
Sokol Paja/
Familjet e mëdha patriotike në mërgatën shqiptare të Amerikës kanë luajtur një rol themeltar dhe historik në jetën komunitare dhe trashëgiminë kulturore kombëtare. Familjet e shquara patriotike shqiptare në Amerikë kanë qenë frymëzim për gjeneratat, udhëheqëse të veprimtarive patriotike e atdhetare, kolona të pathyeshme, baza të qëndrueshme dhe udhërrëfyese për patriotët, aktivistët dhe veprimtarët kombëtarë. Historia dhe kontributi patriotik i familjes Pani, për komb, atdhe e komunitet është ndër më të shquarit në mërgatën e Amerikës. Josif, Vasil, Sotir, Andrea dhe Vasil Pani janë një vazhdimësi dhe trashëgimi e artë e kombit tonë në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kur aktivizimi patriotik memorizohet në libra e dokumentarë merr një vlerë të shtuar shoqërore, mediatike dhe historike. Libri i Sotir Panit: “Josif dhe Vasil Pani, at e bir për mëmëdhenë” i përgatitur mjeshtërisht për botim nga Kolec Traboini nxjerr në dritë fakte dhe histori të jashtëzakonshme rreth veprimtarisë patriotike, atdhetare, kulturore, komunitare, kombëtare dhe mediatike të Josif Panit dhe pasardhësve të tij.
Përveç veprimtarisë së shkëlqyer patriotike, Josif Pani kontribuoi për zhvillimin e mediave të komunitetit shqiptar në Boston dhe ndihmoi në rritjen dhe zhvillimin kulturor e intelektual të gjeneratës e vendlindjes. Libri i Sotir Panit: “Josif dhe Vasil Pani, at e bir për mëmëdhenë” ka një meritë të veçantë në fushën e historisë së gazetarisë shqiptare të mërgatës në tërësi pasi na njeh imtësisht mbi veprimtarinë dhe kontributin e Josif Panit në fushën e botimeve e letrave shqipe në mërgatën e Amerikës.
Sipas librit, Josif Pani u tregua mjaft aktiv dhe në fushën e publicistikës. Në shtypin e asaj kohe, si në gazetat “Kombi”, “Dielli”, “Koha” etj., gjejmë shkrime të Josifit në të cilat kritikon intrigat e grekëve dhe pretendimet e tyre territoriale në dëm të Shqipërisë. Kontributi mediatik i Josif Panit me botimin e gazetës “Sazani”, “Drejtësija” dhe librin “Adreatiku e lufta europiane” zë një hapsirë të qënësishme për shtypin shqiptar të kohës në mërgatën e Amerikës.
Gazeta neutrale “Sazani” e Josif Panit mbronte çështjen kombëtare e ngrinte zërin për bashkim e bashkëpunim të shqiptarëve, të krishterë e myslimanë si vëllezër për të shpëtuar Shqipërinë e për të mbrojtur shoqërinë “Vatra”.
Sipas librit “Josif dhe Vasil Pani, at e bir për mëmëdhenë” gazeta “Sazani” ishte fortesë e çështjes kombëtare në Amerikë dhe do të vërë tërë fuqitë e saj dhe t’i bashkojë tërë Shqiptarët rreth “Vatrës”. Ai si editor i “Sazanit” që doli si gazetë e përkohshme në vitin 1917, ka shkruar mjaft kryeartikuj në të. Në vitin 1917 në Netick botoi librin e vogël “Adreatiku dhe lufta evropiane”. Libri kishte 50 fletë me kronika nga ngjarjet e luftës Euro-piane. Për botimin e tij thuhet se kanë ndihmuar rreth 400 shqiptarë emigrantë në Amerikë.
Teksa njihemi me jetën dhe veprën e Josif Panit e Vasil Panit kuptojmë fuqinë, ndershmërinë, atdhedashurinë, pastërtinë shpirtërore dhe patriotizmin e vërtetë të shqiptarëve të Amerikës në përpjekjet e shenjta për kombin, gjuhë shqipe, për kulturën kombëtare dhe mbi të gjitha ruajtjen e paprekshme të territorit shqiptar. Kontributi i shqiptarëve të Amerikës për komb e atdhe është monument i artë kombëtar.
Sipas librit “Josif dhe Vasil Pani, at e bir për mëmëdhenë”, Josifi botoi edhe gazetën “Drejtësija”. Qëllimi i kësaj gazete ka qenë që të ndërgjegjësonte shqiptarët për të kërkuar kudo drejtësi si dhe të mos i jepnin paratë, djersën e tyre, bukën e gojës së fëmijëve për të kënaqur kërkesat e disave, por t’i jepnin për të bërë punë të vyera për Shqipërinë. Gazeta godiste grekomanët dhe këdo që luftonte Shqipërinë duke i dhënë hov të fuqishëm patriotik lëvizjes kombëtare shqiptare në Amerikë. Në gazetën “Drejtësija” thuhet se janë botuar dhe protestat e shqiptarëve të Amerikës, pranë senatorëve amerikanë për rivendikimin e kufijve dhe për mbrojtjen e Korçës e të Gjirokastrës nga pretendimet e grekëve duke ndihmuar në bërjen publike dhe ndërkombëtarisht të kërcënimit të tokave shqiptare nga fqinji jugor.
Gazeta “Drejtësija” me editor Josif Panin sipas librit “Josif dhe Vasil Pani, at e bir për mëmëdhenë”, vinte theksin se bashkimi shqip-tarëve është gjëja më e shtrenjtë dhe ky bashkim do bëhej ashtu si duhej kur të vendosej mirë e të vazhdojë drejtësia e bindja te kanuni, prandaj dhe programi i gazetës ishte përkrahja e drejtësisë.
Sipas librit “Josif dhe Vasil Pani, at e bir për mëmëdhenë”, gazetat e përkohshme “Sazani” dhe “Drejtësija” që nxorri Josif Pani, ndihmuan për demaskimin e armiqve të kombit, për ndërgjegjësimin dhe edukimin e shqiptarëve me ndjenjën e atdhedashurisë dhe për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar. Historia e jashtëzakonshme e familjes Pani meriton respekt e nderim ndër breza jo vetëm për përpjekjen shekullore për komb dhe atdhe por mbi të gjiha për trashëgiminë e jashtëzakonshme që kanë lënë familja Pani si testament të kombëtarizmës e burim frymëzimi në panteonin e artë të shqiptarizmës.