Satirë buxheliane nga Arben Iliazi
Hall i madh na ka gjetur ne shqiptarëve, nuk zgjedhim dot presidentin e ri të Amerikës. I harruam të gjitha: vrasjet (pa dashje) në mes të lokaleve, vapën, gjobat, mushkonjat, plazhet, turistët, dritat, sigurinë ushqimore…I madh e i vogël, media e portale, qytetarë e katundarë, të martuar e beqarë, me sy të mbërthyer te Shtëpia e Bardhë! Kanë filluar edhe bastet on line. Kush do fitojë? Pashë ç’pashë edhe unë, meqë nuk duroja dot, i hipa aeroplanit dhe u detyrova të bëj një vizitë kortezie në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. T’i japim një dorë Amerikës së ngratë të gjejë një president për të qenë, thashë me vete. Sa shkela në sheshet dhe trotuaret e New Jorkut, vetëm këngë shqiptare: “Dy dele, dy dele treqind pare”, “Merre moj, merre plakun-o / Qyqja moj, ç’ta du plakun-o/ Kur kam në shtëpi plakën-o”…“
“Mo po, amerikanët janë këta që i këndojnë plakut dhe plakës, apo shqiptarët? – pyeta një malësor me qeleshe. Le, pastaj, po t’u hidhje një sy posterave, reklamave, të tëra në shqip! Të merrte malli të dëgjoje një këngë amerikane, të shikoje një film, apo një shfaqje teatrale të tyre. Ç’të them më tej për emrat e mbiemrat e tregtarëve e kioskaxhinjve? Jo Xhafë, por Xheferson. Jo Beqo, por Begson, jo Gjergj, por Xhorxh.
Të nesërmen shkova drejt e në Shtëpinë e Bardhë, ashtu pa lajmëruar fare. Sidoqoftë pritja qe shumë e ngrohtë. Presidenti Biden, ende në krye të detyrës, sapo i thanë se ka ardhur një shqiptar, doli te dera, hapi krahët dhe më tha: “Hello sir! What news do we have from Albania”? Sipas zakonit amerikan, më pyeti pa humbur kohë: “Si jeni, si shkoni, si i keni gratë, po burrat? Bëmë muhabet sa u lodhëm, i qamë hallet e Amerikës, por harruam ato të Shqipërisë…
Me shumë takt i paraqita vërejtjet dhe sugjerimet e shqiptarëve për rrugën që duhet të ndjekë Amerika në momentet historike para zgjedhjeve. “Po aman, ore, pse kaq vonë?”, ndërhyri zëdhënësi i Departamentit. “Ne jemi në pikë të hallit. Presidenti sapo është tërhequr nga nominimi dhe ka propozuar Kamelën. Po zihemi me njëri-tjetrin…Si të duket Kamela? A keni ndonjë sugjerim, si të shpëtojmë procesin e zgjedhjes së Presidentit?
-Amani, ore, pse ziheni? Please? – i thashë duke iu lutur. Ne le të hamë edhe bar, vetëm ju mos u zini. E kam një sugjerim, por s’di a do ta pranoni: Zgjidhni një shqiptar që ka lindur këtu dhe mbyllet sherri. Shqiptarët duan më shumë Amerikën se sa vetveten. Kanë edhe një avantazh që nuk lajthisin kollaj…se kanë pirë ujë bjeshke….Zëdhënësi ngriti supet, ndërsa presidenti më pa si i shastisur dhe, ashtu si në jerm, më përcolli gjer tek dera me dorën në qafë. “Thank you, sir! Ju lutem, kujdes lidhëset e këpucëve, se do ngatërroheni kur të dilni dhe mund të rrëzoheni nga shkallët”. Vërtet, gati u rrëzova tek po zbrisja. Tani po hidhem një vrap deri te Trampi. Mbase i dëgjon më mirë këshillat tona tani që e ka veshin të shpuar…