
Vasil S. Tole/
Dje ishte nata mbyllëse e KOSMOS- “Tirana Music Festival”, ku 6 muziktarë të shquar evropianë, dy prej tyre me origjinë shqiptare, krijuan një atmosferë magjike për publikun që kishte mbushur hollin e Universitetit të Arteve.
Sonata nr. 2 për violinë solo e Bahut u interpretua mjeshtërisht nga kitaristi ynë Petrit Çeku, i njohur tej e mbanë si i thonë fjalës, për artin e tij , aq e vërtetë është kjo sa vepra në fjalë erdhi tek dëgjuesit si të ishte varianti origjinal i saj, për shkak të peshës interpretative të Çekut. Versioni për kitarë ishte përshtatur nga Deshpali, pinjoll i shquar i kësaj familjeje artitësh të muzikës nga shqiptarët e Kroacisë.
Trio e Shumanit në re minor, op. 63, u interpretua nga Hernan në violinë, Rahmatulla në çelo dhe Greenberg në violinë, tre muziktarë që sollën një Shuman shumë planësh në këndvështrimin emocional, ku eleganca muzikore dhe fryma romantike e muzikës së tij, herë e gëzuar, idilike dhe e trishtuar herë pas here, i mbivendosej arkitekturës, strukturave dhe formave kompozicionale të fshehura brenda veprës, aq të dukshme tek pararendësit gjermanë të mëdhenj, si Bahu apo Beethoveni.
Piano Kuinteti op.29 i Enescut mbylli programin. Një kryevepër lloji ku shpirti autokton i muzikës me frymë kombëtare, në këtë rast ajo rumune, ndërthurej natyrshëm me tiparet e muzikës evropiane, duke krijuar një arketip e qasje të re muzikore për piano kuintetet, falë talentit dhe vizionit për krijimin e muzikës kombëtare nga Enescu. Ky shpirt autokton i muzikës sē Enescut u përcoll nga loja plot individualitet e Kadeshës si violinë e 1, Hernanit-violinë e dytë, Francis në violë, Hunter në çelo dhe në piano Greenberg.
I lashë për në fund dy fjalë pë veprën time ALLA SHQIPTARÇE për violinë solo, e cila u interpretua nga Kadesha.
E thashë dhe dje pas koncertit, se Kadesha të sfidon me qasjen e tij unike ndaj muzikës që interpreton, jo thjesht tek ALLA SHQIPTARÇE.
Përtej të ndjerit i vlerësuar për faktin që Ai e interpretoi veprën ndryshe dhe mrekullisht, për publikun, por dhe për mua si autor i saj, dëshiroj të them që me brezin e Kadeshës, e deri tek më të rinjtë si Daniel Vlashi apo Laura LLozi etj, po vjen një kalibër tjetër interpretuesish që e nderojnë muzikën tonë në nivel europian e më gjerë.
Vlerësim për të gjithë muziktarët shqiptarë kudo ku janë, për ata që mbajnë gjallë skenēn muzikore në Shqipëri, por edhe për ata si Kadesha me shokë e shoqe, që ndajnë me vendin tonë dhe publikun shqiptar, arritjet e tyre interpretative më të fundit.
Jetë të gjatë KOSMOS, festivalit që i shtohet gjerdanit të veprimtarive që i shndërrojnë skenat tona në skena evropiane të muzikës! ![]()
![]()
![]()
![]()
![]()
![]()
▪︎Këtu shihni ALLA SHQIPTARCE interpretuar nga Jonian Ilias Kadesha