Nga PAOLO MIELI/
Do t’ishte e padrejtë të lihej e pavërejtur ajo që Papa Françesku ka thënë në lidhje me ngjarjet e tmerrshme ukrainase të nëntëdhjetë viteve më parë, të mërkurën e shkuar, në fund të pritjes së përgjithëshme. Papa ka cituar haptazi Holodomorin, të përcaktuar prej tij pa lojra fjalësh “çfarosja nga uria e viteve 1932-1933 të shkaktuar artificialisht nga Stalini”. Ka ftuar pastaj të luten për viktimat e atij “genocidi” e në të njëjtën kohë “për shumë ukrainas, fëmijë, gra e pleq që sot vuajnë martirizimin e agresionit”. Në fakt ka këshilluar një krahasim të hapur ndërmjet zisë së bukës n’Ukrainë “të shkaktuar artificialisht” nga rusët në fillim të viteve Tridhjetë, e asaj që stërnipat e vetë atyre rusëve po shkaktojnë në ditët tona në Vëndin e Zelenskit. Për t’i mos i lënë hapësirë dyshimeve, dy ditë mbrapa, Papa Françesku ka ripropozuar krahasimin me Holodomorin në një letër publike “popullit ukrainas”, në të cilën është treguar “i admiruar” nga “zelli i madh” i atij “populli guximtar e të fuqishëm, një popull që vuan e lutet, qan edhe lutet, qëndron e shpreson…. një popull fisnik”. Dhe “martir”. Pikërisht kështu: “një popull martir”.
“Avvenire” i ka dhënë një jehonë të gjërë letrës së Papës. Por drejtori i të përditëshmes, Marco Tarquinio, nuk është kufizuar në atë që, për Konferencën Ipeshkvnore mund të ishte quajtur një detyrë. Ka botuar gjithashtu një intervistë (të Giacomo Gambassit) Ipeshkvit latin të Kievit, Vitali Krivicki. Ipeshkvi ka ritheksuar se ai i viteve Tridhjetë qe “një genocid i planifikuar në tavolinë”. E ka paditur Putinin se don të kryejë tani “diçka të ngjajshëm”. Strategjia e Kremlinit për të “goditur infrastrukturat energjitike”, ka mbështetur Krivicki, “thotë që agresioni rus nuk ka aqë synime ushtarake, sa njerëzit tanë: duan t’i vrasin duke përdorur raketat dhe ngricën”. Ose “t’i shtrëngojnë të ikin për të zbrazur Vëndin”.
Fjalë me shumë përgjegjësi, nëse mbahet parasysh se në një pjesë të Evropës ende sot nuk është e qartë se zija e bukës e viteve 1932-33 është dashur “nga lart” (siç ka shkruar Anne Applebaum që asaj tragjedie i ka kushtuar një studim të një dokumentimi të përsosur). Milionë ukrainas, ndoshta pesë, vdiqën nga uria e mundimet sepse kështu kishte vendosur Partia komuniste e Bashkimit Sovjetik. Gjithshka për të mbytur përfundimisht orvajtjet autonomiste që ishin të përhapura edhe ndërmjet komunistëve ukrainas. Simbas dëshmisë së shkrimtarit Vasilij Grossman, gjatë kësaj katastrofe njerëzore ishin vërtetuar deri edhe raste kanibalizmi: “i copëtonin të vdekurit dhe i piqnin, vrisnin fëmijët e tyre dhe i hanin”.
I pari që kuptoi se në fushat përqark Kievit, Kersonit, Karkivit – por edhe brënda qyteteve – kishte ndodhur diçka e përbindëshme qe Rafael Lemkin, docent i së Drejtës ndërkombëtare të Universitetit të Yale, që në 1944 – duke bërë fjalë për të – krijoi termin “genocid”. Ndërsa për të folur publikisht qe Viktor Kravçenko. një i dërguar rus në një mision tregëtar në Shtetet e Bashkuara, që në fund të luftës së Dytë botërore, braktisi Vëndin e tij dhe botoi një libër (“Kam zgjedhur lirinë”), në të cilin padiste tmerret e BRSS stalinian. Më mirë folën pesë dëshmitarë të thirrur për të dëshmuar në gjyqin që u zhvillua në Paris në vazhdim të një padije të ngritur kundër “Letërsisë franceze”, mbasi e përjavëshmja e kishte kthyer në objekt të një fushate tejet të dhunëshme, me gjasë të frymëzuar nga Partia komuniste e Maurice Thorez.
Provat e asaj ploje rrënqethëse të kryer nga rusët në fillim të viteve Tridhjetë, edhe se ende të paplota, ishin të zotërueshme tashmë mbas luftës dhe ishin themelore përsa i përket vështrimit historik sepse të dobishme për të shpjeguar (edhe se jo për të ligjësuar) qëndrimet pronaziste të një pjese të madhe të popullsisë ukrainase gjatë luftës pasuese botërore. Por u deshën të kalonin më shumë se pesëdhjetë vite që, në një libër të botuar nga Robert Conquest më 1986 (“Përmbledhje dhimbjesh”), bashkësia e historianëve perëndimorë të merrte seriozisht në konsideratë Holodomorin. Më pas një studjues italian, Andrea Graziosi, ka pranuar me guxim se ai libër i Conquest-it ka detyruar “një profesion ngurues të merret me një problem themelor”: atë të popullit ukrainas të uritur e të çfarosur me paramendim nga rusët.
Por nëse për bashkësinë e historianëve përgjegjësitë sovjetike n’atë krim të stërmadh prej kohësh janë të dhëna të njohura, në Rusi (me përjashtim të ndonjë pendimi të erës gorbaçoviane) nuk janë aspak të tilla. Evropa politike – për trysninë e rrymave të fuqishme të favorëshme për paqëtimin me Putinin – ka patur shumë vështirësi më parë se të njohë edhe pjesërisht natyrën, përmasat e veçanërisht përgjegjësinë e atij krimi të nëntëdhjetë viteve më parë. Evropa ka vendosur një ditë për kujtesën e Holodomorit (26 nëndor). Por meqë përkujtimi binte dyzetetetë orë më parë, cilido lexues mund të kuptojë se sa i mangët ka qënë kujdesi publik e mediatik i atij kujtimi. Për fat nuk është hutuar Papa Francesco. Befasia është Gjermania, parlamenti i së cilës do të votojë këtë javë një propozim për të njohur Holodomorin si genocid. Fakti që kançelari Olaf Scholz (ose më mirë parlamenti i tij), në gjurmën e Papa Françeskut, ka vendosur në heshtje t’i veshë Putinit paditë e shprehura të ipeshkvit Krivicki, na mëson se ndoshta ata që kanë kuptuar rëndësinë e asaj që po i ndodh popullit ukrainas, janë më shumë se sa mund të kishim përfytyruar.
“Corriere della Sera”, 27 nëndor 2022