
Zija Vukaj/
-Shpërthimi i manierës-
Në vitin 1910, në Trieste, Xhejms Xhojsi filloi “Uliksin”. Po në këtë vit, kompozitori dhe dirigjenti ruso- francez Igor Stravinski paraqiti në Paris “L’oiseau de feu”- “Zogu i zjarrtë”. Pak më parë, mes 1903 e 1906, Pablo Pikaso kompozoi piktura si “Zhonglerët”, “Jeta”, “Të varfrit në bregun e detit”, “Pirësja e helmit”, “Çifti”, “Akrobati dhe ekuilibristja e re” etj. Vlen të thuhet se shekulli filloi siç duhej të vazhdonte e siç vazhdoi, me një art të ribërë nga arti, një art jo më në gjuajtje të drejtpërdrejtë të realitetit, por të ndërmjetësuar nga estetizmi, një art të përcjellë nga vetëdija kritike, jashtë stuhive të kreativitetit drejt lagunave të palëvizshme të manierës e pra, më vonë të konsumit. Në të njëjtën kohë ose pak më parë, kishin qenë dhe vazhdonin të ishin artistë realistë si Marsel Prust, projekti i të cilit, tekefundit, nuk ishte shumë i ndryshëm nga ai i një Balzaku; Vinsent Van Gogu, që kishte ditur të tregonte vërtet “përshkallëzimin” drejt çmendurisë; Riçard Vagner, me iluzionin të errësonte një mit të përjetshëm, kishte shkruar me “Tristanin” një opera të përpjesëtimeve të vogla skalitur e ndërtuar mbi dashurinë borgjeze.
Çfarë i bashkonte Xhojsin, Stravinskin dhe Pikason? Që nuk kishin asgjë për të thënë; ose më mirë, nuk donin të thoshin asgjë mbi vetveten e mbi raportin me realitetin, por kishin për të thënë shumë mbi artin dhe raportin e tyre me artin. Indiferentë ndaj botës nga e cila refuzonin çfarëdolloj pjesëmarrjeje që të mos ishte e ndërmjetësuar nga arti, këta tre artistë karakterizoheshin nga një gjenialitet i llojit të refleksionit, kritikës, teknikës, soditjes. Para shpirtit krijues, kishin syrin e estetit, nuhatjen e njohësit, dorën e imituesit. Ishin tre gjeni të pangopur e të gjithanshëm, që pasi kishin djegur në pak vite karrierën e artistit tradicional të lidhur me paraqitjen e realitetit, do të dinin të tejkalonin kufijtë e një kohe të pakapërcyeshme të shterimit, duke e zhvendosur veprën e tyre nga jeta në kulturë.
Për të realizuar një operacion të tillë duhej kurajo, përmes një eksperimentimi të ngritur në sistem, të mohohej vlefshmëria e frymëzimeve të sipërpërmendura. Me fjalë të tjera, të shndërrohej muzeu në botë. Këtë bënë Xhojsi, Stravinski e Pikaso që kanë qenë kujdestarët e një inventari për ta shpëtuar nga qëllimet përvetësuese e plaçkitëse.
Pastaj qe e drejtë të ishte kështu. Duke nisur me konfliktin e parë botëror dhe me rënien në vazhdim të vlerave, gjithë arti i së shkuarës, i goditur nga vdekja e papritur, u bë për një çast muze. Tani, muzeu për se shërbente, në mos për caktimin e ngjashmërive të pagjasa, të afrimeve kufizuese, të katalogëve katastrofikë?
Me muzeun zuri fill ideja e relativitetit të stileve, të shumësisë së formave, e të sqimës së shprehjes. Në analizë të fundit, ideja e konsumit kuptuar si shndërrim i krijimit në produkt. Xhojsi, Stravinski, Pikaso janë, në mënyrë të pavullnetshme, tre artistët gjenialë e të çinteresuar që kanë ushqyer konsumin e panjohur deri atëherë e të shitur. Kartat e tyre të fisnikërisë e bënë të shpërthente atë jo më nga kërkesa e tregut, por nga ekzigjenca kulturore.