
– Ditë pelegrinazhi në malin Tomor/
Ditët e përvitshme në malin e Tomorit nuk janë festë që i përket vetëm besimtarëve bektashianë.
Shqiptarët nuk janë besimtarë të “thekur”, sepse ata e dinë që Zoti i do të gjithë njerëzit njëlloj, qoftë kristianë, muhamedanë apo të çfarëdo lloj besimi qofshin.
Është kjo arsyeja pse ditët e pelegrinazhit në malin e Tomorit, më tepër se sa një ngjarje fetare, janë festë takimesh mes njerëzve të afërt, takim mes miqsh e shokësh; janë ditë gëzimi e argëtimi për shqiptarët nga të gjitha trojet, pavarësisht përkatësisë fetare.
Që në kohët më të hershme, duke filluar nga kulti pagan i majave të larta, i përhapur në gjithë Shqipërinë, kulti i malit të Tomorit u ka mbijetuar ndërrimit të feve, duke u kthyer kështu në mitin e besimit të shqiptarëve.
Për këtë mal, me lartësi 2416 m mbi nivelin e detit, tetë shekuj para Krishtit Homeri ka shkruar se aty ka qëndruar Dodona Pellazgjike me bijtë e saj të quajtur Tomarus…
Vlerësimin për tempullin e shenjtë e gjejmë edhe në vargëzimin homerik të Iliadës:
“O zot, mbret i Dodonave Pellazgjike/ Që banon në ato vende të largëta/ E sundon mbi Dodonën dimërkeqe/ Këmbëzbathur e gjumëpërdhese…”
Sipas historianëve të hershëm, banorët dodonas quheshin tomaros. Nga informacioni që jepet del se rreth tempullit kishte lisa të lartë e të moçëm, zogj të bukur e të shumtë. “Dodona dimërkeqe në një mal dimërkeqe, me akuj dhe borë… nga ku dukej deti…”
Homeri dhe shpjeguesit e tij të mëvonshëm thonë se Dodona vjen nga kohët që nuk mbahen mend. Por Homeri “mban mend shumë mirë” qytetërimin e Knosos 2000 vjet para Krishtit, gjë që do të thotë se Dodona vjen nga mijëvjeçari i tretë para Krishtit.
I pari Herodoti, por edhe historianë të tjerë të mëvonshëm kanë konkluduar se e gjithë teologjia pellazgjike rrjedh nga Dodona. Sipas mitologjisë, Dodona ishte bijë e oqeanit, e detit, e qiellit dhe e dheut. Legjendat për Tomarus flasin për një tempull në Tomor, ku “jetonin perënditë parahelene”. Drejt tij vërshonin banorë nga gjithë Europa, të cilët flinin përjashta, në pritje për të mësuar të fshehtat e motit, të natyrës apo të fatit të tyre.
Dodona Thesprote, me profecitë çudibërëse, ishte si të thuash institucioni i vetëm i qytetërimit pellazg. Ndaj edhe poetët tanë të Rilindjes, Çajupi dhe Naim Frashëri, do të shkruanin:
• “Baba Tomorr, Kishë e Shqipërisë/ mal i lartë, fron i Perëndisë/ Tek ti vinin njerëzit qëmoti/ Për të mësuar se ç’urdhëron Zoti…” – Çajupi
• “Abaz Aliu zu Tomorë/ Erdhi afër nesh/ Shqipëria s’mbet e gjorë/ Se Zoti e desh…” – N. Frashëri
Historiani grek Straboni thotë se, “në kohët më të lashta e gjithë zona përreth Tomorit ishte shumë e banuar. Kurse sot, aty popullsia është rralluar, por megjithatë duken disa ndërtesa të rrënuara. Faltorja e Dodonit, e cila gjendet stis propodhes tu vunu Tomar (gjendet në rrezët e malit Tomor)…”
Në veprat e tij Herodoti, shekulli II p.e.s., e vizitoi Dodonën, qendrën e pellazgëve. Edward Lear, i ardhur në Berat 155 vjet më parë, kur pa malin e Tomorit u shpreh: “Tomori është mal mbretëror, ky mal është si një sokrat madhështor”.
Ky olimp i shqiptarëve, i cili përmendet në Iliadë nga Homeri tetë shekuj para Krishtit me emrin Tomaros, i tillë ngelet edhe sot.
TOMORI, MALI MBRETËROR QË BASHKON SHQIPTARËT
Nuk ka një mal tjetër në botë që të jetë pagëzuar me emrin “Baba” – Baba Tomori, ati i perëndive dhe i njerëzve.
Shenjtërimi i Tomorit nuk është rastësi, por është rrjedhojë e bukurive të rralla dhe e madhështisë së tij. Mbi këto bukuri të veçanta të tij u krijuan misteret, miti, legjenda e gojëdhënat.
Këtë e kanë vënë re hulumtues të ndryshëm.
Etnologia angleze Margaret Hasluck, që u ngjit në majë të tij më 1930-ën, konstatoi midis të tjerave se pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë, dhe se betimi për Baba Tomorin ishte më i fortë se në besimet e tjera.
Sot në Tomor praktikohet kulti bektashi, por midis këtij të fundit dhe atij të parit – kultit pagan – qëndron kulti i fesë që ndan këto dy periudha, pra kulti i krishterë. Këtë nuk e dëshmon vetëm tradita gojore për ekzistencën e kishës së Shën Mërisë në malin e Tomorit dhe për pelegrinazhin e besimtarëve ortodoksë nga data 15–25 gusht, ditën e Shën Mërisë së gushtit.
Po sipas M. Hasluck, bektashinjtë e pranojnë se kanë zëvendësuar një kult shumë më të vjetër. Për t’i dhënë prestigj shkencor e thellësi historike këtij miti, ata iu referuan trashëgimisë antike. Toponimin “Tomaros” ose “Tamari” a “Tmari”, që del tek Straboni dhe tek Plini Secundi (Talar), si mal pranë Dodonës – pra si mal i shenjtë – ata e lidhën pa asnjë mëdyshje me Tomorin e Shqipërisë.
Kështu, kulti i Tomorit u shndërrua në kultin e malit, ku ka selinë perëndia e lashtë e shqiptarëve. “Shqiptarët e moçëm, – shkruan poeti kombëtar Naim Frashëri, – besonin hyjninë, dhe në malin e Tomorit ish falëtore e tij, që thuhej Dodonë”.
BETIMI PËR “BABA TOMORIN”
Ndër shqiptarët, madje edhe ata të Kosovës dhe Maqedonisë, mali i Tomorit ka kuptim mitologjik dhe mbahet si mal i shenjtë. Sipas legjendës, në majë të tij jetojnë gjallesa mitologjike, një zog i shenjtë dhe hyjni të ndryshme.
Njerëzit bënin dhe bëjnë be mbi këtë mal, si për gjënë më të shenjtë dhe më të shtrenjtë që ata kanë, duke thënë: “për Baba Tomorin”, “për të mirin Tomor”.
Por, duke besuar te forca ndëshkuese e Tomorit për ata që bëjnë keq, shumë njerëz prapë i drejtohen malit të shenjtë dhe, kur duan të mallkojnë dikë, thonë: “të vraftë Baba Tomori”, “të vraftë Abaz Aliu që është atje lart në Tomor” etj.
Shumëkush, nga respekti, as emrin nuk ia përmend, por duke u drejtuar me dorë nga mali i Tomorit thotë: “ai” dhe bën be “për atë çukë”.
Mitologjia është hapësirë e pafund, së cilës nuk i shteret kurrë rrëfimi. Prandaj, si e tillë, në këtë fushë mund të japim shembuj të një kulture shumë të lashtë, më të lashtë se çdo religjion dhe çdo normë tjetër morale të kodifikuar, në çfarëdo mënyre qoftë, nga çfarëdo bashkësie, në çdo shkallë primitive ose të përparuar, kudo në botë.
– Abedin Kaja