizmi, d.m.th. përpjekje për t’i lidhur gjerat që nuk mund të lidhen, në fillim, dhe më vonë për të ndryshuar tërë këtë begati historiko-kombëtare. Në disa komuna, ku shumicën e ka LDK-ja, hetohen këto praktika dualiste dhe eklekticiste!
Në një shoqëri ku festat fetare (krishtere apo islame) kalojnë kufijtë familjarë, ka tendencë që të shkohet kah një formë e një teokracie, së pari shpirtërore, e me pastaj kah ajo politiko- shtetërore!
Në ato shoqëri, ku zëri i minareve dhe kambanave, është më i lartë se zëri i universiteteve dhe dijes, nuk ka bereqet!
“DIELLI”: Jeni angazhuar ende ne LDK dhe si i shihni aktivitetin e LDK- në Gjermani?
Anton Kolaj: Po, unë mbes i angazhuar ne aktivitete intelektuale që organizon LDK-ja dhe klubet tjera shqiptare të rrethinë ku jetoj.
Pas zgjedhjeve të fundin të këtij viti të Nëndegës së LDK-së për NRW në Gjermani, për arsye kohe nuk kam ndonjë funksion në strukturën udhëheqëse. Domethënë jam, siç thuhet “anëtar i thjeshtë i LDK-së!”
Ka shumë anëtarë të devotshëm që organizojnë aktivitete të ndryshme kulturore etj. Mendoj se çështja e degëve jashtë duhet të analizohet, diskutohet dhe konform rregullave ligjore të vendeve europiane ku jetojnë shqiptarët, të bëhen plotësim-ndryshime në Statutin e LDK-së, ose te nxjerrët ndonjë rregullore e veçantë. Kështu do hiqeshin keqkuptimet dhe do jepej një shtytës për një ecje të mëtejme.
“DIELLI:”Ju keni pasur shumë oferta nga subjekte të ndryshme politike në Kosovë, mirëpo i keni mbetur besnik konceptit politik të LDK-së.
Anton Kolaj: Po është e vërtetë kjo që thoni. Unë ju jam mirënjohës për respektin dhe ofertat. Ishin shumë serioze dhe atraktive. Kam shumë miq në disa nga partitë politike tjera. Por, ende vazhdoj të jem në LDK.
“DIELLI:”Cili është mesazhi juaj për lexuesit e “Rrezores?”
Anton Kolaj: Të gjithë lexuesve iu dëshiroj shëndet dhe suksese në të gjitha segmentet e jetës!
-Ju faleminderit!
-Qofshi me nder!