Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes dhe Federata “Vatra” organizoi me 11 prill aktivitetin “Banda muzikore ‘Vatra’, bërthama e lindjes së QFKFA” në ora 11:00, në ambientet e QKMBM/
Nga Fatmira Nikolli/
E pres me gëzim këtë aktiv itet për stërgjyshin tim. E kanë lënë shumë kohë në harresë, vetëm sepse ai i bëri një himn mbretit Zog”. Kështu shprehet në një prononcim për “GSH”, Shpresa Stefani Nassi, pinjolle e Thoma Nassit, njeriu që themeloi bandën e parë muzikore shqiptaro-amerikane “Vatra”. Sot, ky personalitet do të dekorohet nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami me titullin “Për shërbime të shquara” në një aktivitet të posaçëm. E pyetur nëse ruan në shtëpi ndonjë objekt të themeluesit të bandës, znj. Nassi përgjigjet negativisht. “Unë e kam dëgjuar shumë vonë emrin e tij. Ime më nuk fliste për të, sepse ai kishte bërë një himn për Zogun dhe nuk e donin në kohën e komunizmit”, tregon ajo. Sipas Shpresës, ndonëse vlerat e Thoma Nassit kanë qenë të mëdha, në diktaturë emri i tij nuk qe fort i dashur. “Vetëm në vitin 1975, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të kohës ka bërë një aktivitet përkujtimor për të, por që nuk pati jehonë. Në këtë takim pat marrë pjesë im atë, por ai ka vdekur tashmë dhe nuk di t’iu them më shumë”, – shprehet me keqardhje Shpresa, që vetëm para disa vitesh ka zbuluar rrënjët e saja. Ajo shton se nuk ka foto të paraardhësit, as objekte të tijat, madje nuk ka as rrëfime të gjyshërve për Thoma Nassin. Në statusin e pasardhëses ajo do të mbajë një fjalë të shkurtër, vetëm për të falenderuar që emri i të parit të saj po del nga arkivat, pasi sipas Shpresës, ne kemi nevojë për kujtesë dhe për emra të tillë. “Stërgjyshi im, Thoma Nassi, nuk e mori kurrë atë që meritonte. Aktiviteti i sotëm le të shërbejë për diçka: t’ia përngjallë emrin e harruar dhe ta bëjë të njohur tek të rinjtë, meqë për shumë kohë u shua”, përfundon zonja Stefani-Nassi.
Himni
Por cila është historia e himnit të famshëm? Muzikologu Vaso Tole, sqaron se Thoma Nassi e shkroi atë në vitin 1925. “Në fillim mbante emrin ‘Marshi i kryetarit’ dhe në vitin 1928 kur Shqipëria u shpall mbretëri, ‘himni’ ishte gati. Nassi e pat shkruar kur Zogu ishte president”, – sqaron Tole. Ai shton se vlen të theksohet fakti që bërja atij marshi himn mbretëror, u përdor nga Zogu si një mjet kulturor për të evidentuar trashëgiminë e tij mbretërore. “Për të mos qenë i detyruar që të rrëzojë himnin kombëtar, e mbajti si atë muzikë dedikuar atij si himn mbretëror. Është e rëndësishme të theksohet se himni mbretëror nuk parashikohej në asnjë dokument ligjor, por pranohej dhe luhej si i tillë në Shqipëri”, deklaron Tole. Muzikologu tregon për “GSH” se Zogu kishte miqësi të afërt me Thoma Nassin sepse banda “Vatra” mbas 5 vitesh qëndrimi në Korçë 1920-1925, u soll në Tiranë nga Zogu, për ta bërë atë bandë presidenciale të shtetit shqiptar. “Është ky momenti që Nassi shkroi ‘Marshin e kryetarit’ dhe është po ashtu edhe çasti i institucionalizimit të të parit formacion muzikor me status shtetëror qendror. Mbasi u bë bandë presidenciale dhe me shpalljen e Shqipërisë mbretëri, banda ‘Vatra’ u bë bandë mbretërore”, tregon Vaso Tole. Sipas muzikologut, djali i Thoma Nassit, Alberti, më 1944 vritet në frontin e luftës kundër pushtuesve gjermanë, si pjesë e ushtrisë amerikane.
Aktiviteti /
Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes dhe Federata “Vatra” organizojnë sot aktivitetin “Banda muzikore ‘Vatra’, bërthama e lindjes së QFKFA” në ora 11:00, në ambientet e QKMBM. Qëllimi i këtij aktiviteti është nxjerrja në pah dhe rëndësia e krijimit të bandës “Vatra” si pararendëse e bandës kombëtare të shtetit shqiptar dhe Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura të RSH. Me këtë rast do të çelet një ekspozitë me fotografi të kësaj bande dhe të tjerave muzikore në Shqipëri. Më tej, mbahet një “Akademi Përkujtimore”, ku përshëndesin kryetari i federatës, Dr. Gjon Buçaj dhe mbesa e Thomas Nassit, znj. Shpresa Stefani- Nassi, në emër të familjarëve dhe shoqatës “Dardha”. Ceremonia do të vijojë me dekorimin për themeluesin dhe drejtuesin e bandës “Vatra”, z.Thomas Nassi dhe bandës muzikore “Vatra”, nga ministri i Mbrojtjes. Për nder të Nassit do të mbajnë kumtesa, Prof. Ethim Dodona, Frederik Stamati, Koço Gjipali dhe Ariola Prifti. Programi parashikon edhe një Mini-koncert të Orkestrës Frymore Kombëtare të Forcave të Armatosura.
Kompozitori
Thomas Gregor Nassi ishte instrumentist, dirigjent dhe kompozitor, një ndër themeluesit e jetës koncertore dhe të edukimit muzikor në Shqipëri. Lindi në Dardhë të Korçës më 23 mars 1892. Familja e tij emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 6 maj 1910 në bordin e anijes “Patris”. Nga viti 1916 deri në vitin 1918 vazhdoi studimet në Konservatorin e Muzikës, New England në Boston, Massaçusetts, duke u diplomuar në veglën e flautit. Gjatë asaj kohe, ai interpretoi me orkestrën simfonike të Bostonit si flautist dhe dirigjent ansamblesh. Krahas saj mori pjesë aktive në interpretimin e muzikës liturgjike për Kishën Ortodokse Shqiptare. Në vitin 1916 organizoi korin e parë të Katedrales Saint George, në jug të Bostonit, Massaçusetts; në vitin 1917 organizoi korin e Kishës Ortodokse, në Natick, Massachusetts. Në shtator të vitit 1917, ai organizoi dhe themeloi bandën parë shqiptare-amerikane “Vatra” në Worcester, Massaçusetts. Në vitin 1918, hyri në ushtrinë amerikane dhe u bë lideri i një bande ushtarake, në kampin Devens, Massaçusetts. Më 15 gusht 1918 ai bëri kërkesë për t’u bërë zyrtarisht qytetar i Shteteve të Bashkuara, në kampin Devens dhe profesioni i tij aty ishte “Ushtar Muzikant”. Thomas Nassi u bë zyrtarisht qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 20 shtator 1919. Në vitin 1918 ai u martua me Olympia Berishi Tsika, një këngëtare e talentuar, e cila emigroi në vitin 1916 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po nga fshati Dardhë. Djali i tyre Albert P. Nassi lindi në Masaçusets, më 26 tetor 1919 dhe vajza e tyre Madeline J. Nassi lindi po në Massaçusetts, në tetor 1920. Thoma Nassi lirohet nga ushtria amerikane në vitin 1920 dhe po në atë vit ai së bashku me bandën “Vatra” vjen në Shqipëri për të mbështetur “Luftën e Vlorës”. Bashkë me të vjen dhe familja e tij: bashkëshortja Olimpia dhe dy fëmijët e tij. Pas fitores së “Luftës së Vlorës”, banda “Vatra” udhëtoi në gjithë Shqipërinë e Jugut dhe u vendos në Korçë në vitet 1920-1925 dhe në Tiranë më 1926. Thomas dhe Olimpia Nassi organizuan sistemin shkollor të muzikës në Shqipëri dhe jetën muzikore të Korçës. Fëmija i tyre i tretë, Carmen Nassi A, lindi në Korçë, Shqipëri, në vitin 1923. Thomas Nassi u largua familjarisht nga Shqipëria në vitin 1926. Ata mbërritën në Portin e NeW York-ut, në bordin e anijes SS Duilio, më 23 maj 1926. Në vitin 1930, familja jetoi në Massaçusetts, aty ku Thomas Nassi krijoi edhe “Shkollën e Muzikës Nassi”. Vdiq në Orleans, Massaçusetts, më 24 dhjetor 1964 dhe u varros në varrezat e Orleans, pranë gruas së tij Olimpia dhe djalit Albert, rënë në betejë si pjesëtar i ushtrisë amerikane, gjatë Luftës së II-të Botërore.(Kortezi:Gazeta Shqiptare. Shkrimi u dergua per Diellin)