
Dr. Lulzim Nika/
(Në përkujtim të dëshmorëve
Sahit Shala, Enver e Shani Morina)
Sot kujtojmë me nderim tre dëshmorët, të cilët së bashku me mijëra demonstrues u ballafaquan me forcat e njësisë speciale të ish-shtetit kriminal jugosllav. Ata ranë dëshmorë në rrugën, e cila do të shpinte drejt çlirimit të vendit, në rrugën e sakrificës, nderit dhe lavdisë.
Në këtë ditë ishin plagosur edhe shumë demonstrues që kishin arritur atë ditë nga të gjitha fshatrat e Drenicës.
Drenica me historinë e lavdishme të rezistencës dhe luftës për liri, gjatë historisë do të dëshmonte se ishte vatër e përhershme e rezistencës për liri.
Qytetarët e komunës së Drenasit para 34 vitesh, iu bashkuan protestave masive anekënd Kosovës kundër apartheidit dhe gjenocidit qe ushtronin forcat fashiste jugosllave kundër popullsisë shqiptare ne Kosovë dhe hapësirat shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia.
Ndërsa, Drenasi ishte përzgjedhur nga njësia speciale jugosllave për ta shuar kryengritjen kosovare, për të ushtruar terror shtetëror.
Historia atë ditë kishte përzgjedhur Sahit Shalën, Enver e Shani Morinën të ishin martirët e patrembur kundër njësive okupatore, të cilave ua bënë me dije se kjo tokë nuk duronte robërinë.
Ata, me guximin e tyre, u bënë pjesë e pavdekshme e historisë dhe lirisë tonë.
Sot kujtojmë me nderim tre dëshmorët, të cilët u bënë pjesë e historisë sonë te lavdishme dhe krenare për lirinë e Kosovës.
I përjetshëm është kujtimi për dëshmorët Sahit Shalën, Enver e Shani Morinën!
Lavdi!