NGA NDREK GJINI/
Praktika e vajtimit – ku gratë mblidheshin dhe vajtonin të pikëlluara në një funeral është praktikuar në Irlandë deri rreth mesit të shekullit të kaluar.
Në Arkivin e Muzikës Tradicionale Irlandeze në Dublin ka regjistrime të drejtpërdrejta të vajtueseve Irlandeze nga vitet 1950. Ka kaseta të cilat Marie-Louise Muir i ka regjistruar si pjesë e eksplorimit të traditës në dokumentarin e BBC Radio 4, “Songs for the Dead”. Ato janë tronditse dhe shumë emocionale t’i dëgjosh.
Vajtimi në funeral (irlandisht: Caointeoireacht) është një formë tradicionale e vajtimit me fjalë, për të vdekurit në traditën irlandeze, e praktikuar në Irlandë dhe Skoci deri në mesin e shekullit të 20-të. Vajtimi i të vdekurve, i cili mund të shihet si një formë e të kënduarit ‘sean-nós’, kryhej në gjuhën irlandeze.
Vajtimi i të vdekurve dikur ishte një pjesë integrale e ritualit zyrtar të funeralit irlandez, por u zbeh nga shekulli i 18-të dhe u zhduk pothuajse plotësisht nga mesi i shekullit të 20-të. Vetëm një pjesë e vogël e vajtimeve autentike u regjistruan për t’u ruajtur.
Keening – “Vaji apo vajtoj” si emër apo folje vjen nga fjala irlandeze dhe skoceze “caoineadh” (“të qash”). Ndoshta në origjinë kjo fjalë vjen nga “couiner” në frëngjisht.
Melodia dhe teksti
Toni i vajtimit dhe teksti mbështeten në përsëritjen e disa motiveve bazë të cilat mund të zgjerohen ose shkurtohen në mënyra të ndryshme. Duket se nuk ka pasur kurrë një “tekst” të parashkruar. Vajtuesja priret të improvizojë siç e dikton ndjenja dhe rrethanat e momentit. Fjalët apo “vargjet” përgjithësisht janë me rimë dhe disa prej këtyre fjalëve përsëriten si refren.
Fjalët e vajtimit përbëhen nga elemente poetike të gatshëm (përmendin emra që i përkasin gjenealogjisë së të ndjerit, lavdërim për të ndjerin, theksim i gjendjes së dëshpruar të atyre që ka lënë pas, etj.) Të gjitha të vendosura në vajtim vokal. Fjalët e vajtimit gjithnjë ndërthureshin me vokale jo leksikore.
Historia dhe mitologjia
Në shekullin e 12-të, historiani Giraldus Cambrensis (Gerald i Uellsit) i përshkruan hollësisht në shkrimet e tij vajtimet me fjalë dhe format e të vajtimeve në Irlandë. Ai thotë se vajtueset ndaheshin në dy grupe, secili grup duke vajtuar në mënyrë të tillë që përsërisin fjalët apo vargjet e njeri-tjetrit. Dhe në fund ato bashkohen në një kor të plotë. Burime të tjera arkivore i përshkruajnë me imtësi stilet e të vajtuarit në Irlandë që nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë.
Në kohët e lashta, gratë nga familja e kryetarit të fisit e kryenin vetë ritualin e vajtimit të të vdekurit. Më vone filluan, të gjenin dhe paguanin gra vajtuese. Vajtuese të tjera e shoqëronin gruan e mprehtë (bean chaointe), me lëvizje fizike që përfshinin lëkundje dhe gjunjëzim.
Tradita irlandeze e kujdesit për trupin të vdekurit përmbante dhe praktikimin e natës së rojes për të vdekurin, që ndodh një natë para varrimit dhe mund të zgjasë në disa raste edhe më shumë se një natë.
Praktika e vajtimit të të vdekurit zbatohej përgjithësisht për shtresën e mesme dhe atë të lartë të popullsisë deri ne mesin e shekullit të 18-të.
Rreth vitit 1791, historiani William Beauford (1735–1819) përshkruante me detaje praktikën e vajtimit të të vdekurit në një ceremoni funerali tradicional irlandez. Ai shkruante: ‘Fjalët thuheshin me melodi të mprehta që ngjanin sikur këndoheshin’. Ai jep informacionin e mëposhtëm:
‘Disa përsona të zgjedhur nga kryetari i fisit i parapërgatisin paraprakisht me kujdes fjalët që vajtoret duhet të thonë.
Trupi i të vdekurit, i zbukuruar me lule, vendosej në skaj të një dhomë të madhe ose në ndonjë vend të ngritur.
Njerezit ndaheshin në dy grupe, njëri grup qëndronte tek koka e të vdekurit, tjetri tek këmbët.’
Vajtueset përmes vargjeve me rime që thuheshin gati si këngë në kor flisnin për fisnikërine, trimërinë, virtytet e larta të te vdekurit, punët e mira që ai kishte bërë, familjen, etj. Shpesh u bëheshin edhe një sërë pyetjesh; ‘i drejtoheshin të ndjerit: si, dhe pse vdiqe? A nuk të erdhi keq që le gruan besnike, përmendeshin djemtë e tij të mirë, vajzat e tij të ndershme dhe të dëlira, etj.
Samuel Carter Hall përshkruan traditat e funeralit irlandez dhe vajtimet e mprehta në librin e tij të vitit 1841, ‘Ireland: Its Scenery, Character and History’. Ai shkruan se vajtueset shpesh lëviznin trupin përpara dhe mbrapa dhe shtrëngonin duart së bashku gjatë vajtimit që ngjante si një këngë piskamë.
Paralele me vënde dhe kohëra të tjera
Vajtimet apo të kënduarit në vajtime, janë të vjetra sa vetë funeralet, ato vijnë që nga kohërat homerike, estruskane dhe biblike. Vajtimi i të vdekurve ka lidhje të forta me traditat e vjetra në Lindjen e Mesme dhe më gjërë. Sir Walter Scott i krahason në shkrimet e tij zakonet Irlandeze të vajtimit të të vdekurit me vajtimet e kohërave romake.
Mbijetesa në shekullin e njëzetë
Vajtimet autentike mbi trupin e të vdekurit u zhdukën në mënyrë pothujase të plotë në Irlandë në fillim të shekullit të njëzetë.
Në fillim të viteve 1950, Cití Ní Ghallchóir (Kitty Gallagher) nga Gaoth Dobhair në County Donegal, Irlandë i vajtoj me fjalë Alan Lomax-it një vaji të dhimbshëm që ajo kishte mësuar nga një grua e vjetër.
Një regjistrim i këtij vajtimi magjepsës të Gallagher u shfaq në albumin Traditional Songs of Ireland (1995). Ky është rasti i fundit i regjistruar në Irlandë i kësaj tradite.