
Çdo 2 shkurt, Amerika ndalon për disa minuta punën, politikat, bursën dhe debatet mbi ngrohjen globale për të pyetur një marmotë: “Phil, ç’thua ti, a po ikën dimri?” Dhe marmota del nga strofulla, shikon hijen, nuk e shikon hijen, ngatërron hijen me kameramanin – dhe kombi merr frymë thellë. Shkenca mund të presë. Marmota ka fjalën. Groundhog Day është një festë që i reziston logjikës moderne me një këmbëngulje për t’u admiruar. Në një botë me satelitë, superkompjuterë dhe aplikacione moti që gabojnë vetëm pas 15 minutash, amerikanët zgjedhin të besojnë një kafshë që zgjohet nga gjumi dimëror dhe jep parashikime me saktësi rreth 40 për qind. Me pak fjalë: më pak se një meteorolog i lodhur, por shumë më simpatik.
Këtë vit, Groundhog Day na gjeti me -25 gradë Fahrenheit, një temperaturë që të bën të dyshosh seriozisht në ekzistencën e ngrohjes globale – të paktën në lagjen tënde. Ndërkohë që ekspertët flasin për rritje temperaturash, shkrirje akujsh dhe fundin e planetit, emigranti shqiptar në Amerikë del në mëngjes dhe mendon: “Nëse kjo quhet ngrohje, s’dua ta imagjinoj ftohjen.”
Dhe këtu fillon ironia e madhe globale: bota po digjet… por ne po ngrijmë. Një ditë përvëlohesh nga vapë rekord, ditën tjetër makina nuk ndizet nga i ftohti polar. Ngrohja globale nuk na solli klimë tropikale; na solli kaos klimatik, një lloj Groundhog Day planetar ku stinët dalin nga strofulla të hutuar. Për emigrantin shqiptar, ky absurd klimatik përputhet në mënyrë perfekte me jetën e përditshme. Çdo ditë zgjohet herët, shikon motin, shikon faturat, shikon statusin ligjor, shikon lajmet nga Shqipëria – dhe kupton se dita po përsëritet. Si në filmin “Groundhog Day”, vetëm se pa humorin e Hollivudit dhe pa garanci për fund të lumtur.
“Pranvera” për shqiptarin në SHBA nuk matet me gradë Celsius apo Fahrenheit. Ajo matet me letra, me sigurime, me orë pune, me pushime që shtyhen dhe me ëndrra që ngrihen përkohësisht nga realiteti. Edhe kur termometri ngjitet, emigracioni mbetet një dimër i gjatë me disa ditë me diell.
Ndërkohë, në Shqipëri, Groundhog Day festohet çdo vit në version politik. Çdo sezon zgjedhor, e njëjta marmotë institucionale del nga strofulla, sheh hijen e vet dhe shpall: “Dimri do zgjasë edhe pak, por pranvera po vjen.” Dhe shqiptarët presin. Presin reforma, presin drejtësi, presin ekonomi, presin… derisa vjen dimri tjetër.
Ironia është se si Amerika, ashtu edhe Shqipëria, jetojnë në versione të ndryshme të të njëjtës pritje. Njëra pret fundin e dimrit klimatik, tjetra fundin e dimrit shoqëror. Në të dyja rastet, marmota nuk mban përgjegjësi. Ajo bën punën e saj. Njerëzit janë ata që vazhdojnë të presin.
Edhe miti se Punxsutawney Phil është mbi 130 vjeç dhe “nuk plaket kurrë” tingëllon jashtëzakonisht modern. Në një botë që ndryshon çdo ditë, disa zakone mbeten të pavdekshme. Ashtu si pritja shqiptare për pranverë, ashtu si premtimet politike, ashtu si shpresa se “vitin tjetër do jetë më mirë”.
Por ndoshta këtu qëndron edhe mësimi i vërtetë i Groundhog Day. Marmota nuk ka faj. As moti. As klima. As -25°F. Problemi është kur njerëzit presin shenja nga natyra, nga kafshët, nga liderët apo nga fati, në vend që të ndryshojnë sjelljen e tyre.
Ngrohja globale nuk zgjidhet duke pyetur marmotën. As emigracioni nuk zgjidhet duke pritur mrekulli. Pranvera nuk vjen sepse dikush e parashikon; ajo vjen sepse dikush vendos të veprojë. Deri atëherë, le ta festojmë Groundhog Day siç duhet: me humor, me pallto të trashë, me ironi globale dhe me bindjen se, edhe në -25°F, shpresa është gjëja e vetme që nuk ngrin.
Rafael Floqi