• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Uran Butka: Linda shkrimtar, historian më detyruan të bëhem

February 25, 2014 by dgreca

Historian kam qenë i detyruar të jem nga nevoja për të ndrequr sadopak padrejtësitë dhe falsifikimin e historisë së mëparshme tejet të politizuar, ndërsa prirjen për letërsi e kam të lindur”. Uran Butka e rrëfeu në këtë mënyrë dyzimin e tij mes historisë e letërsisë, me rastin e promovimit të librit të vet me tregime /            

 “Më në fund të lirë”. 

Për të, titulli i librit lidhet me përpjekjen e mundimshme të shqiptarëve për lirinë, e cila siç u shpreh autori, erdhi natyrisht vonë, por që edhe sot nuk është e plotë. “Shqiptarët nuk ndjehen plotësisht të lirë, sepse nuk janë të sigurt për jetën, nuk i gëzojnë plotësisht liritë e të drejtat e njeriut, nuk e gëzojnë ende pronën, nuk funksionon shteti ligjor, sidomos drejtësia e të tjera”, tha Butka. Autori i librit me tregime, nënvizoi se tipari që e dallon krijimtarinë e tij, prej të tjerëve është sjellja e imazhit letrar përgjithësisht nëpërmjet vuajtjes, jo të trishtë e pa shpresë, po vuajtjes së hapur, vuajtjes së bukur. “Vuajtja, kur e përballon, kur nuk të vret, kthehet në një pasuri të madhe, të bën më të fuqishëm e më të thellë. Jeta ime e vështirë ma ka mundësuar këtë pasuri. Shto këtu edhe vuajtjet e të tjerëve, me të cilat jam angazhuar apo shkrirë gjatë këtyre njëzet e kusur vjetëve”, sqaroi autori, duke shtuar se, -“vuajtje që të dhemb gjer në palcë, por që të shtyn ta mposhtësh, të nxit të luftosh, të jetosh, të gëzosh, madje edhe të qeshësh e të bësh humor. Puna është sesi ta kthesh këtë vuajtje në art të vërtetë. Kjo ka të bëjë me mjeshtërinë e shkrimtarit. Këtu fillon edhe brenga tjetër, ajo drithëruesja e krijuesit, nga e cila përftohet imazhi”.
Sa i takon dyzimit historian-shkrimtar, Butka theksoi se u detyrua të bëhej historian, për të trajtuar objektivisht ngjarje e personalitete historike të denigruara e të përbaltura apo fare të patrajtuara, por mbi bazën e dokumenteve të reja të arkivave shqiptare e të huaja. “Një popull që nuk njeh historinë e tij, nuk orientohet dot nga e ardhmja. Kjo fushë ka të bëjë me shpirtin, me ndjesitë dhe imazhet që përcillen artistikisht. Historia dhe letërsia janë dy botë të ndryshme, që e ushqejnë mirë njëra-tjetrën, por edhe e dëmtojnë nëse përdorin të njëjtat mjete”, tha ai. Në fund, autori tregoi se për historinë punon në çdo kohë, mes zhurmave, njerëzve, pluhurit të arkivave, luftës me të tjerët, ndërsa kur shkruan letërsi, duhet të jetë krejtësisht i qetë, i vetmuar, i ngërthyer në vuajtjen e krijuesit, brenda vetes dhe në luftë me veten.
Kritika
Për librin e tij folën edhe dashamirës të letërsisë, shkrimtarë e pedagogë. Shkrimtari Teodor Laço kumtoi se autori sjell një mënyrë origjinale procedimi, që modelin letrar e përcjell nëpërmjet përjetimeve të tij emocionale, që do të thotë, se atë që shkruan, e ka prekur dhe e ka ndjerë vetë, e ka përjetuar thellë nëpërmjet kontaktit me jetën dhe nëpërmjet kontaktit me historinë, e cila është ndihmëse e shkëlqyer për autorin. “Disa tregime i lë të hapura si ‘Peizazh vjeshte’, ‘Tryeza’, ‘Sytë e Xhirafës’, ‘Muret’, gjetje të bukura, që të kujtojnë procedimin e O.Henrit. Do të veçoja tregimin ‘Basti’ që më ka tronditur. I denjë për penën e Solzenicinit. Një tregim jashtëzakonisht tronditës dhe i arritur artistikisht”, tha Laço.
Një analizë më të thellë shpërfaqi shkrimtari Agron Tufa, i cili kujtoi që Butka ka qenë një politikan aktiv i së djathtës shqiptare me një vizion historik e bashkëkohor për tërësinë e pandashme në fatin historik, të kaluarën e të tashmen e përbashkët dhe ëndrrën e përbashkët të një perspektive moderne properëndimore. “Ndoshta me një ndikim vendimtar kanë qenë studimet e tij historike, veprat monografike e tematike si historian kontestator i linjës së historiografisë sonë zyrtare, duke provuar me një faktografi të dendur falsitetin, manipulimin dhe kursin e përqendruar të vazhdimësisë së trashëgimisë enveriste të historisë edhe në ditët tona”, nxori në pah Tufa.
Ai u rikthye te kontributi si shkrimtar i Butkës kur tha se materia e tregimeve të tij është e thjeshtë, e kapshme, e përfytyrueshme në përjetim, e kjo është dhe arsyeja se pse të mbeten gjatë në kujtesë.
“Po ta shohësh artin e tregimit të Butkës, ai duket se nuk pretendon të çudisë askënd; madje ke përshtypjen sikur ai është i zënë me zgjidhjen e një farë enigme, njëfarë habie, që e ka torturuar. Është një pëshpëritje me veten apo një kallëzim në mirëbesim, siç ndodh të qahen hallet me dikë të ngjashëm, për një përvojë të njohur e të bashkëjetuar”,- u shpreh Tufa. Studiuesi shtoi se në tregimet e Uranit nuk ka vetëm rrëfim, pasi shpesh përvojat e tij mobilizojnë një linjë që nëpërduket qartë në të gjitha librat, një përvojë rrëfimi të tregimit pa syzhet, i cili ushqehet me spontanitetin e situatës, përjetimit, kujtesës së një pengu të vjetër, si në tregimin “Vjeshta e tretë”, duke krijuar efektin e një tabloje psikologjike, në të cilën zbulohet metafora ose metaforizmi vetëm nga një vështrim i tërësishëm i detajeve. Për të, koloriti i mimikës, ripërtëritja ose ngrysja e natyrës shkrin së bashku një rrjedhë meditative të jetës që kalon dhe të pengut që ka mbetur, po ai që ka qenë, përkundër ndryshimeve të thella që ka bërë koha me njeriun. Të njëjtën strukturë vegimi kanë dhe tregimet pa syzhet si “Ikja”, “Shiu”, “Ligjvënësi”, “Dilema”, “Maloja”, “Radhët”, “Këpucët”, etj.
Ndërkaq, Floresha Dado, teoriciene e letërsisë, theksoi se në vëllimin me tregime të Butkës bie fort në sy intuita e shkrimtarit për të kapur detajin, që është tepër ekspresiv dhe që i jep dorë për zhvillimin e problematikave, apo të zgjidhjeve. Në këtë vëllim ka tregime shumë interesante, madje dukshëm sheh një rritje cilësore, krahasuar me vëllimet e mëparshme.
“Ai, ai i bën një shërbim të madh kulturës shqiptare, duke e zbuluar historinë dhe pastaj, në fazën e dytë, kalon në estetizim të saj. Duhet që patjetër të të krijojmë një marrëdhënie të shëndetshme me historinë tonë kombëtare dhe më vjen mirë që kjo ndodh në librat e Butkës dhe kultivohet në letërsinë shqiptare”, do të vinte në dukje Mark Marku, analist i njohur.
Sakaq, për kritikun Bashkim Kuçuku “Urani është shfaqur qysh në krye, si shkrimtar i angazhuar. Ai sjell anën tjetër të medaljes, atë të panjohur, duke thënë të vërtetën me humanizëm dhe art. Urani ka linjën e realizmit. Butka është nga ata shkrimtarë që e ka këtë stil realist, që është njëherësh, shtrati më i mirë i çdo letërsie të vërtetë”.
Ndërsa shkrimtari Lazër Stani, tha se duke lexuar tregimet e Butkës, ne nuk e shtrojmë pyetjen se ç’ishte diktatura. Por rrëfimet e Butkës, me fuqinë e tyre, shtrojnë pyetjen: Ç’është njeriu? Sepse njeriu është një qenie komplekse, pjesë e genit dhe racës njerëzore, me të mirat e të këqijat, me vetëdijen, por edhe me instinktet shtazarake. Si çdo libër, edhe ky të shtyn në një reflektim: Ajo betejë e përjetshme, nuk ka të bëjë vetëm me komunizmin, por është e vjetër sa vetë jeta, qysh në ekzistencën njerëzore. Ajo betejë e përjetshme ndërmjet të mirës e të keqes dhe ajo kosto e përjetshme, që paguan raca njerëzorë në këtë përballje, jepet realisht dhe fuqishëm. Merita e Butkës është se nga mijëra histori, ai di të zgjedhë dhe di t’i kthejë në art, histori që flasin shumë e mbeten gjatë në memorien e lexuesit dhe që ia vlen të lexohen.
Shkrimtari Visar Zhiti u përqendrua te krahasimi, kur tha se “ishim në një kohë që nuk lejohej kujtesa, dokumenti. Uran Butka këtë gjë po bën: Po jep kohën, kujtesën, dokumentin, imazhin, kaq të rëndësishme për historinë dhe letërsinë”.
Zhiti, teksa vuri në dukje se bën pjesë tek ata njerëz që besojnë se letërsia pas ’90-ës po bëhet më e mençur, më e mirë, më e vetvetishme, tha se Butka ka spikatur dhe ka udhëhequr në këtë letërsi. “Bën pjesë në majat e të sotmes. Tregimet e shkurtra, me një buzëqeshje çehoviane, janë të dhimbshme, por jo të hidhura, nuk janë cinike, por janë brengosëse, tek shpalosin një mirësi, një mirësi të madhe, që mungon aq shumë në kohën tonë”,-përfundoi ish-ministri.
E në fund, foli Bardhyl Londo, duke theksuar se i kishte bërë përshtypje struktura e librit. “Ai hapet me një tregim, me një temë të përjetshme, njerëzore, që e kemi të gjithë në zemër. Tregimet e Uranit vijnë nga vuajtja e tij dhe e shoqërisë njerëzore. Tregimi që më ka pëlqyer më shumë, është “Fotografi”, një tregim me të vërtetë çehovian, ndërsa tregimi “Basti”, një tregim që, nëpërmjet një fabule të thjeshtë, sjell një dramë të jashtëzakonshme njerëzore. Ky është thelbi i krijimtarisë së Uran Butkës”, -deklaroi Londo(Kortezi:Fatmira Nikolli- G Shqiptare.)

Filed Under: Kulture Tagged With: Fatmira Nikolli, Historian, Linda shkrimtar, me detyruan, Uran Butka

Histori komunistesh- Vasfi Baruti: Nexhmija dhe Enveri vrane Qemal Stafen

July 27, 2013 by dgreca

Nga Fatmira Nikolli/

Vasfi Baruti e konsideron një “dekorim” të mbuluar me mister vdekjes e Qemal Stafës. Sipas tij, në studimin “Ever Hoxha në optikë të re” vjen një riparje disi ndryshe sepse krimi misterioz ndonjë gjurmë e la… “Atë po e sjellim, sido që e mbuluar me tisin e gati 70 viteve të shkuara. Shkrimtari Nasho Jorgaqi, në librin Qemal Stafa, ka një rrëfim të Nexhmije Hoxhës për natën duke u gdhirë 5 maj, kur u vra Qemali”.

RRËFIMI I NEXHMIJES 
Nexhmija e ka rrëfyer në dy mënyra natën e fundit të jetës së heroit. Sipas rrëfimit të parë, atë natë të fundit ajo ka qenë me të, dhe sipas rrëfimit të dytë, ajo ka qenë me të, jo më 4 maj, por në fillim të majit… Rrëfimi i parë:”Në mbrëmjen e 4 majit Qemal Stafa shkoi në shtëpinë nr. 66, në rrugën e Shën Gjergjit. Atë natë bëhej mbledhja e zakonshme e KQ të Rinisë dhe e Komitetit Qendror të Rinisë së Tiranës”. Sipas saj, gjatë orëve të territ, kalonin si shumë shpesh patrullat dhe mbledhja zgjati deri në mëngjes. Ishte 5 maj, dita që do të shkonte për në Vlorë Stafa”. Por, në ribotimin e tretë të librit “Qemal Stafa”, i përmirësuar, shkrimtari Nasho Jorgaqi vjen me tjetër rrëfim të Nexhmije H., e cila nuk është më me Qemalin bashkë natën e 4 majit duke u gdhirë 5 maj, ndryshe nga rrëfimi në botimet e mëparshme që natën e 5 majit deri në mëngjes e kaluan bashkë dhe në këtë rrëfim ndryshe është dyshimi.

“Aty nga fillimi i majit, Qemali bëri mbledhjen e zakonshme të Komitetit Qendror të Rinisë dhe të Komitetit Qarkor të Rinisë për Tiranën. Kishin ardhur të gjithë dhe ishin mbledhur në një dhomë të bazës ilegale…. Para se të fillonte nga puna Qemali, siç e kishte zakon, bisedoi e bëri shakara duke treguar ndonjë anekdotë që vinte në lojë fashizmin. [..j Atë natë, – tregon për këtë Nexhmije Hoxha, – kalonin si shumë shpesh patrullat dhe mbase nga zhurma e çizmeve të tyre të rënda, të shqetësuar lehnin qentë e mëhallës”….Sipas këtij rrëfimi, Stafa në mëngjes mësohet të ketë thënë se “kjo ditë s’është akoma e jona. E dini, – tha duke qeshur me entuziazëm, – kur të vijë dita jonë, ja kështu siç jemi do të dalim në bulevard e do të këndojmë e do të thërrasim deri në mëngjes”. Dhe më tej shkrimtari vazhdon: Mbledhja zgjati deri në mëngjes. Qemali atë natë nuk fjeti fare dhe kjo ishte e zakonshme në jetën e tij prej ilegali [ … ] Ditën e fundit, më 4 maj, ai u kthye në shtëpinë e patriotit Hysen Dashi, baza nr. 66 në Rrugën e Shëngjergjit. Këtu Qemali u takua me shokun Enver…

RRËFIMI I ENVERIT
Një tjetër version vjen nga bashkëshorti i Nexhmijes sipas Barutit. Studiuesi shkruan në librin e tij se Enver H. Në botimin “Kur lindi Partia”, dhjetë vjet nga botimi i librit “Qemal Stafa”, sjell për herë të parë kujtimet e natës së fundit, duke aguar dita e 5 majit, me përfundimin se ishte ai vetë me Qemalin natën duke u gdhirë 5 maji, kur do të vritej Qemali: “Dita e fundit e pjekjes time me Qemalin ishte më 4 maj. U poqëm në bazën nr.66, në rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit. Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Unë po përgatitja një leksion për Ushtrinë e Kuqe, Qemali përgatitej se te nesërmen, në mëngjes, duke gdhirë 5 maj, do të nisej për në Vlorë. Ramë e fjetëm afër njëri-tjetrit, në një minder të mbuluar me batanije. Në mëngjes u përqafuam dhe u ndamë. Ai u nis për në Vlorë, unë për një mbledhje me shokë…”

Hoxha vazhdon duke u shprehur se si mund të mendonte se e puthi dhe e shtrëngoi për herë të fundit në kraharor shokun, nga më të mirët e Partisë, shokun dhe bashkëluftëtarin e tij të dashur Qemal Stafën?! “Në bazën ku isha erdhi një shok, dhe duke qarë më tha: Armiku na vrau Qemal Stafën. Vura duart në kokë dhe nuk i mbajta dot lotët. Ku e vranë, i thashë. Në Tiranë, më tha shoku, – në një shtëpi në bregun e lumit të Tiranës. U ngrita në këmbë dhe me shpresë i thashë: S’duhet të jetë e vërtetë. Qemali që në mëngjes u nis për në Vlorë. Për këtë jam i sigurt, mos e besoni se armiku hap parulla. Mjerisht, – më tha shoku, – kjo është e vërtetë. Qemali ra duke luftuar, ra heroikisht dhe mbrojti tërheqjen e shokëve që shpëtuan…”, shkruante Enveri.

E VËRTETA SIPAS BARUTIT
Studiuesi, pas krahasimit të këtyre versioneve, shkruan se kujtimet e Nexhmije H. për kalimin e natës së fundit me Qemal Stafën e që ishin bashkë deri mëngjes herët të datës 5 maj, janë po ato, por me një dallim në lëvizje në kohë. Në ribotimin e ri të Qemal Stafës (1983) Nexhmija s’është më me Qemalin natën e 4-5 majit, siç shkruhet në dy botimet para të Qemalit, por me Qemalin ka qenë bashkë katër-pesë ditë më parë se nata e 4-5 majit!

PYETJET 
Baruti vëren se në këtë ndërrim kohe ka një mister, Pse Enveri bën protagonistin e takimit me Qemal Stafën natën e fundit të jetës kur protagoniste e vërtetë atë natë 5 maji ishte Nexhmije H?! “Kjo është një nyje në historinë e krimit ndaj Qemal Stafës”,shkruan Baruti. Sa i takon shtëpisë ku Stafa kaloi natën e fundit të jetës, sipas vetë Hoxhës, ajo ka qenë shtëpi e vogël përdhese, me dy dhoma të ndara në mes nga një korridor i ngushtë. Ai ka rrëfyer se s’kishte as 5-6 ditë që ajo shërbente si bazë për shokët ilegalë. “Ishte një nga bazat e reja që qenë marrë pas zbulimit të bazave të vjetra. Po si bazë e re ishte akoma e pa provuar mirë. […} Qemali vinte për herë të parë në këtë bazë”, tregonte Enveri. Pas kësaj, Baruti shkruan se përgjegjësinë për sigurinë e bazave ilegale të Tiranës e kishte vetë Enveri, i njohur sekretar politik i Qarkorit të Tiranës dhe siguria e bazës ilegale ku do të ishte Qemal Stafa, nga e cila do të nisej për në Vlorë, pritej të ishte merak i madh i Enverit, por ja që gjendej një bazë e “pa provuar mirë” dhe kjo bazë assesi s’duhej zgjedhur për Qemal Stafën. “Gishti drejtohet tek Tarasi sepse vrasja e Qemalit ndodhi pikërisht në këtë bazë të paprovuar mirë ndaj dhe pyetja që rri gjithnjë pezull është: Pse Qemalit i caktohej kjo bazë e paprovuar mirë! Përse? Dhe përse-ja është për Enver H. po edhe për Nexhmije H.”, -shënon studiuesi në librin e tij “Enver Hoxha në optikë të re”.

Sipas Barutit, baza ilegale e zgjedhur për Qemal Stafën s’kishte asnjë element sigurie, ishte e pasigurtë për nga pozicioni ku ishte vendosur dhe mjedisi që e rrethonte atë. “… Por si bazë e re [ilegale] ishte akoma e paprovuar mirë. Për më tepër shtëpia ndodhej përballë kazermave italiane dhe në një vend të zhveshur”, thuhet në librin “Qemal Stafa”. Shtëpia e gjetur për bazë ilegale është në një vend të zhveshur, për rreth saj s’kishte asnjë kaçube, asnjë pemë, asnjë mur, asnjë shtëpi, që të mund të ishin si ndihmë. Nga pozicioni i bazës ilegale në rast rreziku gjendeshe në vend të hapur që kapej nga breshëria e parë e plumbave dhe vërtetë kështu ndodhi me Qemalin. “Me këtë pakujdesi zgjidhej baza ilegale e Qemalit – nga shokët më kryesorë të Partisë, Enveri vetë! Dhe vrasja e Qemalit erdhi pikërisht në këtë bazë ilegale të pasigurtë, “në një vend të zhveshur dhe përballë kazermave italiane, ndaj sërish pyetja: Përse bazë ilegale e Qemalit zgjidhej një bazë kaq e pasigurtë? Dhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për këtë e ka Tarasi!”, konstaton Baruti. Sipas tij, me Qemalin në bazë ilegale ishte dhe Kristo Themelko dhe disa shoqe të tjera dhe të gjithë shpëtuan por Qemalin e rrëmbyeri plumbat. Shoqet u kapën nga karabinierët e Themelko mundi t’u shpëtonte plumbave dhe është shumë e dyshimtë si mund të shpëtonte në atë mjedis të hapur pa asnjë mbrojtje! Sigurisht që s’mund të shpëtonte!

TË DYSHUAR
Baruti shënon se Enveri dhe Themelko janë dy të dyshuar të mëdhenj! Ai ka vënë në libër edhe një dëshmi të Kiço Ngjelës, rrëfyer pak kohë para vrasjes. Sipas Ngjelës, Hoxha ishte gjithmonë i fshehtë dhe se në ato kohëra të vështira në Tiranë, ai (Enver H) asnjëherë nuk të shihte në sy, ose edhe po të shihte të këqyrte për të parë nëse mund të besonte ose jo, ndonëse ai kurrë … nuk besonte njeri. “Kishte një ngërç në të folur dhe bisedën e bënte me hope, por gjithmonë ishte shumë i vëmendshëm… I pari që ia kapi këtë natyrë ishte Qemal Stafa. Ai e kuptoi e muajt e fundit donte ti shmangej gjithmonë”, ka treguar Ngjela. Madje ai shprehej se “ka tepër mundësi që të kenë pasur ndonjë përplasje të ashpër me njëri-tjetrin (Hoxha-Stafa), sepse në këtë kohë, ndoshta një muaj para se të vritej, Qemali më tha: Kiço, unë jam i vetmuar dhe të gjithë jemi të rrezikuar […] Nuk e kuptova dot asnjëherë këtë bisedë të fundit me Qemal Stafën dhe, pas vrasjes së tij asnjë herë nuk e largova nga mendja”. Ndërkaq, sipas Barutit, për Stafën ka edhe një prurje tjetër nga Kastriot Myftaraj. Në librin e tij shumë vëllimësh ai vjen me burime arkivore se Qemal Stafa duket kishte rënë në kthetrat e OVRA-s sekrete fashiste dhe autori Enverin e trajton si protagonist në vrasjen e Qemalit. Familjarë të Qemal Stafës janë shprehur se Enver H. nuk vajti asnjëherë në ditën e dëshmorëve apo në kohë tjetër në shtëpinë e Qemal S. dhe kjo shpjegohet vetëm me një arsye të fortë.

PËRFUNDIMET
Ka disa pyetje që shtron në fund Baruti. Përse Nexhmija dhe Enveri ndërrojnë vend e kohë natën e 4-5 majit? Përse Qemalit i rezervohet një bazë ilegale e paprovuar mirë më parë? Përse Qemalin e dërgojnë në një bazë ilegale të pasigurtë për nga pozicioni? Përse Qemali nuk qëndroi në bazën e sigurt nr. 66, ku ishte Enveri? Përse e si shpëtoi Kristo Themelko, që as zogu s’mund ti shpëtonte plumbit të fashistëve në atë bazë të zbuluar? Përse Enveri s’shkeli asnjëherë në shtëpinë e familjarëve të Qemal Stafës, siç e kishte zakon që shkonte në familjet e dëshmorëve ditët e festave kombëtare? Dhe rastësi është që Enveri qe i fundit që ishte me Vojo Kushin në bazën ilegale të tij dhe fare pak kohë pas largimit të tij Vojo rrethohet e vritet me tre shokët e tij? Nga pyetjet e përgjigjet e tyre Enveri s’shpresohet të marrë certifikatë ndershmërie për vrasjen e Qemal Stafës.
(Kortezi: Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Filed Under: Komente Tagged With: dhe nexhmija, Enver Hoxha, Fatmira Nikolli, Qemal Stafen, Vasfi Baruti, vrane

Thoma Nassi: Mbesa: U la në hije se i bëri himn mbretit Zog

April 11, 2013 by dgreca

Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes dhe Federata “Vatra” organizoi me 11 prill aktivitetin “Banda muzikore ‘Vatra’, bërthama e lindjes së QFKFA” në ora 11:00, në ambientet e QKMBM/

Nga Fatmira Nikolli/

E pres me gëzim këtë aktiv itet për stërgjyshin tim. E kanë lënë shumë kohë në harresë, vetëm sepse ai i bëri një himn mbretit Zog”. Kështu shprehet në një prononcim për “GSH”, Shpresa Stefani Nassi, pinjolle e Thoma Nassit, njeriu që themeloi bandën e parë muzikore shqiptaro-amerikane “Vatra”. Sot, ky personalitet do të dekorohet nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami me titullin “Për shërbime të shquara” në një aktivitet të posaçëm. E pyetur nëse ruan në shtëpi ndonjë objekt të themeluesit të bandës, znj. Nassi përgjigjet negativisht. “Unë e kam dëgjuar shumë vonë emrin e tij. Ime më nuk fliste për të, sepse ai kishte bërë një himn për Zogun dhe nuk e donin në kohën e komunizmit”, tregon ajo. Sipas Shpresës, ndonëse vlerat e Thoma Nassit kanë qenë të mëdha, në diktaturë emri i tij nuk qe fort i dashur. “Vetëm në vitin 1975, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të kohës ka bërë një aktivitet përkujtimor për të, por që nuk pati jehonë. Në këtë takim pat marrë pjesë im atë, por ai ka vdekur tashmë dhe nuk di t’iu them më shumë”, – shprehet me keqardhje Shpresa, që vetëm para disa vitesh ka zbuluar rrënjët e saja. Ajo shton se nuk ka foto të paraardhësit, as objekte të tijat, madje nuk ka as rrëfime të gjyshërve për Thoma Nassin. Në statusin e pasardhëses ajo do të mbajë një fjalë të shkurtër, vetëm për të falenderuar që emri i të parit të saj po del nga arkivat, pasi sipas Shpresës, ne kemi nevojë për kujtesë dhe për emra të tillë. “Stërgjyshi im, Thoma Nassi, nuk e mori kurrë atë që meritonte. Aktiviteti i sotëm le të shërbejë për diçka: t’ia përngjallë emrin e harruar dhe ta bëjë të njohur tek të rinjtë, meqë për shumë kohë u shua”, përfundon zonja Stefani-Nassi.
Himni 
Por cila është historia e himnit të famshëm? Muzikologu Vaso Tole, sqaron se Thoma Nassi e shkroi atë në vitin 1925. “Në fillim mbante emrin ‘Marshi i kryetarit’ dhe në vitin 1928 kur Shqipëria u shpall mbretëri, ‘himni’ ishte gati. Nassi e pat shkruar kur Zogu ishte president”, – sqaron Tole. Ai shton se vlen të theksohet fakti që bërja atij marshi himn mbretëror, u përdor nga Zogu si një mjet kulturor për të evidentuar trashëgiminë e tij mbretërore. “Për të mos qenë i detyruar që të rrëzojë himnin kombëtar, e mbajti si atë muzikë dedikuar atij si himn mbretëror. Është e rëndësishme të theksohet se himni mbretëror nuk parashikohej në asnjë dokument ligjor, por pranohej dhe luhej si i tillë në Shqipëri”, deklaron Tole. Muzikologu tregon për “GSH” se Zogu kishte miqësi të afërt me Thoma Nassin sepse banda “Vatra” mbas 5 vitesh qëndrimi në Korçë 1920-1925, u soll në Tiranë nga Zogu, për ta bërë atë bandë presidenciale të shtetit shqiptar. “Është ky momenti që Nassi shkroi ‘Marshin e kryetarit’ dhe është po ashtu edhe çasti i institucionalizimit të të parit formacion muzikor me status shtetëror qendror. Mbasi u bë bandë presidenciale dhe me shpalljen e Shqipërisë mbretëri, banda ‘Vatra’ u bë bandë mbretërore”, tregon Vaso Tole. Sipas muzikologut, djali i Thoma Nassit, Alberti, më 1944 vritet në frontin e luftës kundër pushtuesve gjermanë, si pjesë e ushtrisë amerikane.

Aktiviteti /

Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes dhe Federata “Vatra” organizojnë sot aktivitetin “Banda muzikore ‘Vatra’, bërthama e lindjes së QFKFA” në ora 11:00, në ambientet e QKMBM. Qëllimi i këtij aktiviteti është nxjerrja në pah dhe rëndësia e krijimit të bandës “Vatra” si pararendëse e bandës kombëtare të shtetit shqiptar dhe Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura të RSH. Me këtë rast do të çelet një ekspozitë me fotografi të kësaj bande dhe të tjerave muzikore në Shqipëri. Më tej, mbahet një “Akademi Përkujtimore”, ku përshëndesin kryetari i federatës, Dr. Gjon Buçaj dhe mbesa e Thomas Nassit, znj. Shpresa Stefani- Nassi, në emër të familjarëve dhe shoqatës “Dardha”. Ceremonia do të vijojë me dekorimin për themeluesin dhe drejtuesin e bandës “Vatra”, z.Thomas Nassi dhe bandës muzikore “Vatra”, nga ministri i Mbrojtjes. Për nder të Nassit do të mbajnë kumtesa, Prof. Ethim Dodona, Frederik Stamati, Koço Gjipali dhe Ariola Prifti. Programi parashikon edhe një Mini-koncert të Orkestrës Frymore Kombëtare të Forcave të Armatosura.

Kompozitori

Thomas Gregor Nassi ishte instrumentist, dirigjent dhe kompozitor, një ndër themeluesit e jetës koncertore dhe të edukimit muzikor në Shqipëri. Lindi në Dardhë të Korçës më 23 mars 1892. Familja e tij emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 6 maj 1910 në bordin e anijes “Patris”. Nga viti 1916 deri në vitin 1918 vazhdoi studimet në Konservatorin e Muzikës, New England në Boston, Massaçusetts, duke u diplomuar në veglën e flautit. Gjatë asaj kohe, ai interpretoi me orkestrën simfonike të Bostonit si flautist dhe dirigjent ansamblesh. Krahas saj mori pjesë aktive në interpretimin e muzikës liturgjike për Kishën Ortodokse Shqiptare. Në vitin 1916 organizoi korin e parë të Katedrales Saint George, në jug të Bostonit, Massaçusetts; në vitin 1917 organizoi korin e Kishës Ortodokse, në Natick, Massachusetts. Në shtator të vitit 1917, ai organizoi dhe themeloi bandën parë shqiptare-amerikane “Vatra” në Worcester, Massaçusetts. Në vitin 1918, hyri në ushtrinë amerikane dhe u bë lideri i një bande ushtarake, në kampin Devens, Massaçusetts. Më 15 gusht 1918 ai bëri kërkesë për t’u bërë zyrtarisht qytetar i Shteteve të Bashkuara, në kampin Devens dhe profesioni i tij aty ishte “Ushtar Muzikant”. Thomas Nassi u bë zyrtarisht qytetar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 20 shtator 1919. Në vitin 1918 ai u martua me Olympia Berishi Tsika, një këngëtare e talentuar, e cila emigroi në vitin 1916 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po nga fshati Dardhë. Djali i tyre Albert P. Nassi lindi në Masaçusets, më 26 tetor 1919 dhe vajza e tyre Madeline J. Nassi lindi po në Massaçusetts, në tetor 1920. Thoma Nassi lirohet nga ushtria amerikane në vitin 1920 dhe po në atë vit ai së bashku me bandën “Vatra” vjen në Shqipëri për të mbështetur “Luftën e Vlorës”. Bashkë me të vjen dhe familja e tij: bashkëshortja Olimpia dhe dy fëmijët e tij. Pas fitores së “Luftës së Vlorës”, banda “Vatra” udhëtoi në gjithë Shqipërinë e Jugut dhe u vendos në Korçë në vitet 1920-1925 dhe në Tiranë më 1926. Thomas dhe Olimpia Nassi organizuan sistemin shkollor të muzikës në Shqipëri dhe jetën muzikore të Korçës. Fëmija i tyre i tretë, Carmen Nassi A, lindi në Korçë, Shqipëri, në vitin 1923. Thomas Nassi u largua familjarisht nga Shqipëria në vitin 1926. Ata mbërritën në Portin e NeW York-ut, në bordin e anijes SS Duilio, më 23 maj 1926. Në vitin 1930, familja jetoi në Massaçusetts, aty ku Thomas Nassi krijoi edhe “Shkollën e Muzikës Nassi”. Vdiq në Orleans, Massaçusetts, më 24 dhjetor 1964 dhe u varros në varrezat e Orleans, pranë gruas së tij Olimpia dhe djalit Albert, rënë në betejë si pjesëtar i ushtrisë amerikane, gjatë Luftës së II-të Botërore.(Kortezi:Gazeta Shqiptare. Shkrimi u dergua per Diellin)

Filed Under: Kulture Tagged With: banda e vatres, Fatmira Nikolli, Thoma Nassi

Artikujt e fundit

  • AT SHTJEFËN GJEÇOVI DHE DR. REXHEP KRASNIQI, APOSTUJ TË IDESË PËR BASHKIM KOMBËTAR
  • Marjan Cubi, për kombin, fenë dhe vendlindjen
  • Akademik Shaban Sinani: Dy popuj me fat të ngjashëm në histori
  • THE CHICAGO TRIBUNE (1922) / WOODROW WILSON : “NËSE MË JEPET MUNDËSIA NË TË ARDHMEN, DO T’I NDIHMOJ SËRISH SHQIPTARËT…”
  • SHQIPËRIA EUROPIANE MBRON HEBRENJTË NË FUNKSION TË LIRISË
  • KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES (21-31 JANAR 1920) 
  • Një zbulim historik ballkanik
  • VATRA DHE SHOQATA E SHKRIMTARËVE SHQIPTARO-AMERIKANË PROMOVOJNË NESËR 4 VEPRA TË PROF. BESIM MUHADRIT
  • Që ATDHEU të mos jetë veç vend i dëshirës për të vdekur…
  • KAFE ME ISMAIL KADARENË
  • Kosova paraqet mundësi të shkëlqyeshme për investime
  • PARTIA NUK ËSHTË ATDHEU, O KOKËSHQOPE
  • 50 VJET VEPRA POETIKE KADARE
  • IT’S NOVEMBER 28TH
  • Një arritje për shqiptarët në Michigan

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT