AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS – GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) – KONFERENCË SHKENCORE – (28 PRILL 2023).
Prof. ass. Mimoza Shahini
“Kur efektet e traumës nuk zgjidhen në një brez, kur injorohet dhe nuk ka mbështetje në trajtimin e saj, trauma do të kalojë nga një brez në tjetrin” – Prof. ass. Mimoza Shahini 2023.
Abstrakt
Kosova e pasluftës është përballur me vështirësinë e organizimit të shërbimeve mbështetëse për të mbijetuarit e masakrave. Natyrisht, mungesa e shërbimeve të specializuara e ka bërë edhe më të ndërlikuar vazhdimin e vuajtjeve psikologjike për të gjithë ata që kanë përjetuar ose kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve traumatike të lidhura me luftën, si vrasje, masakra, tortura, abuzime, humbje të pjesëve të trupit nga rënia në mina, dhuna seksuale, humbja e fëmijëve, zhdukja e familjarëve, si dhe shumë ngjarje që kanë lënë gjurmë në kujtesën dhe funksionimin e tyre në përgjithësi.
Intervenimi në të mbijetuarit e masakrave ka lidhje me eksplorimin e shumë ndjenjave si dehumanizim, humbje e shpresës, fuqia e se drejtës/padrejtësisë, përjetim ekstrem i traumës, drejtësia sociale, kuptimi që i jepet masakrave dhe të rënëve në ngjarje të tilla, faji i mbijetesës, kufiri midis jetës dhe vdekjes. Disa teori janë zhvilluar për t’u përballur me kompleksitetin e ndikimeve psikologjike të traumave që lidhen me ekspozimin ndaj luftës duke u munduar të ndërtojnë modele të reja të shpjegimit të reagimit ndaj traumës dhe ndërkohë të gjenden mënyra efektive të ballafaqimit me to. Këto modele marrin në konsideratë ndërveprimin kompleks të faktorëve psikosocialë të shumtë dhe reciprokë, të lidhur me politikat dhe ekologjike, të cilët njëkohësisht ndikojnë në fushat kryesore të jetës së të mbijetuarve.
Kjo na bën ne profesionistëve të hulumtojmë sa më shumë në krijimin e një sistemi i cili nuk mbështet vetëm tek individi, por të ofrojmë shërbime të cilat prezantojnë dimensionet e kohës dhe marrëdhëniet ndërvepruese midis një të mbijetuari dhe mjedisit të tij/saj ekologjik, në diskutimin në lidhje me traumën duke qene të vetëdijshëm se sekuencat traumatike mund të ndryshojnë në kontekste të ndryshme dhe në kohë të ndryshme përgjatë jetës.
Ajo që duhet që profesionistë e fushës së shëndetit mendor, por dhe organizatave humanitare gjatë marrjes me të mbijetuar, të mbështetemi në provat shkencore që janë në dispozicion. Ka prova të forta që ndërhyrjet psikosociale ofrojnë lehtësim të konsiderueshëm të simptomave të çrregullimit Posttraumatik, depresionin, ankthin, shqetësimet psikosomatike, mendimet vetëvrasëse, vetëmjekimin apo abuzimi me alkool. Trajtimet kognitive-sjellëse, këshillimit mbështetës, terapia e ekspozimit është studiuar në numrin më të madh të provave dhe ka treguar vazhdimisht efekte të dobishme. Trajtimet e kombinuara të ekspozimit dhe terapisë njohëse tregojnë avantazhe të vogla por të qëndrueshme mbi secilën nga ndërhyrjet vetëm. Kuptimi i mekanizmave përkatës psikobiologjikë dhe mënyra se si ato shpalosen me kalimin e kohës është e rëndësishme për të kuptuar se si të identifikohet më mirë rreziku, të promovohet elasticiteti dhe të trajtohet aty ku është e nevojshme, si dhe si të përshtaten ndërhyrjet në mënyrë optimale.
Fjalët çelës: vuajtje, psikologjike, vrasje, masakra, tortura, abuzime, trajtim i specializuar.
Krimet si gjenocidi dhe masakrimi konsiderohen si aktet më të rënda kundër njerëzimit, pasi bazohen në besimin se aktet e lidhura me to prekin dinjitetin thelbësor të qenieve njerëzore. Dinjiteti njerëzor është vlera e qenësishme e çdo individi. Ajo thekson barazinë, autonominë, paprekshmërinë dhe respektin, duke udhëhequr qenien drejt mënyrës se si i trajtojmë të tjerët dhe veten në raport me ta. Tortura përshkruhet si “përdorim i dehumanizimit nga ana e pushtetit dhe është një instrument shtypjeje dhe dërrmimi në nivelin personal apo kolektiv. Masakrat dhe torturat zakonisht ndodhin në një kontekst ku faktorët socialë dhe psikologjikë janë bashkuar për të lejuar dehumanizimin dhe etiketimin negativ të grupeve të synuara dhe ku bindja e individëve që kryejnë veprime të tilla bëhet arsye për të vepruar, zakonisht nën petkun e patriotizmit.
Ky kontekst tregon se si të mbijetuarit e masakrave dhe krimeve kanë ndjenja lënduese dërrmuese dhe ndikime të qëndrueshme në mirëqenien e tyre. Mbështetja dhe ndjeshmëria ndaj tyre është thelbësore për mbijetesë dhe shërim.
Edhe 23 vjet pas luftës, Kosova ende ka vështirësi për të arritur tek e vërteta e asaj që përgjaku dhe poshtëroi mjedisin tonë ku një pjesë e popullatës akoma edhe sot lufton për të vendosur drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës. Pas përfundimit të luftës, evidencat tregojnë që trauma masive shkakton një shkatërrim kaq të larmishëm dhe kompleks, saqë vetëm një kornizë shumëdimensionale, shumëdisiplinore, integruese mund ta përshkruajë atë në mënyrë të përshtatshme dhe të formësojë ndërhyrje efikase.
Identiteti i një individi ngërthen një ndërveprim kompleks të sferave ose sistemeve të shumta, duke përfshirë, por pa u kufizuar në ato biologjike, intrapsikike, familjare, politike, ekonomike, kulturore, kombëtare dhe ndërkombëtare.
Këto sisteme bashkëjetojnë në mënyrë dinamike përgjatë dimensionit kohor për të krijuar një konceptim të vazhdueshëm të jetës nga e kaluara në të tashmen e në të ardhmen. Kjo trajektore është edhe fokus i intervenimit psikiatrik dhe psikologjik duke u dhënë mundësi të mbijetuarve të krijojnë një kuptim të ri që u ndihmon të përballen me problemet që lidhen me traumën por jo vetëm.
Intervenimet e fokusuara në të mbijetuarit e torturave, dhunimeve dhe masakrave, plagë që qëndrojnë të hapura për shkak të ndjenjave, si faji, turpi, nënçmimi, si dhe mungesa e ndjenjës së dobishmërisë janë burimi më i fuqishëm i ndalimit të kalimit të traumës nga një gjeneratë në tjetrën.
1.0 Intervenimet menjëherë pas përfundimit të luftës
Menjëherë pas përfundimit të luftës ndihma profesionale ndaj viktimave u ofrua nga Departamenti i Neuropsikiatrisë në Prishtinë, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nga profesionistë të cilët kishin më shumë qasje biologjike, pa protokolle të trajtimit të të mbijetuarve të masakrave apo dhunës fizike dhe seksuale gjatë luftës dhe nuk kishin infrastrukturën për të mbështetur ata që nuk kërkonin ndihmë jashtë institucioneve. Shërbimet e shëndetit mendor përfaqësoheshin nga 19 neuropsikiatërë dhe shumë pak psikologë dhe punonjës socialë. Ndërkohë shërbimet profesionale në terren mbuloheshin nga më shumë se 700 OJQ ndërkombëtare dhe kombëtare, shumë prej të cilave punësonin punëtorë profesionistë të shëndetit mendor me kompetenca, përkushtim dhe ndjeshmëri të niveleve të ndryshme (Minear, van Baarda dhe Sommers, 2000).
Ndërkohë intervenimet në krizë nuk janë shoqëruar nga protokollet për mjekët profesionistë për trajtimin, referimet dhe raportimin e të mbijetuarve të masakrave apo dhunimet. Kjo ka bërë që pjesa më e madhe e të mbijetuarve t’u drejtoheshin organizatave të cilat kishin më shumë orientim në mbështetje me materiale të cilat siguronin mbijëtesën sesa ofronin mbështetje psikologjike apo psikiatrike dhe, mbi të gjitha, nuk ishin të koordinuara në nivel nacional. Ka disa dëshmi (Jones, Rrustemi, Shahini dhe Uka, 2003) që nganjëherë janë bërë dëme së bashku me një përmirësim të situatës, kjo për shkak se jetëgjatësia mesatare e një projekti ndërkombëtar në Kosovë ishte nga një deri në dy vjet, shpesh me ndryshimin e burimeve njerëzore në më pak se gjashtë muaj. Kjo e ka bërë shumë të vështirë krijimin e besimit në mbështetjen që u ofrohej:
“Ishte e vështirë që të mendoja për veten, për atë që më kishte ndodhur, më duhej të vrapoja gjithë ditën nëpër organizata për të siguruar ushqim, veshmbathje për fëmijët. Shtëpinë ma kishin djegur e nuk kisha mundësi për ta ndërtuar, na premtonin se do të na e rindërtonin, por duhet të presim kur të na vij rendi” ky është rrëfimi i një ish-veterani të luftës në Kosovë 5 vjet pas përfundimit të luftës.
Faza e parë e ndërhyrjes ishte me shumë mangësi:
- Spitalet kishin mungesë të programeve dhe protokolleve të trajnimit për të gjithë personelin spitalor për të drejtat dhe nevojat e viktimave të krimit, si dhe respektimin e një kodi etik, i cili do t’i bënte të mbijetuarit të ndiheshin të pastigmatizuar.
- Pamundësi të përfshirjes së familjes dhe komunitetit për të drejtat e të mbijetuarve.
- Intervistat e përsëritura të viktimave nga profesionistë të ndryshëm.
- Mungesë e trajtimeve të specializuara për të mbijetuarit e dhunës nga stafi i shëndetit mendor.
- Mungesë e respektimit të konfidencialitetit dhe privatësisë së të gjitha viktimave, veçanërisht në rastet e dhunës seksuale.
Në një mjedis të tillë të mbijetuarit e masakrave kanë kaluar në një sërë fazash në procesin e tyre të rimëkëmbjes dhe shërimit edhe pse ato nuk janë rigjide në shpërndarje për disa të mbijetuar, përvojat unike dhe traumatike të masakrave mund të rezultojnë në faza të ndryshme të rikuperimit. Këtu janë disa faza të mundshme të cilat janë fokus i ndërhyrjeve terapeutike:
Trauma dhe dhimbja e thellë– të mbijetuarit e masakrave kishin përjetuar një shkallë të pashembullt të dhimbjes dhe humbjes. Kjo i bënte ata të kishin nivele të larta të ankthit, depresionit dhe simptoma të PTSD-së. Të mbijetuarit e krimeve në luftë shpesh kanë ndjenja të frikës dhe pasigurisë. Ata mund të jenë të frikësuar për sigurinë e tyre dhe të familjes së tyre, dhe kjo ndjenjë e frikës mund të ndikojë në aftësinë e tyre për të besuar në të tjerët dhe për të ndarë me ta emocionet dhe ndjenjat e tyre.
Vizioni negativ – i vetes te të mbijetuarit e torturave shpjegohet nga trauma dhe dhimbja që ata kanë përjetuar gjatë torturës. Në shumë raste, tortura mund të shkaktojë një ndjenjë të ndrydhjes dhe inferioritetit te të mbijetuarit dhe ata mund të ndihen se nuk janë më vlerë si njerëz ose nuk kanë më ndonjë kuptim në jetë. Kjo mund të ndodhë për shkak të ndjenjës së humbjes së kontrollit dhe autonomisë së tyre gjatë torturës, duke i bërë ata të ndjehen të dobët dhe të pavlefshëm.
Mënyra e mbijetesës – gjatë masakrave, shumë të mbijetuar u detyruan të përqendroheshin në nevojat e tyre themelore për mbijetesë, si gjetja e ushqimit, ujit, strehimit dhe sigurisë. Kjo mendësi mund të vazhdojë edhe pas përfundimit të luftës, pasi të mbijetuarit përpiqen të mbijetojnë dhe të përshtaten me një realitet të ri dhe të rindërtojnë jetën e tyre.
Tronditja dhe mosbesimi – pasi kishin përjetuar trauma dhe humbje të mëdha, të mbijetuarit ishin në përpjekje të pajtoheshin me atë që kishte ndodhur. Shumë prej tyre kishin vështirësi të besonin se ia kishin dalë të kalonin një ngjarje të tmerrshme dhe nuk mund të luftonin me fajin e të mbijetuarit. Problemet e komunikimit me të mbijetuarit e krimeve të luftës ishin ndjenjat e frikës dhe të mosbesimit, probleme në komunikimin me të tjerët, ndjesia e ndarjes nga shoqëria, probleme në marrjen e vendimeve dhe ndjenjat e izolimit dhe e vetmisë. Shumë prej tyre iu vinte keq të flisnin për ato që kishin përjetuar, që të mos shpërndanin ndjenjat e frikës dhe të mosbesimit të tyre te të tjerët.
Mpirja emocionale – disa të mbijetuar kishin përjetime të mpirjes emocionale ose shkëputje nga ajo që u kishte ndodhur duke e përdorur si një mekanizëm përballues. Kjo e bënte të pamundur shprehjen e emocioneve të tyre dhe në mënyrë të veçantë të kishin vështirësi në lidhjen me të tjerët. Ishte evidente në takimet grupore apo individuale që të mbijetuarit ishin të ndarë në mes botës emocionale dhe njohëse, mekanizëm ky që të mbijetuarit i ndihmon për të fituar kohë për t’i dhënë kuptim dehumanizimit të përjetuar.
Kërkimi për drejtësi – shumë prej të mbijetuarve të masakrave dëshirojnë që kriminelët të ndëshkohen dhe të dënohen për veprat e tyre. Kjo ishte dhe vazhdon të jetë një pasojë e ndjenjave të pakompromis për drejtësi e cila kombinohet me ndjenjën e thellë të fajit që kanë mbijetuar dhe njëkohësisht ndjenjat e izolimit dhe mosmbështetjes nga institucionet.
Riintegrimi – shumë të mbijetuar të masakrave duhej të linin shtëpitë, familjet dhe komunitetet e tyre. Ndërsa rindërtonin jetën e tyre, ata luftonin për t’u riintegruar në shoqëri dhe për të gjetur një ndjenjë përkatësie ndërkohë që disa prej tyre përballeshin me diskriminimin ose paragjykimin bazuar në përvojat e tyre si të mbijetuar të masakrave. Menjëherë pas përfundimit të luftës shumë prej tyre për shkak të frikës së paragjykimeve nuk kërkuan ndihmë as në organizatat e huaja si viktima, por përdorën kërkesën e ndihmës për mbijetesën dhe një fenomen që ka ndodhur po pas luftës, disa prej viktimave i drejtoheshin shërbimeve profesionale përmes një anëtari tjetër të familjes, në veçanti duke sjellë fëmijët e tyre, duke qenë se kjo ishte më pak stigmatizuese.
Qëndrueshmëria dhe rritja – pavarësisht sfidave dhe pengesave të shumta, shumë të mbijetuar të masakrave kanë treguar qëndrueshmëri dhe forcë të jashtëzakonshme. Ata kanë gjetur mënyra për t’u lidhur me të tjerët që kanë ndarë përvojat e tyre, dhe të gjenin kuptimin e mbijetesë së tyre dhe të krijonin një ndjenjë të re qëllimi dhe identiteti.
Kjo fazë është gjithashtu e fokusuar në trajtimin e çrregullimeve, si stresi pas traumës, depresioni, ankthi, çrregullimet e gjumit, si dhe çrregullime të tjera psikiatrike. Qasja në këtë fazë ka qenë më shumë e fokusuar, në debriefing/ zbrazjen, si dhe mbështetje psikosociale të ofruar nga organizatat në terren.
Trajtimi farmakologjik ka qenë mjaft i shprehur në atë fazë. Vlen të theksohet se në këtë fazë pothuajse të gjithë personat që kanë kërkuar ndihmë kanë pasur kërkesë për përdorim të medikamenteve dhe njëkohësisht kemi mjaft raporte të vetëmjekimit me benzodiazepina.
2.0. Faza e dytë
Në një kontekst të tillë ku shumë nga të mbijetuarit nuk kishin mundësi të merrnin shërbimet e duhura, disa iniciativa qenë nga organizatat ndërkombëtare për ngritjen e kapaciteteve vendore për trajtime të specializuara rreth përpunimit të traumës për viktimat e masakrave dhe të mbijetuarve të torturave.
Për shkak se traumat e luftës dhe torturave janë shumë të ndryshme nga trauma e zakonshme, ato kërkojnë një trajtim të specializuar dhe të ndjeshëm ndaj kulturës dhe kontekstit në të cilin ndodhen të mbijetuarit, duke krijuar konfuzion te profesionistët të cilët trajnoheshin me teknika të cilat nuk ishin të aplikueshme për mjedisin tonë duke favorizuar në disa raste edhe traumatizim sekondar, për shkak të mungesës së kompetencës se profesionistëve.
Studimet kanë treguar se efektet e luftërave në shëndetin mendor, shëndetin fizik, sigurinë ekonomike dhe stabilitetin politik janë afatgjata. Për këtë arsye ishte e qartë se shërbimet dhe trajtimet duhet të kenë një qasje holistike dhe të adresojnë të gjitha aspektet e shëndetit mendor dhe emocional të personit, duke përfshirë edhe nevojat e tyre të shëndetit fizik dhe ndihmën sociale. Specialistët u ballafaquan me sfida për t’i aplikuar ato teknika. Problemet të cilat filluan të ishin prezente te të mbijetuarit e masakrave dhe torturave ishin të shumëllojshme, si çrregullimi i stresit posttraumatik, ankthi, depresioni, abuzimi i alkoolit dhe substancave, rritja e shkallës së vetëvrasjeve etj.
PTSD (çrregullimi i stresit post-traumatik):
Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) mund të ndodhë te njerëzit që kanë përjetuar ose kanë qenë dëshmitar të një ngjarjeje traumatike, një seri ngjarjesh ose një sërë rrethanash. Një individ mund ta përjetojë këtë si emocionalisht ose fizikisht të dëmshme ose kërcenuese për jetën dhe mund të ndikojë në mirëqenien mendore, fizike, sociale dhe/ose shpirtërore. Manifestimet e sindromës së stresit post-traumatik mund të ndryshojnë sipas kulturës dhe gjuhës së personit që ka përjetuar ngjarjen traumatike. Shumë studime sugjerojnë se ashpërsia dhe lloji i simptomave të paraqitura mund të pasqyrojnë mënyrën se si masakra apo tortura është perceptuar nga i mbijetuari, natyra e faktorëve stresues pas atyre eksperiencave, si dhe shkalla e mbështetjes sociale të marrë nga i mbijetuari. Në Kosovë pas luftës ka pasur disa organizata të cilat kanë ofruar qasje të mbështetjes familjare, seancat e të cilave janë mbështetur në edukimin psikosocial të klientëve, si dhe fuqizimin e rrethit familjar për të mbështetur viktimat.
2. Ankthi dhe depresioni – këto dy çrregullime janë raportuar me numër të rritur në popullatën civile pas luftës. Hulumtimet e kryera në kontekstin e Kosovës tregojnë se prevalenca e ankthit dhe depresionit sillet nga 33.6% në 47.6% o (Kamberi et al., 2019; Arenliu et al., 2016; Priebe et all., 2010). Të mbijetuarit e torturës mund të vuajnë nga ankthi dhe depresioni si rezultat i traumave të rënda që kanë përjetuar, si dhe kontekstit familjar, social dhe ekonomik që e formësojnë jetën e tyre. Kjo është konfirmuar edhe nga Kashdan, Todd B., Nexhmedin Morina dhe Stefan Priebe (2009) të cilët gjetën se çrregullimet psikiatrike u shoqëruan me shmangie më të madhe eksperimentale dhe shqetësim psikologjik dhe cilësi më të ulët të jetës.
5. Probleme shëndetësore fizike – të mbijetuarit e torturës mund të vuajnë edhe nga probleme shëndetësore fizike, si plagët dhe lëndimet e marra gjatë torturave, sëmundjet infektive si pasojë e kushteve higjienike dhe mungesës së ujit dhe ushqimit. Një gjetje interesante në kontekstin e Kosovës në një studim të realizuar me veteranët e luftës 8 vjet pas përfundimit të luftës, ku shumë pjesëmarrës raportuan se kishin probleme emocionale dhe më shumë se një problem shëndetësor dhe se nuk kishin kërkuar ndihmë mjekësore. Studimi ka sugjeruar se kjo mund të vinte pikërisht nga vështirësitë në qasjen në shërbimet mjekësore në Kosovë, pasi nuk kishte institucione të specializuara për të punuar me veteranët dhe niveli relativisht i lartë i stigmës. Ndërkohë, që është raportuar nivel i lartë i përdorimit të medikamenteve pa përshkrim të mjekut, për të qetësuar dhimbjet e ndryshme.
Këto rezultate kanë qenë në përputhje me studimet e tjera (Schell & Marshall, 2008), të cilat zbuluan se barrierat ndaj kujdesit përfshinin, në mënyrë të përafërt, shqetësimet rreth konfidencialitetit dhe diskriminimit, preferencat për t’u mbështetur te familja dhe miqtë, shqetësimet për efektivitetin ose efektet anësore të trajtimeve.
6. Abuzimi i alkoolit dhe substancave – disa të mbijetuar iu drejtuan alkoolit për të vetëmjekuar dhe përkohësisht ikin nga emocionet shqetësuese, kujtimet traumatike ose simptomat e kushteve të shëndetit mendor, si ankthi ose depresioni. Gjithashtu, mbështetja tek alkooli mund të sigurojë një ndjenjë afatshkurtër relaksimi dhe lehtësimi të stresit apo mund të sigurojë një arratisje të përkohshme nga sfidat ose përgjegjësitë e jetës, duke ofruar një ndjenjë lirie dhe lehtësimi. Është e rëndësishme të theksohet se ndërsa alkooli mund të ofrojë lehtësim të përkohshëm, ai nuk është një strategji e shëndetshme ose efektive e përballimit afatgjatë, pasi mund të çojë në një sërë pasojash negative, duke përfshirë varësinë, gjykimin e dëmtuar, çështjet shëndetësore dhe përkeqësimin e problemeve të shëndetit mendor ose mpirjen nga dhimbja e traumës së tyre.
7. Çështjet e marrëdhënieve – të mbijetuarit kishin vështirësi t’u besonin të tjerëve ose të krijonin marrëdhënie të ngushta për shkak të përvojave të tyre. Ata gjithashtu luftonin me ndjenjat e izolimit ose vetmisë. E kishin të vështirë të besonin të tjerët apo të krijonin lidhje përmbajtësore me të tjerët.
8. Humbja, vdekja dhe zhdukja e fëmijëve – në kohën e luftës në mungesë të tyre nuk ishte më një moment traumatik, por krijimi i një perspektive traumatike e cila ndikon në formësimin e besimeve familjare, këndvështrimin për domosdoshmërinë dhe mbikëqyrjen prindërore dhe formësimin jetësor të prindërve në kërkim të përmbushjes së hapësirës boshe që kishte krijuar humbja e fëmijëve.
Humbja e fëmijëve në shumë familje kishte krijuar te prindërit një nevojë për të përmbushur ekzistencën përmes ripërtëritjes së emrit, lindjeve të reja me qëllim të kompensimit, por që, në të vërtetë, shpesh krijonte një burim stresi të vazhdueshëm.
9. Suicidi dhe vetëvrasja – ekziston një debat i konsiderueshëm për arsyen e rritjes së rrezikut të vetëvrasjes te të mbijetuarit e traumës. Ndërsa disa studime sugjerojnë se rreziku i vetëvrasjes është më i lartë në mesin e atyre që përjetuan trauma për shkak të simptomave të PTSD-së (Ferrada-Noli, at all (1998); Amir, at all 1999), të tjerë pretendojnë se rreziku i vetëvrasjes është më i lartë te këta individë për shkak të kushteve psikiatrike të lidhura (Fontana, A., & Rosenheck, & Rosenheck 2004; Robison, B. K. 2002).
Shumë nga klientët edhe pse kishin kaluar më shumë se 8 vjet pas përfundimit të luftës, vazhdonin të përdornin ndarjen në mes të të menduarit dhe emocioneve dhe bënin një përzgjedhje në mes tyre, duke u përqendruar vetëm në mendime me të cilat ‘shkëputeshin’ nga bota përreth, duke shmangur diçka që ua kujtonte traumën e tyre, edhe nëse ai objekt ose aktivitet nuk ishte i rrezikshëm ose kërcënues në vetvete. Ky mekanizëm ka qenë sfida më e rëndësishme në aspektin e trajtimit të viktimave, dhe që në fakt i krijonin vazhdimësi efekteve të traumës së përjetuar. Edhe sot mbas 23 vjetëve, profesionistët e shëndetit mendor vazhdojnë të punojnë me klientë që nuk e kanë përpunuar traumën.
3.0 Zhvillimi i intervenimeve të specializuara
për t’iu përgjigjur kësaj sfide
Terapia familjare – ndihmon të mbijetuarit e masakrave në përmirësimin e marrëdhënieve familjare dhe ndihmon në trajtimin e traumës së tyre nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit. Kjo lloj terapie përfshin të gjithë anëtarët e familjes dhe ndihmon në kuptimin e rolit që secili person luan në funksionimin e familjes. Terapia familjare ndihmon të mbijetuarit të mësojnë mënyra të reja për të komunikuar dhe për të zgjidhur konfliktet në një mënyrë të shëndetshme. Kjo terapi mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të PTSD-së dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së të mbijetuarve të masakrave.
Trajtimi farmakologjik – ilaçet psikiatrike mund të ndihmojnë në trajtimin e simptomave të ankthit, depresionit dhe PTSD-së te të mbijetuarit e torturës. Këto barna mund të jenë të ndryshme, si për llojin e simptomave të trajtuara, ashtu edhe për dozat dhe efektet anësore.
Terapia kognitive-përballuese (CBT) – është një lloj psikoterapie që fokusohet në lidhjen midis mendimeve, sjelljeve dhe emocioneve. Synon të ndihmojë individë që të identifikojnë dhe ndryshojnë mendimet dhe sjelljet negative ose të padobishme, duke çuar në përmirësimin e rregullimit emocional dhe shëndetit mendor. Kjo qasje përmirëson aftësitë e tyre të komunikimit, të menaxhimit të konflikteve dhe të zhvillimit të marrëdhënieve më të shëndetshme.
Terapia në grup – terapia grupore është një teknikë efektive e trajtimit që mund të ndihmojë në zbutjen e efekteve të traumave psikologjike. Kjo lloj terapie përfshin një grup të vogël njerëzish që kanë përjetuar traumën, të cilët punojnë së bashku me një terapist për të adresuar simptomat dhe ndjenjat e tyre.
Një prej përfitimeve të terapisë grupore është se pjesëmarrësit ndihen të lidhur dhe të kuptuar nga të tjerët që kanë përjetuar eksperiencën e njëjtë. Kjo mund të ndihmojë në zbutjen e ndjenjës së izolimit dhe në rritjen e besimit dhe ndjenjës së bashkëpunimit. Pjesëmarrësit mund të ndihen të ndihmuar dhe të inkurajuar nga të tjerët të cilët po përpiqen të përballen me të njëjtin problem.
Terapia e artit – terapia e artit mund të ndihmojë të mbijetuarit e dhunës seksuale të shprehin ndjenjat e tyre dhe të lehtësojë tensionin dhe ankthin.
Trauma terapia – është një formë e ndihmës shpirtërore dhe emocionale që mund të ndihmojë të mbijetuarit e masakrave për të trajtuar dhimbjen dhe ankthin e tyre dhe për të ndërtuar një jetë të re të plotësuar me shpresë dhe qëllime. Kjo mund të bëhet nëpërmjet seancave të terapisë individuale ose në grupe dhe përfshin trajtimin e simptomave të ankthit, depresionit, gjumit dhe flashbacks, si dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme dhe të ndjehet në kontroll të jetës.
Trauma terapia mund të jetë një proces i vështirë dhe i ngarkuar, por me ndihmën e një terapeuti të specializuar në këtë fushë, të mbijëtuarit e masakrave mund të ndryshojnë mënyrën e tyre të të menduarit dhe të reagojnë ndaj ngjarjeve traumësore. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i trajtimit të traumës është që të mbijetuarit të kenë një ndjenjë të sigurisë dhe besimit në mjedisin ku jetojnë, si dhe që të kenë mundësi të lidhen me komunitetin dhe me burime të tjera të ndihmës dhe mbështetjes.
4.0 Qëndrimet e shoqërisë formësojnë efikasitetin e qasjes multidisiplinare
Qëndrimet e shoqërisë ndaj mbijetuesve të masakrave të luftës mund të ndryshojnë gjerësisht në varësi të kontekstit kulturor, politik dhe historik. Në përgjithësi, është e rëndësishme që shoqëria të tregojë empati dhe respekt ndaj të mbijetuarve të masakrave të luftës dhe të ofrojë ndihmë dhe mbështetje. Kjo mbështetje mund të përfshijë trajtime dhe shërbime psikologjike të specializuara të ofruara mbështetur mbi evidencë shkencore, krijimi i një strategjie kombëtare për trajtimin e të traumatizuarve të luftës, krijimi i programeve mbështetëse në aspektet sociale dhe ekonomike dhe, mbi të gjitha, respektim të të drejtave të tyre dhe njohje të vuajtjeve të tyre pa u keqpërdorur politikisht.
Përballja me të kaluarën dhe kapërcimi i vuajtjeve psikologjike në një mënyrë të qëndrueshme është e mundur vetëm mbi bazën e të vërtetës dhe duke e shkundur paradigmën sipas së cilës vetëm një komunitet i caktuar është ndikuar nga krimet e ndodhura gjatë luftës.
E vërteta është pjesë e procesit të shërimit; ajo ndihmon në kthimin e dinjitetit personal, ndryshon perceptimin shoqëror, jep trajtim të barabartë për të gjithë dhe lufton pandëshkueshmërinë dhe mohimin publik.
Ja disa shembuj se si shoqëria ka reaguar ndaj mbijetuesve të masakrave të luftës në kontekste të ndryshme:
1. Bosnja dhe Hercegovina: pas Luftës së Bosnjës në vitet 1990, shumë mbijetues të masakrave të luftës u përballën me diskriminim dhe margjinalizim nga shoqëria. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) u themelua për të ndjekur në drejtësi ata që ishin përgjegjës për krime lufte, por shumë boshnjakë ndjenin se drejtësia nuk po bëhej. Në vitet e fundit, ka pasur një lëvizje rritëse për të njohur dhe mbështetur nevojat e mbijetuesve të masakrave të luftës, duke përfshirë përpjekjet për të dokumentuar dhe komemoruar atrocitetet që ndodhën.
2. Ruanda – pas gjenocidit në vitin 1994, qeveria dhe shoqëria civile ruandeze kanë bërë përpjekje të rëndësishme për të mbështetur mbijetuesit e masakrave të luftës. Kjo përfshin ofrimin e këshillimit dhe shërbimeve të shëndetit mendor, si dhe themelimin e një programi kombëtar për riparim. Megjithatë, disa mbijetues vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe stigmatizim në komunitetet e tyre.
3. Kamboxhia – mbijetuesit e regjimit Khmer Rouge në vitet 1970 fillimisht u përballën me stigmë dhe heshtje të rëndë nga shoqëria kamboxhiane. Megjithatë, në vitet e fundit, ka pasur njohje dhe mbështetje më të madhe për mbijetuesit e masakrave të luftës, duke përfshirë themelimin e një gjykate Khmer Rouge për të ndjekur në drejtësi ata që ishin përgjegjës për atrocitetet. Megjithatë, shumë mbijetues vazhdojnë të luftojnë me varfërinë dhe mungesën e qasjes në shërbime bazike. Në përgjithësi, përgjigjja e shoqërisë ndaj mbijetuesve të masakrave të luftës është komplekse dhe mund të ndryshojë gjerësisht në varësi të kontekstit.
Ka një numër në rritje të provave që mbështesin përdorimin e një qasjeje multidisiplinare në trajtimin e të mbijetuarve të masakrave të luftës. Një qasje e tillë përfshin një ekip profesionistësh nga fusha të ndryshme, duke përfshirë psikologjinë, psikiatrinë, punën sociale dhe mjekësinë, duke punuar së bashku për të ofruar kujdes të plotë për të mbijetuarit. Një studim i kryer në Bosnjë dhe Hercegovinë zbuloi se një qasje multidisiplinare për trajtimin e të mbijetuarve të traumave të lidhura me luftën çoi në përmirësime të rëndësishme në rezultatet e shëndetit mendor, duke përfshirë reduktimin e simptomave të depresionit, ankthit dhe PTSD-së (Priebe et al., 2010). Një studim tjetër i kryer në Kroaci zbuloi se një qasje ekipore multidisiplinare, e cila përfshinte ndërhyrje farmakologjike dhe psikologjike, ishte efektive në reduktimin e simptomave të PTSD-së te të mbijetuarit e traumave të luftës (Kraljevic et al., 2012).
Për më tepër, një rishikim i literaturës për trajtimin e të mbijetuarve të traumave të luftës zbuloi se një qasje multidisiplinare është më efektive sesa ndërhyrjet me një modalitet, të tilla si vetëm mjekimi ose psikoterapia (Mollica et al., 2007). Autorët e rishikimit vunë në dukje se një qasje shumëdisiplinore lejon përshtatjen e trajtimit me nevojat specifike të të mbijetuarit individual, gjë që është thelbësore për kujdesin efektiv.
5.0 Pse duhet qasje multidisiplinare?
Në përgjithësi, provat sugjerojnë se një qasje multidisiplinare për trajtimin e të mbijetuarve të masakrave të luftës është efektive dhe e nevojshme për ofrimin e kujdesit gjithëpërfshirës që adreson nevojat komplekse dhe të ndryshme të të mbijetuarve.
Sfida kryesore me të cilën institucionet e shëndetit mendor duhet të fokusohen janë trajtimi i specializuar i të mbijetuarve të krimeve të luftës për shkak të ndërprerjes së transmetimit të traumave nga një gjeneratë në tjetrën.
Trauma ndër breza mund të përkufizohet si “përjetimi dhe kujtimi subjektiv i ngjarjeve në mendjen e një individi ose në jetën e një komuniteti, të kaluar nga të rriturit tek fëmijët në procese ciklike” (Atkinson, Nelson dhe Atkinson 2010).
Trauma masive shkakton një shkatërrim kaq të larmishëm dhe kompleks sa që vetëm një kornizë shumëdimensionale mund ta përshkruajë atë në mënyrë adekuate. Kellerman (2015) kur shpjegon traumën transgjenerative, bën dallimin midis procesit të transmetimit, duke iu referuar mënyrës se si trauma transmetohet nëpër breza dhe përmbajtjes së transmetimit.
Ky transferim mund të ndodhë përmes mekanizmave të ndryshëm, duke përfshirë:
1. Ndryshimet epigjenetike – trauma mund të shkaktojë ndryshime në shprehjen e gjeneve, të cilat mund t’u kalojnë pasardhësve. Këto ndryshime mund të ndikojnë në rregullimin e hormoneve të stresit, duke çuar në një rritje të ndjeshmërisë ndaj ankthit, depresionit dhe çrregullimeve të tjera të shëndetit mendor.
2. Sjellja e prindërve – të mbijetuarit që kanë përvoja traumatike mund të ndryshojnë ndjenjën e vetes dhe ndjenjën e besimit te të tjerët. Kjo perspektivë e re për botën e formëson negativisht stilin e tyre prindëror si autoritarian, neglizhues apo liberal. Stili prindëror ndikon në stilin e lidhjes midis prindit dhe pasardhësve. Stili i komunikimit familjar mund të ndikohet nga përvojat traumatike dhe mund të shprehet drejtpërdrejt apo tërthorazi tek anëtarët e tjerë të familjes. Kjo situatë ndikon në atmosferën e dialogut familjar. Në hulumtimet e mëparshme (Danieli, Norris, Lindert, Paisner, Engdahl, et al., 2015), identifikuan dallime të qarta midis:
stilit të viktimës (që karakterizohet me mbërthim në rupturën që ka shkaktuar eksperienca traumatike, paqëndrueshmëri emocionale dhe mbimbrojtje),
stilit të mpirë (shkëputje emocionale, konspiracion dhe heshtje brenda familjes dhe intolerancë ndaj dobësisë), dhe
stilit të luftëtarit (vlerësimi dhe ruajtja e identitetit dhe vlerësimi i mjeshtërisë dhe drejtësisë).
3. Socializimi – individët e traumatizuar mund t’ua përcjellin përvojat e tyre fëmijëve të tyre nëpërmjet socializimit. Kjo mund të ndodhë përmes transmetimit të besimeve, qëndrimeve dhe sjelljeve kulturore që përjetësojnë efektet e traumës.
4. Faktorët psikologjikë – individët e traumatizuar mund të përjetojnë vështirësi në rregullimin e emocioneve dhe sjelljes së tyre, të cilat mund të ndikojnë në stilin e tyre të prindërimit dhe të ndikojnë në zhvillimin emocional të fëmijëve të tyre.
Të mbijetuarit me të cilët kemi punuar në Kosovë janë detyruar të kultivojnë ndjenjën stoike të heroizmit dhe të përkushtimit ndaj atdheut, por shumë prej tyre nuk kanë qenë në gjendje të përcjellin atë që realisht ndjejnë në lidhje me realitetin: qëllimin për të mbrojtur familjen e tyre dhe në veçanti fëmijët e tyre. Shumë prej tyre mbetën pa mbështetje institucionale. Ata siguruan mbijetesën e familjes së tyre me shumë vështirësi. Ne supozuam se ata zhvilluan një gjuhë të pashprehur që i mbronte nga presioni shoqëror, por në të njëjtën kohë i ndihmoi të bënin një dallim midis realitetit dhe botës së tyre të brendshme” (Shahini M, Ahmetaj A, Charles, 2016).
Konkluzione
Është thelbësore të theksohet se çdo individ është unik dhe ajo që funksionon më mirë për një të mbijetuar, mund të mos jetë aq efektive për një tjetër. Zgjedhja e trajtimit duhet t’u përshtatet nevojave, preferencave dhe rrethanave specifike të secilit person që ka mbijetuar. Për më tepër, një kombinim i qasjeve të ndryshme mund të jetë më i dobishëm për disa individë, pasi adreson kompleksin e eksperiencës traumatike dhe lidhshmërinë me mjedisin ku jeton dhe zhvillon veprimtarinë e tij/saj. Për rezultate më të mira, është thelbësore që trajtimi i të mbijetuarve të ofrohet nga profesionistë të kualifikuar të shëndetit mendor me përvojë në terapinë e traumës dhe praktikat e bazuara në dëshmi. Procesi i trajtimit duhet të jetë bashkëpunues dhe i bazuar në një aleancë të fortë terapeutike midis të mbijetuarit dhe ofruesit të tij të shëndetit mendor. Vlerësimi dhe monitorimi i rregullt i progresit janë gjithashtu të rëndësishëm për të siguruar efektivitetin e metodës së zgjedhur të trajtimit. Vëmendja ndaj faktorëve të rrezikut dhe ndërhyrja e hershme do të jetë e nevojshme për të parandaluar sëmundje të ngjashme psikologjike afatgjate.
Në arritjen e një përfshirjeje sa më të gjerë të komponentëve integrues, është e domosdoshme që të kemi një strategji nacionale për trajtimin e të gjitha viktimave të luftës.
Bibliographia
- Minear, Larry, Ted Van Baarda, and Marc Sommers. NATO and humanitarian action in the Kosovo crisis. Thomas J. Watson Jr. Institute for International Studies, 2000
- Jones, Lynne, Alban Rrustemi, Mimoza Shahini, and Aferdita Uka. “Mental health services for war-affected children: report of a survey in Kosovo.” The British Journal of Psychiatry 183, no. 6 (2003): 540-546
- Kamberi, Haxhi, Naim Jerliu, Vanesa Sefa, and Genc Burazeri. “Depression, anxiety and socio-demographic factors among hospitalized patients in Gjakova region, Kosovo.” Journal of Science, Humanities and Arts-JOSHA 6, no. 4 (2019).
- Arenliu, Aliriza, Kaltrina Kelmendi, and Dashamir Berxulli. “Gender differences in depression symptoms: Findings from a population survey in Kosovo–A country in transition.” Psychological Thought 9, no. 2 (2016).
- Priebe, Stefan, Marija Bogic, Dean Ajdukovic, Tanja Franciskovic, Gian Maria Galeazzi, Abdulah Kucukalic, Dusica Lecic-Tosevski et al. “Mental disorders following war in the Balkans: a study in 5 countries.” Archives of general psychiatry 67, no. 5 (2010): 518-528
- Kashdan, Todd B., Nexhmedin Morina, and Stefan Priebe. “Post-traumatic stress disorder, social anxiety disorder, and depression in survivors of the Kosovo War: Experiential avoidance as a contributor to distress and quality of life.” Journal of anxiety disorders 23, no. 2 (2009): 185-196
- Schell, Terry L., and Grant N. Marshall. “Survey of individuals previously deployed for OEF/OIF.” Invisible wounds of war: Psychological and cognitive injuries, their consequences, and services to assist recovery (2008): 87-115.
- Ferrada‐Noli, Marcello, Marie Asberg, Kari Ormstad, Tom Lundin, and Elisabet Sundbom. “Suicidal behavior after severe trauma. Part 1: PTSD diagnoses, psychiatric comorbidity, and assessments of suicidal behavior.” Journal of Traumatic Stress: Official Publication of The International Society for Traumatic Stress Studies 11, no. 1 (1998): 103-112.
- Amir, Marianne, and Rachel Lev‐Wiesel. “Time does not heal all wounds: Quality of life and psychological distress of people who survived the Holocaust as children 55 years later.” Journal of Traumatic Stress: Official Publication of the International Society for Traumatic Stress Studies 16, no. 3 (2003): 295-299.
- Fontana, Alan, and Robert Rosenheck. “Trauma, change in strength of religious faith, and mental health service use among veterans treated for PTSD.” The Journal of nervous and mental disease 192, no. 9 (2004): 579-584.
- Robison, Bryan Keith. Suicide risk in Vietnam veterans with posttraumatic stress disorder. Pepperdine University, 2002.
- Mollica, Richard F., Kathleen Rey Caridad, and Michael P. Massagli. “Longitudinal study of posttraumatic stress disorder, depression, and changes in traumatic memories over time in Bosnian refugees.” The Journal of nervous and mental disease 195, no. 7 (2007): 572-579.
- Atkinson, Judy, Jeff Nelson, and Caroline Atkinson. “Trauma, transgenerational transfer and effects on community wellbeing.” Working together: Aboriginal and Torres Strait Islander mental health and wellbeing principles and practice (2010): 135-144.
- Kellermann, Natan PF. “Epigenetic transgenerational transmission of Holocaust trauma: A Review.” Retrieved October 8 (2015): 2016.
- Danieli, Yael, Fran H. Norris, Jutta Lindert, Vera Paisner, Brian Engdahl, and Julia Richter. “The Danieli Inventory of Multigenerational Legacies of Trauma, Part I: Survivors’ posttrauma adaptational styles in their children’s eyes.” Journal of psychiatric research 68 (2015): 167-175.
- Shahini, Mimoza, Adelina Ahmeti, and Laurie L. Charlés. “Family Therapy in Postwar Kosova: Reforming Cultural Values in New Family Dynamics.” Family Therapy in Global Humanitarian Contexts: Voices and Issues from the Field (2016): 65-76.