
Prof.Ledri KURTI
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
Përmes titullit Porosia e Kullës, “Kulla” është trashëgimia, që thërret por dhe hesht njëkohësisht, me pranimin stoik të heshtjes, që flet vetë.
Ndryshe, Ëndërrime në bagazhin e një makine si titull, është aq gjithëpërfshirës në thjeshtësinë e pafajsinë në dukje të saj, sa mund të imagjinohet në aktin e hapjes, hyrjes brenda, mbylljen e bagazhit dhe gjer në rrezen fundore të dritës që zhduket gjatë këtij çasti, për t’u kruspullosur brenda tij, me këtë proces të thjeshtë në dukje, por me qënien brenda, tek I cili ndodh procesi i vetkomunikimit me thellësitë e heshtura të vetes, me të shkuarën, prej së cilës po iket, me frikërat, ankthet, pikëpyetjet dëshirat e vëna në një udhë me të panjohurën, me ëndrrrat.
Përroi e ndërgjegjes bart rrahjet e zemrës nën presionin e nostalgjisë, ndjenjave ndaj së shkuarës së njohur e të dashur, përfshi këtu kullën, njerëzit, miqtë, shokët, kujtimet, gjithçkaje të lënë pas por të dashur gjer në palc, si dhe të panjohurës, intrigueses, që e nxit në ëndrrat drejt diçkaje të re, të re, të re!
Ndërsa po t’i referohemi titullit Porosia e Kullës, në vetvete ‘Kulla’, është simbolika e traditës së mirë, që përmbledh gjithë hartën e brendshme shpirtërore dhe rritjen 20 vjeçare të një djali gjer në sipërmarrjen sfiduese drejt ëndrrës, për t’ia dalë si një gur i rëndë i asaj kulle dhe I trashëgimisë së vendit të vet. Ajo rreze dielli e larguar përfundimisht me mbylljen e bagazhit të makinës, së bashku me ankthin dhe pasiguritë e pritshme, krijon një suspens, duke mbajtur në gjendje pezull lexuesin dhe qënien brenda tij. Në këtë suspens errësire së bashku me qënien brenda saj, mbetet dhe gjithçka e mirëtrashëguar nga palca shqiptare në të, simbolikisht nga ‘Kulla’ e virtyteve dhe e brezave të tërë. Një manovër artistike kjo, që ndihmon në ndërtimin e rrëfimit të mëtejmë, gjer në daljen përfundimtare nga bagazhi i makinës dhe mbërritjen ‘në tokën e mundësive’. Dalja nga mbyllja dhe e errëta brenda saj, si dhe liria për të shijuar dritën, është njëkohësisht dalje mbi sfidat mendore e shpirtërore, që e kushtëzuan protagonistin në këtë sipërmarrje, është finalitet i qëndrueshmërisë së ‘Kullës’ dhe derivat logjik i mbijetesës së brezave ndaj shtrëngesave e pasojave të hartës historike dhe politike, në të cilën, shqiptarët e këtij rajoni, jetuan a mbijetuan.
Kthimi pas në kohë, kujtimet e afërta a memorjet e largëta, gjurmët e dendura të etnosit dhe kulturës shqiptare (festat e krishtera tradicionale, organizimi i brendshëm familjar por dhe lokal, rregulla të atmosferave të tilla dhe normat për t’u respektuar), trashëgimia e leksikut dhe rrënjëve leksikore, vijnë edhe me ndërthurje
1. pasqyrimi ligjesh të shkruara por edhe të pashkruara. Kujtojmë këtu:
a. Në shkollë të mesme: Vlerësimi qëllimdashës negativ dhe pas shumë përpjekjesh absurde vlerësim minimalist, si pasojë e paragjykimit ndaj kombësisë dhe megallomanisë së pozicionit vlerësues të pedagogut,
b. Nepotizmi i shfrenuar: I humb të riut, shansin e fitimit në fakultetin e mjeksisë, pavarësisht përgatitjes ‘par exelencë’
c. Dënimi në ushtri: Vjen i zbatuar në mënyrë të kamufluar, çka rëndon në vijën jetësore e personazhit protagonist, duke u bërë njëkohësiht,shkak fatndarës me dashurinë rinore dhe fatpërcaktues ndaj detyrimit, që ndjen tashmë, për marrjen e situatës dhe të së ardhmes në duart e veta.
2. pasqyrimi dhe kthimi në vëmendje të ligjeve te pashkruara siç Kanuni.
Në koncept, kemi të bëjmë me modelimin e një teksti, ku narrativiteti i realizuar ka specifikë llojin e narratorit omodiegjetik, i cili tregon historinë në nivelin e komunikimit imagjinar dhe është përjetues në nivelin e veprimit, me shtytjen, ecjen para dhe kthimin pas, për të vazhduar në një gjeografi dhe histori të re, në terrenin, në të cilin zgjedh të jetojë. Në këtë pikë, autori dhe protagonisti bëhen një, në një nivel përcaktueshmërisht i pashmangshëm nga e kaluara për tek e ardhmja, si topos, si qëllim, si konkluzion.
*Pjesë nga fjala e mbajtur në promovimin e librit “Porosia e Kullës”, në Universitetin “Luigj Gurakuqi”.