
Prof.as.dr. Afrim Krasniqi/
E kam njohur herët, diku nga fundi i vitit 1991. Gjatë viteve 1992-1995 edhe më shumë. Foto duhet të jetë e asaj periudhe. Herën e fundit që e takova, më ftoi për të folur rreth me Roza Dostin dhe projektin e saj në SHBA për të Drejtat e Njeriut (AHRP) me qindra 100 dëshmi të të persekutuarve politikë gjatë regjimit komunist, koleksioni më i madh jashtë Shqipërisë. Kemi komunikuar më pas me shkëmbime urimesh.
E dini? Dosti është një prej familjeve më të persekutuara politike dhe me një histori të jashtëzakonshme. Babai i Tomorit, Hasan Dosti ishte një nga autorët kryesorë të Kodit të ri Civil në fundin e viteve ’20 dhe më vonë ishte edhe drejtues i Gjykatës së Diktimit. U zgjodh kryetar i Komitetit për Shpëtimin e Kombit në Mukje (1943). Sipas konceptit ideologjik u shpall armik nga regjimi i ri. Emigroi më 1949 në SHBA dhe ndërroi jetë në shkurt 1991, vetëm pak javë pas lejimit të pluralizmit politik. Tomori më tregonte se pas disa dekadave burgim e internim politik në kushtet e reja të 1991 arriti të lidhet një herë në telefon me babain e tij. Një histori e shumëfishtë tragjike dhe simbolike për fatet dhe dramat shqiptare të shekullit të kaluar. Por edhe një histori dinjiteti dhe integriteti, dy cilësi që i shkojnë përshtat jetës, aktivitetit dhe kujtimeve që la pas Tomor Dosti.