

Nga Ramazan Çeka/
Shkodra e lashtë është një qytet i pasur me histori dhe kulturë, i vendosur mbi një kodër madhështore dhe i rrethuar nga ujërat magjepsës, ku bashkohen të gjitha mrekullitë e Zotit. Pranë Liqenit aq të bukur e të famshëm, buron një lum edhe më i bukur dhe i famshëm, Barbana e vjetër e Buna e sotme, që gjarpëron rreth 40 km deri në det, lumi i cili lidh qytetin me detin dhe Evropën. Ky lumë, krahas begatisë natyrore, është edhe simbol i zhvillimit dhe traditës kulturore të zonës. Që në lashtësi, rreth këtij lumi të bukur e të lundrueshëm, lindën dhe u zhvilluan vendbanime që janë bërë edhe objekt studimi i historianëve dhe arkeologëve, me fakte që dëshmojnë lashtësinë e këtij vendi.
Që në mesjetën e hershme përmenden këto vendbanime, por ai që në “krahinën” Dajç i Bregut të Bunës, është Shirqi, i njohur nga dokumentat, jo thjeshtë si një fshat, por si një skelë portuale lumore që shërbente për anijet e kohës që vinin mallra nga deti, në drejtim të Shkodrës. Shirqi, që mendohet se emrin e ka marrë nga një martir vendas i kryqzatave, i cilësuar si Shën Sergji dhe për të cilin në shekullin e 13-të u ndërtua një kishë që njihet si Kisha e Shirqit, është sot krenari për gjithë Bregun e Bunës, në të dy anët e saj.
Ky fshat, që mori emrin nga martiri Shën Sergji, ruan këtë trashëgimi të rrallë përmes Kishës së Shirqit, një monument i lashtë me vlera të rralla kulturore. Në traditën vendase, si në çdo krahinë të Shqipërisë, ka trashëgëmi folklorike, etnografike, zakonore, me karaktersitikat e veta, por ka edhe një dëshirë të madhe të artistëve të këtij vendi, për ta rreshtuar talentin e tyre përkrah kulturës mëmë që është Shkodra.
Ashtu si Shkodra, Shirqi ka trashëguar dhe zhvilluar një traditë të pasur folklorike. Përmes shekujve, kjo zonë ka nxjerrë artistë të shquar që e kanë pasuruar kulturën kombëtare. Ndër ta, spikat kompozitori i madh Pjetër Gaci, si dhe yje të muzikës dhe aktrimit si Gjovalin Daka dhe instrumentistë të talentuar si Shuajp Bisha, Ndrek Shkreli dhe Bahri Hurmi. Nga ky “truall” kanë mbetur në panteonin e folklorit shqiptar perla të papërsëritshme, siç është kënga e famshme “Po martojmë gjel kokotin”, nga ky truall trashëgohen këngë me tekste lapidare që i këndojnë natyrës, nuses dhe dashurisë.
E për t’i shoqëruar muzikalisht këto perla, Dajçi i Bregut të Bunës ka nxjerrë nga fidanishtja e vet talente që do të mbesin në historinë e kësaj zone.
Nga kjo trevë kanë dalë shumë figura që i kanë dhënë emër Shkodrës e kulturës shqiptare, dhe një prej tyre është Bahri Hurmi, lindur më 23 shkurt 1963, i cili shumë shpejt do të lidhej ngushtë me artin dhe skenën. Nga Shirqi i Dajçit të Bregut të Bunës, në skenat kulturore të Shqipërisë dhe më gjerë, Bahri Hurmi mbetet një nga zërat më të respektuar që i kanë dhënë jetë dhe ngjyra muzikës popullore për më shumë se katër dekada.
Fillimi i një rrugëtimi
“Që i vogël më ka tërhequr muzika,” kujton Bahri Hurmi. “Në moshën 12-vjeçare fillova të merresha me imitimin e melodive me fishkëllim. Aty mora guximin të përfaqësoja Shkodrën në aktivitete kulturore, dhe ajo ishte për mua një shkollë e parë.” Pas disa vitesh, muzika nuk do të ishte më thjesht pasion, por profesion. Në vitin 1986, Bahria mori përgjegjësinë e parë institucionale si Drejtues i Shtëpisë së Kulturës në fshatin Mushan, ku zhvilloi aktivitete të shumta, tashmë si klarinetist.
Ai ndoqi kursin profesional për klarinetë, duke u specializuar në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore në Tiranë. Instrumenti i tij do të bëhej shoqërues i pandarë i gëzimeve e dasmave në Shirq, Dajç e në rrethinat e Shkodrës, duke i dhënë ngjyra festive çdo evenimenti. Ishte një kohë e bukur, kur arti e kultura ishin pjesë e përditshmërisë së njerëzve. Bahria u përqendrua tek klarineta, instrumenti që e ndiente si pjesë të shpirtit të tij.
Klarineta, pjesë e gëzimeve popullore
Prej asaj kohe, ai u bë pjesë e pandarë e gëzimeve familjare dhe dasmave. “Kam qenë pjesë e shumë momenteve të gëzueshme në Shirq, Dajç dhe rrethinat e Shkodrës. Klarineta ime ka ecur krah për krah me harenë e njerëzve të zonës. Nuk ka lumturi më të madhe se të shohësh njerëzit duke vallëzuar me tingujt e saj,” shprehet ai.
Koncerte e bashkëpunime
Bahri Hurmi nuk u ndal vetëm në fshatin e tij. Si pjesë e Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci” në Shkodër, ai mori pjesë në koncerte në qytete të ndryshme të Shqipërisë: në Tiranë, Dibër, Gjirokastër, Berat e shumë të tjera.
Ai zgjeroi aktivitetin e tij duke u aktivizuar pranë Qendrës Kulturore të Ulqinit, duke ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet trevave shqiptare dhe duke u bërë pjesë e jetës kulturore përtej kufirit.
Në rrugëtimin e tij, ai ka pasur fatin të bashkëpunojë me këngëtarë të njohur. “Jam krenar që kam qenë në skenë krah artistëve si Shaban Gjekaj, Gëzim Salaj, Hana Nikprelaj e shumë të tjerë. Çdo koncert me ta ishte një përvojë e re dhe një pasurim i shpirtit tim muzikor,” tregon Bahri Hurmi.
Një jetë e lidhur me muzikën
Në karrierën e tij 40-vjeçare, Bahri Hurmi ka mbetur gjithmonë i lidhur me muzikën dhe me vendlindjen.
Përveç koncerteve e aktiviteteve kulturore, ai është gjithmonë i pranishëm në skenat televizive. “Prej shumë vitesh kam qenë pjesë e aktiviteteve që organizon “Blue Sky” Aty kam gjetur një publik të ngrohtë që e do muzikën popullore,” thotë Bahriu. Sot, ai vazhdon të jetë aktiv me Agjencinë e Spektakleve “Buna 2”, duke e mbajtur gjallë pasionin edhe pas 40 vitesh karrierë, ku talenti i tij vijon të gjejë duartrokitjet e publikut.
Tinguj që mbeten kujtim
Bahri Hurmi është një një zë që ka shoqëruar dhjetëra breza në momente të paharrueshme që Shirqi dhe Bregu i Bunës i kujtojnë me krenari: një artist i thjeshtë, por me një talent të madh, që me klarinetën e tij ka gdhendur tinguj të paharrueshëm në kujtesën e shumë brezave.
“Arti nuk njeh moshë. Sa herë marr klarinetën në dorë, ndiej se jam po ai djalosh që dikur fishkëllente meloditë e para. Muzika është jeta ime,” përfundon ai.
Në çdo tingull të klarinetës së tij dëgjohet ende jehona e Bunës, fryma e Shirqit dhe krenaria e një artisti që e jetoi muzikën si mision.