Nga Frank Shkreli/
Në këtë përmbledhje artikujsh, të titulluar “Traumat e Tranzicionit”, Elida Buçpapaj publicistja e njohur në trojet shqiptare dhe në diasporë për shkrimet e saj jo konformiste, i paraqet lexuesit shkrime të pasura dhe tematika të ndryshme mbi jetën politike, mbi dështimet dhe mbi mundësitë e humbura, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në periudhën pas-komuniste.
Me përgjegjësi dhe me bindje autorja eksploron përceptimin e saj, por edhe të tjerëve që mendojnë si ajo, se tranzicioni në Shqipëri ka dështuar. Në këtë libër ajo merret me një numër temash qendrore të jetës politike dhe shoqërore shqiptare, të cilat pasqyrojnë karakteristikat, sidomos të elitës politike shqiptare — shpesh të dyshimta, të koklavitura e nganjëherë të ngatërruara — por si gjithmonë të lidhura me njëra tjetrën, fatkeqsisht, për keq –por që të bindin dhe të bëjnë të dëshirosh se Shqipëria dhe Shqiptarët, pas më shumë se dy dekadash, meritojnë diçka më mirë –dmth., një konsolidim të vërtetë demokratik dhe jo një pseudodemokraci.
Ekspertët e shkencave politike argumentojnë se në një vend, tranzicioni demokratik konsiderohet të ketë përfunduar kur palët e ndryshme arrijnë në marrëveshje mbi “rregullat e lojës”, të cilat kanë të bëjnë, ndër të tjera, me zgjedhjen e lirë të një qeverie. Kur qeveria të krijohet nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të pakontestueshme dhe kur pushtetet e ndryshme nuk detyrohen të ndajnë kompetencat me pushtetet e tjera, me fjalë të tjera, kur të arrihet pavarësia e institucioneve të ndryshme të shtetit dhe qeverisë — atëherë një vend mund të konsiderohet se ka kaluar tranzicionin me sukses, dhe që njëkohësisht, sipas ekspertëve,të quhet vend demokratik.
Një element tjetër për një shoqëri demokratike është besimi tek institucionet. Besimi ndaj organeve shtetërore duhet të zhvillohet nga shoqëria dhe si i tillë ai besim përforcohet nga puna që bëjnë institucionet politike dhe civile për të mirën e përbashkët dhe jo nga veprat ose vendimet e tyre në favor të një grupi ose të një personi/ash me influencë, dhe në dëm të mirëqenies kolektive. Besimi në legjitimitetin e institucioneve shtetërore, siç janë prokuroria dhe gjykatat, i jep hov demokracisë dhe zhvillimeve të saj dhe njëherazi avancon edhe efikasitetin e vetë institucioneve.
A ka besim ndaj institucioneve shtetërore dhe qeveritare në Shqipëri?Autorja thotë se jo. Ajo gjithashtu aludon se mungesa e besimit dhe rënia ekonomike, kanë përfunduar në një shtim të dukshëm të pakënaqësisë në përgjithësi ndaj elitave të të gjitha forcave kryesore politike në Shqipëri. Megjithëse, fajet e mëdha për mospërparimet e duhura dhe tepër të nevojshme gjatë këtij tranzicioni i ka mbi shpinë elita politike, përgjegjësi ka edhe qytetari i thjeshtë, i cili fatkeqësisht ende nuk është çliruar nga mentaliteti i varësisë së individit tek shteti dhe si i tillë është më pak kritik.
Në këtë botim, Elida Buçpapaj lë të kuptosh se Shqipëria ka bërë shumë pak përparim drejt demokracisë së vërtetë, ndërsa ajo paraqet shpjegime dhe shqyrtime për fusha të ndryshme, siç janë politika, shteti i së drejtës, liria e shtypit, e tjera. Në të gjitha këto fushë, ajo nënvizon dobësitë e sistemit post-komunist, duke venë në dukje trashëgiminë komuniste të vendit si dhe mentalitetin e elitës së sotme politike, kulturore, mediatike e tjera — trashëgimi kjo që ka bërë të mundur çimentimin dhe manipulimin e jetës politike nga këto elita pasardhëse të një ish-sistemi autoritar, siç ishte regjimi enverist, ku shteti dominonte mbi të gjitha aspektet e jetës së njerëzve.
Libri i Zonjës Buçpapaj është një përmbledhje kritikash ndaj dështimeve sistemore dhe sistematike të qeverisjes nga një autore që e do atdheun e vet dhe kombin — qëndrime këto që lexuesin e bëjnë të mendojë dhe të pyesë se përse Shqipëria, si pothuaj asnjë vend tjetër në Evropë, nuk e ka plotësuar atë tranzicion transformimi që tanimë e kanë përfunduar shumica e vendeve ish- komuniste? Duke lexuar librin e E. Buçpapaj të mbetet përshtypja se Shqipëria, por edhe Kosova kanë ngecur në një periudhë ”transformimi ose tranzicioni të ngrirë”, të kontrolluara nga grupe të fuqishme oligarkike dhe me influencë, të cilat po keqpërdorin pasurinë e vendit dhe po shpërdorojnë ose po lënë pas doremadje edhe pasurinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve. As Shqipëria fatkeqsisht nuk ka mundur t‘i ikë situatës, ku elitat e ish-regjimit komunist, gjatë këtij tranzicioni, janë pasuruar nga burimet shtetërore duke krijuar në këtë mënyrë, korrpusion, ku individë dhe grupe interesash, përfshirë edhe mafian, kanë lëshuar rrënjë dhe kanë zënë vende me rëndësi në jetën ekonomike, politike dhe shoqërore të vendit, përfshirë edhe median. Ndoshta ky tranzicion po zgjatë me qëllim, sepse sa më i gjatë të jetë tranzicioni, aq më i madh kaosi, hutimet dhe pështjellimet, dhe si përfundim aq më të mëdha mundësitë për pasurimin e individëve, grupeve dhe elitave që e mbajnë vendin në këtë gjëndje të ngrirë tranzicioni.
Ky koleksion artikujsh nga Elida Buçpapaj tregon se autorja ka aftësi analitike dhe mendje të mprehtë si vërejtëse e gjendjes aktuale në Shqipëri, ndërkohë që nganjëherë edhe me hidherim e zhgënjim shprehpikëpamjet e saj ndaj një prej transformimeve ose tranzicioneve më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar, periudhës së rënies së komunizmit në Shqipëri dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zonja Buçpapaj shpreh zhgënjimin e saj të thellë, dhekritikat nganjëherë të ashpëra por me vend, ndaj një situate që pas 20 e sa vjetësh pas rëniës së komunizmit, pritej dhe duhej të ishte ndryshe. Lexuesi mëson se gjëndja e sotme politike, ekonomike por edhe në fusha të tjera të jetës së shqiptarëve –sipas saj tepër e pakënaqshme — është rezultat i drejtpërdrejtë i politikave të ndërmarra ose jo nga klasa e politikanëve të sotëm, dhe jo nga kushtet e vendit. Ajo argumenton se Shqipëria është ashtu siç është sot, për arsye të trashëgimisë komuniste të elitës së sotme politike, e mbërthyer në inate me njëra tjetrën, dhe jo se i mungojnë reformatorët e aftë dhe të vendosur për të çuar vendin përpara, siç ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore.
Kjo nuk është e pamundur për Shqipërinë, sipas saj. Megjithëse e vogël, shoqëria shqiptare është tepër e koklavitur, por vetëm kur individët të jenë të aftë të përdorin të gjitha aftësitë dhe njohuritë e tyre, nepërmjet një tregu të lirë mallrash dhe ideshë, atëherë edhe Shqipëria dhe Shqiptarëtdo të shkojnë drejtë përfundimit të suksesshëm të këtij tranzicioni tepër të gjatë.
Në fund të fundit, është individi dhe shoqëria shqiptare ajo që do vendosë vet preferencat politike si dhe mundësitë për të zhvilluar marrëveshje shoqërore, shoqata dhe organizata që do t‘i shërbejnë më së miri realizimit të qëllimeve dhe nevojave të individit dhe të vendit. Në këtë kuptim, demokracia, megjithëse jo e përfeksionuar si sistem, është dhe mbetet një model universal për të gjithë njerëzit dhe për të gjitha kohërat, i zbatueshëm për të gjithë, në bazë të ligjit, pronës private dhe lirisë njerzore –duke bërë të mundur që individët dhe populli si tërësi shoqërore, të rregullojnë lirisht punët e veta pa ndërhyrje, në një mënyrë që u shërben interesave më të mira të tij dhe rrethanave në të cilat jetojnë. Shpresojmë se kjo do të ndodhë në Shqipëri.
Libri ‘‘Traumat e Tranzicionit‘‘, që është një përshkrim i disa fenomeneve të tranzicionit të 20 vjetëve të fundit të kombit shqiptar, e që autorja i ka quajtur me të drejtë “Trauma”, meriton të lexohet madje edhe nga ata që mund të mos jenë dakort me përfundimet dhe analizat e Zonjës Buçpapaj.
Është një kontribut i rëndësishëm në debatin e vazhdueshëm mbi dështimet ose siç i quan ajo ‚‘‘Traumat e Tranzicionit‘‘ shqiptar, i freskët për nga sinqeriteti dhe dashuria e autores për mirëqenien dhe mbarvajtjen e kombit, për të gjithë ata lexuesë që janë të interesuar në analiza politike dhe historike.
Sadik Elshani, Philadelphia says
“Traumat e Tranzicionit”?! Do te thote se para ketij Tranzicioni Shqiperia paska qene nje mrekulli, apo parajse. Dhe ja qe ky Tranzicioni ia paska prishur punet.Sic duket ju shpejt po harroni se Shqiperia per gjysem shekulli ishte ne rrethin e nente te ferrit dantesk dhe vetem fizikisht ishte pjese e planetit Toke. Gjate ketij Tranzicioni ndoshta gjerat kane mundur te shkonin edhe me mire, por megjithate, jane arritur rezultate te dukshme ne te gjitha sferat e jetes. Jane bere gjera dhe ndryshime qe shqiptaret nuk kane guxuar as t’i enderronin me pare. Ndoshta nje titull me i pershtatshem do te ishte, “Te arriturat dhe zhgenjimet (apo deshtimet) e Tranzicionit”. Keshtu qe kjo periudhe kalimtare do te pasqyrohej me objektivisht me te gjitha te arriturat dhe deshtimet qe e karakterizojne ate. Ju e krahasoni Shqiperine me vendet tjera te Lindjes, por duhet ta dini se Shqiperia nuk ka qene kurre si ato vende. Gjeret nuk jane si ne vendet tjera te Lindjes, sepse ne Shqiperi, diktatori dhe regjimi i tij i eger ende adhurohen nga nje pjese e mire e shqiptareve. Per fat te keq, mendesia bolshevike eshte bunkerizuar thelle ne kokat e shume shqiptareve, madje te shume intelektualeve dhe akademikeve. Shqiperia dhe shoqeria shqiptare kane shume probleme qe duhen zgjidhur sa me pare. Prandaj eshte detyre e institucioneve shteterore, shoqerore – politike, fetare dhe e cdo shqiptari qe te perpiqet per t’i zgjidhur keto probleme duke u angazhuar me kembengulje e perkushtim dhe jo me mllefe e inate vetjake. Kritikat dashamirese e ndertuese, analizat kritike dhe objektive, gjithmone jane te mireseardhura dhe te nevojshme ne nje shoqeri demokratike.