
Paulin Zefi/
“Kulakët në Shqipërinë Komuniste (1945-1990): Rasti i Familjes Syku dhe mekanizmat e persekutimit shtetëror.”
Kategoria e ashtuquajtur “Kulak” përbën një element themelor në analizën e historisë politike, sociale dhe ekonomike të Shqipërisë gjatë periudhës komuniste 1945–1990. E huazuar nga sistemi sovjetik, “ГУЛАГ (GULAG)”, i idhullit të Enver Hoxhës, Josif Visarionoviç Stalin, dhe e aplikuar në kontekstin shqiptar si pjesë e doktrinës së “luftës së klasave”, kjo kategori u përdor jo vetëm për të përcaktuar fshatarët më të pasur, por më shumë si një instrument i posaçëm politik për neutralizimin e shtresave të konsideruara potencialisht kundërvënëse ndaj pushtetit të Partisë Komuniste ose Partisë së Punës. Për këtë arsye, koncepti i kulakut në Shqipëri duhet parë jo si një kategori reale sociale dhe ekonomike, por si një “prodhim politik” që u përdor në mënyrë sistematike për të justifikuar transformimin radikal të strukturës shoqërore rurale dhe për të konsoliduar kontrollin e pushtetit mbi fshatin. Në nivel doktrinar, përkufizimi i kulakut u importua nga marksizëm-leninizmi sovjetik, i cili i trajtonte fshatarët e pasur si mbështetës të ekonomisë së tregut dhe, rrjedhimisht, si pengesë për kolektivizimin e bujqësisë. Megjithatë, realiteti shqiptar ishte shumë ndryshe në raport me atë të B.R.S.S. (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike).
Vendi jonë nuk kishte një shtresë aq të pasur fshatare dhe të kristalizuar, të krahasueshme me atë ruse, për shkak të fragmentimit të pronësisë, nivelit të ulët të mekanizimit dhe të varfërisë së përgjithshme. Në këtë kuptim, shpallja e familjeve si kulake nuk bazohej në tregues objektivë ekonomikë, por kryesisht në kritere që përcaktoheshin sipas konjukturës politike, interesave meskine të strukturave të partisë, raportimeve të Sigurimit të Shtetit dhe shpeshherë konflikteve apo rivaliteteve lokale. Kjo u bë dukshëm e qartë në periudhën 1945–1956, kur procesi i identifikimit të “elementit të pasur” lidhej drejtpërdrejt me zbatimin e Reformës Agrare të vitit 1946 dhe me synimin e pushtetit për të shkatërruar çdo autonomi ekonomike në fshat. Familjet që zotëronin pak më shumë tokë, tufa të mëdha me bagëti, disa kafshë pune, një mulli, një dyqan, apo që kishin punësuar punëtorë sezonalë, shpalleshin automatikisht kulake, ndërkohë që etiketimi zgjerohej edhe për familje me traditë influence lokale, lidhje me diasporën, me tregun, apo me ish-elitën parakomuniste. Për kulakët u vendosën taksa të jashtëzakonshme, kuota të papërballueshme, dënime ekonomike dhe procedime penale që synonin jo vetëm varfërimin e tyre, por edhe izolimin e plotë politik.
Në shumë raste, dënimi shoqërohej me internim ose burgim të menjëhershëm, konfiskime të pasurisë dhe humbje totale të së drejtës së lëvizjes. Me fillimin e kolektivizimit të bujqësisë në fundin e viteve 1950 dhe sidomos pas vitit 1960, kategoria e kulakut u zgjat, u politizua edhe më tepër dhe u integrua në strukturën ideologjike të shtetit si kategori e pandryshueshme e “armikut të klasës”. Pjesëtarët e kësaj kategorie fajësoheshin si shkaktarët kryesorë të prapambetjes dhe varfërisë së vendit, duke u paraqitur nga propaganda zyrtare si njerëz të ligj, shfrytëzues të popullit, frenues të zhvillimit ekonomik dhe pengesë për ndërtimin e shoqërisë së re socialiste. Familjet e shpallura kulake përjashtoheshin nga kooperativat bujqësore ose pranoheshin vetëm në rolin e punëtorëve më të rëndomtë, me normativë të ulët dhe me trajtim diskriminues. Fëmijët e këtyre familjeve ndëshkoheshin në mënyrë sistematike në aksesin në arsim, në mundësinë e punësimit, në ushtri dhe në çdo formë ngjitjeje sociale, ndërkohë që biografia e tyre shoqërore mbahej nën survejim të vazhdueshëm nga organet e Sigurimit të Shtetit.
Faza më e ashpër e luftës së klasave kundër kulakëve u shënua pas vitit 1967, kur Shqipëria ndërmori një version të vetin të Revolucionit Kulturor të kopjuar nga Kina, i cili e ngarkoi hapur fshatin me detyrën ideologjike të “spastrimit nga elementët armiqësorë”. Në këtë periudhë u ngritën në fshat komisione të posaçme, që rishikonin biografitë dhe e shtonin listën e kulakëve çdo vit, ndërkohë që çdo shenjë pavarësie ekonomike, kundërshtimi, apo thjesht mosbindjeje ndaj autoriteteve lokale mjaftonte për të rivendosur etiketime. Në disa zona, kulakët u përdorën si objektiv i demonstrimeve politike gjatë mbledhjeve publike, ku emrat e tyre shpalleshin si shembuj “armiqësorë” dhe demonizoheshin, duke prodhuar jo vetëm frikë, por edhe stigmatizim të thellë shoqëror. Edhe pas vitit 1978 (prishja me Kinën), kur modeli autarkik socialist (vetë-mjaftueshmëria ekonomike) u shtrëngua edhe më tepër dhe kur roli ekonomik i kulakëve ishte zhdukur thuajse plotësisht, stigmatizimi politik mbeti ende shumë aktiv. Biografia kulake u ruajt si kategori ndëshkuese dhe përcaktonte në mënyrë vendimtare fatin social të individëve, duke u reflektuar në qindra raste të pamundësisë për të studiuar, për të punuar në profesione të konsideruara “delikate”, për të marrë banesë, apo edhe për të lidhur martesa me familje të konsideruara “me përbërje të mirë” ose “me biografi të mirë.”
Në disa raste, familjet e stigmatizuara mbetën në internim deri në fund të viteve 1980. Rasti i Familjes Syku dhe mekanizmat e persekutimit shtetëror ndaj saj përfaqësojnë një shembull shumë domethënës të mënyrës se si aparati komunist i pas Luftës së Dytë Botërore ushtronte dhunë të strukturuar mbi familjet me prona të mëdha, me autoritet lokal dhe me traditë të fortë shoqërore. Persekutimi ndaj kësaj familjeje malësore të Bregut të Matës, nisi që në fazat e para të zbatimit të Reformës Agrare të vitit 1946, e cila në thelb synonte shpronësimin e shtresave të larta rurale dhe shkatërrimin e strukturës së vjetër të pronësisë. Duke qenë ndër pronarët më të mëdhenj të rajonit, anëtarët e familjes Syku u kategorizuan automatikisht si “kulakë”, një etiketim me natyrë ideologjike, ekonomikisht shkatërruese dhe penalisht ndëshkuese. Brenda një kohe shumë të shkurtër, Gjon Nik Sykut iu konfiskuan 550 ha tokë, ndërsa Dod Preç Sykut 500 ha, shifra që dëshmojnë përmasat e shpronësimit të ndërmarrë nga regjimi komunist si instrument për t’i hequr kësaj familjeje çdo bazë ekonomike, sociale dhe morale.
Kundër Dod Preç Sykut u ushtrua një presion edhe më i ashpër. Shtëpia e tij në Lezhë u sekuestrua dhe u adaptua nga shteti si godinë për Degën Ushtarake, ndërsa ai vetë u arrestua dhe u dënua pa të drejtë mbrojtjeje. Akti i shpronësimit u shoqërua me një formë të pashembullt dhune psikologjike dhe fizike. Dod Preç Syku u dënua dhe u burgos së bashku me familjen e tij, përfshirë edhe fëmijët. Ata u mbajtën të izoluar për gjashtë muaj rresht brenda një ambienti të shtëpisë së tyre, të kthyer tashmë në burg, duke iu mohuar atyre lirinë elementare dhe duke i ekspozuar ndaj një traume më të thellë e afatgjatë. Emigrimi i Anton Sykut në vitin 1950, i cili kaloi kufirin, duke u arratisur në Jugosllavi dhe më pas u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u interpretua nga autoritetet komuniste si akt shumë i rëndë armiqësor, duke prodhuar një valë të dytë represioni kundër familjes. Në vitin 1951 u arrestua Prelë Syku, i cili u dënua me një periudhë të gjatë burgimi, duke u bërë anëtari që përjetoi më rëndë pasojat e politikës ndëshkuese të regjimit.
Nga një vlerësim i përgjithshëm del se nga rreth 70 anëtarë të familjes Syku, 20 prej tyre janë dënuar me burgime të ndryshme. 10 kanë vuajtur dënime nga 7 deri në 30 vjet, siç është rasti i Prelë Sykut, i cili në fillim u dënua 10 vjet, u lirua dhe më pas u dënua sërish, por kësaj rradhe me plot 20 vjet. Ndërsa në total familja Syku ka kaluar mbi 100 vite dënime nëpër burgjet e tmerrshme të regjimit komunist. Përveç ndëshkimit fizik dhe ekonomik, regjimi aplikoi edhe forma të persekutimit social e kulturor. Asnjë prej anëtarëve të familjes nuk u lejua të vijonte shkollimin përtej arsimit të detyrueshëm, duke u privuar kështu mundësinë për të aksesuar arsim të mesëm e të lartë, dhe rrjedhimisht, duke i përjashtuar nga çdo mundësi integrimi profesional dhe emancipimi intelektual. Ky trajtim i familjes Syku ilustron funksionimin e një sistemi të tërë represiv, i cili ndërthuri instrumente të ndryshme: shpronësim, ndëshkim penal, izolim shoqëror dhe kufizim arsimor, me synimin për të shkatërruar shtresat tradicionale të shoqërisë shqiptare dhe çdo strukturë alternative të autoritetit jashtë kontrollit të Partisë së Punës.
Në Shqipërinë komuniste, rreth 7.000-8.000 familje, që përfaqësonin 20.000-25.000 individë, u kategorizuan si “kulakë” dhe u etiketuan si “armiq të klasës”, sipas të dhënave të evidentuara në dokumentet zyrtare, përfshirë kartotekat e sigurimit, regjistrimet e komiteteve të partisë dhe zyrat e bujqësisë. Pasojat e politikave ndaj kulakëve lanë gjurmë të thella në strukturën shoqërore dhe psikologjinë kolektive të fshatit shqiptar. Shkatërrimi i pronës private dhe eliminimi i shtresës tradicionale të fshatarëve të aftë dhe sipërmarrës dobësoi zhvillimin e bujqësisë dhe pengoi krijimin e një ekonomie rurale të qëndrueshme. Nga ana tjetër, stigmatizimi shumëvjeçar shkaktoi trauma të mëdha sociale, armiqësi ndërfamiljare, mbyllje komunitare dhe një kulturë të frikës që e shoqëroi shoqërinë deri në rënien e regjimit komunist. Në përfundim, figura e kulakut në Shqipërinë komuniste nuk përfaqëson një shtresë reale ekonomike, por një kategori të prodhuar politikisht, e cila u përdor si mekanizëm i kontrollit social dhe si mjet i eliminimit të pluralizmit ekonomik dhe shoqëror në fshat. Studimi i saj mbetet thelbësor për të kuptuar natyrën e vërtetë të totalitarizmit shqiptar, dinamikat e luftës së klasave dhe mënyrën se si politika e bazuar në ideologjinë marksiste-leniniste ndërhyri në mënyrë të dhunshme në strukturën tradicionale të shoqërisë shqiptare, duke e shpërfytyruar thellësisht jetën e saj kolektive.