
Prof. dr. Bardhosh Gaçe/
Mjaft shkrimtarë të dekadave të fundit, në sprovat e tyre letrare kanë bërë përpjekje që, krahas lëvrimit të poezisë, të shpalosin talentin e tyre edhe në prozë, në ese, tregime e romane, duke dëshmuar kështu pjekurinë e tyre artistike dhe estetike. Tek autorja Armenida Qyqja, edhe pse në emigracion, në Kanada, si në muzën e saj poetike edhe në tregimtari, gjallon bota dhe jeta shqiptare. Duke kundruar këtë botë të gjerë artistike dhe estetike edhe pse ajo ka dekada që jeton në një kontinent tjetër, të duket sikur Atdheun e ka marrë me vete mbi supe, në frymë dhe në shpirt.
Janë 14 tregime nga vëllimi “Pirgjet e hirta” dhe 12 tregime nga vëllimi “I vdekuri që qesh” të autores Armenida Qyqja, që të përmbledhura në dy vëllime, botuar kohët e fundit, të ndjellin që t’i lexosh me endje. Kjo sepse autorja shtjellon një narracion jetësor me zhvillim karakteresh, duke marrë më së shumti ngjarje nga përditshmëria.
Është e rëndësishme ta themi që në fillim, se tregimi i Armenidës si tipologji i përket një ngjarje që vijëzohet në elementet dhe konturet e një subjekti të thurur me kujdes dhe të drejtpeshuar përmes qendërzimit të ngjarjes, që hapet aq sa mban pesha e saj e funksionalizimit të episodeve dhe e bërthamës rrezatuese të idesë.
Tregimet u përkasin viteve pas nëntëdhjetës, pikërisht kur në këtë periudhë ndodhën ndryshime të mëdha sociale, politike-shoqërore, kur individi me veten, me shoqërinë, me botën, me fatin, vuri raporte të reja ndërvarësie e varësie, prandaj ato e kanë të shtjelluar bukur mirë aspektin psikologjik dhe mental, që vihet re përmes subjekteve dhe detajeve që e materializojnë këtë.
Zbërthimi i karaktereve përmes rrethanave, mendësisë, fatit apo rastësisë, është një detyrë e moçme krijuese e letërsisë dhe nuk është nevoja të japim shembuj, sepse ato dihen. Ka mënyra të ndryshme të këtij zbërthimi përmes atmosferës, ku personazhi jepet konvencional, përmes realizmit, ku personazhi është konkret, apo përmes misterit, ku personazhi shtyhet drejt një bote të panjohur. Asnjë mënyrë nuk është përjashtuese ndaj tjetrës, ashtu siç themi se është këshilluese secila, kur kemi realizim artistik, sepse çdo mënyrë varet nga motivi, tema, subjekti apo nga shenjat e prirjet e talentit të rrëfimtarit.
Tregimi i Armenidës u përket më tepër gjendjeve shpirtërore që shpalosen, ndërthuren e hapen dhe mbyllen sipas situatave, ku vihet personazhi, që detyrohet t’i përjetojë ato sipas forcës së tij shpirtërore apo këndshikimit personal. Si i tillë, ajo ta afron personazhin përmes vërtetësisë së tij, duke ta dhënë të besueshëm sikur ti sapo e takove apo pret ta takosh e të bisedosh me të. Kuptohet, kjo është shenjë pjekurie artistike e një autoreje që prozën e shkruan me një nerv të kulturuar, me një rrëfim të natyrshëm që shkon në tendencë drejt zbërthimit të atyre elementeve bazikë të njeriut, shqetësimin për jetën, fatin, për të sotmen e të ardhmen.
Tregimin me subjekte të thjeshta – moraviane – ku personazhet hyjnë në ato marrëdhënie që i thërret e zakonshmja e jetës, mendojmë se kanë pëlqimin e tyre për një lexues, i cili e shikon jetën në shfaqjen e saj të natyrshme larg çudirave apo ndaj qasjeve për të dashur një element dhe një ndodhi me të papritura befasuese deri në kufij të zmadhimit të mbinatyrshëm, siç ndodh me disa autorë që kërkojnë ta çudisin lexuesin me zgjidhje deux ex machine. Jo, Armenida preferon të zakonshmen, çastin, por jo atë të zakonshme që shkon në thjeshtësim, por atë të zakonshme që mbart poezinë e jetës dhe i ngre kult bukurisë së saj.
Poezia e jetës ndodhet pikërisht tek ajo që është e zakonshme, tek ato detaje që nuk vihen re dhe vetëm syri vëzhgues i një shkrimtareje, siç është Armenida, i kap ato dhe i shtjellon me një befasi ndjesore që imponohet bindshëm dhe të krijon kënaqësi leximore. Tregimet e Armenidës frymëzohen nga ngjarje të thjeshta të jetës, duke zgjedhur një fabul që i ngjet të zakonshmes dhe që zgjerohet përmes një subjekti linear, ku nuk kemi retrospektiva apo paralelizma të shumta. Duke përzgjedhur mikrongjarje të tilla ajo zbulon prej tyre bërthama që gjenerojnë mjaft ndjenja e kundërshti, të cilat në shtjellimin e tyre portretizojnë njerëz dhe situata reale. Vetë titulli “Pirgje të hirta” tregon në mënyrë simbolike pengesat dhe kapërcimet e vështira që ndesh njeriu i sotëm në shoqëri, pengesa të llojllojta që vijnë prej natyrës së shoqërisë së sotme, e cila është shkapërdredhur në mjaft probleme prej një sistemi të ri që jeton. Plagët sociale janë të ndryshme, si: kurbeti, varfëria, prostitucioni, etja për para, venitja e jetës, rënia e dëshirës për punë dhe etja për përfitim, por autorja trajton edhe probleme psikologjike dhe etike, siç janë keqkuptimet, mungesa e karakterit apo anë të tjera të panjohura që shpërfaqin një botë instinktive të papritur.
Duke i marrë me radhë tregimet një nga një, nuk mundet tjetër veçse të zbulojnë një reliev të jetës, ku përthyerja e tij duket se ndryshon format çdo ditë pa u stabilizuar në një gjendje. Në një tregim është e rëndësishme të mos tregohet një histori, por të përshkruhet ajo se si e mbartin këtë histori të marrëdhënieve njerëzore, se si sillet përmes saj natyra njerëzore përmes një transfigurimi artistik. Dhe ky është arti. Gjendja emocionale e personazhet përcillen në situata herë të qeta e herë të vrullshme, duke shkuar drejt fundit, që jepet me një mesazh kuptimplotë dhe njerëzor.
Ndërtimi i personazhit kryhet në një mënyrë të tillë që ai të shkojë drejt plotësisë së mundshme të karakterit të tij dhe kjo është shenjë pjekurie e talentit të autores dhe vjen nga një përvojë e njohjes së temës dhe grumbullimit të përvojës gjithashtu nga leximet. Gjetja dhe ndërtimi i detajit bëhet me kujdes, që detaji të përçojë mundësi për zgjerim të narratives, e cila në tregimet e saj rrjedh e qetë dhe me plot antonime vërtetësie. Kjo narrativë përcjell gjithashtu edhe besimin se jeta është e bukur dhe ka kuptim vetëm kur atë duhet ta shikosh nga qëndrimet që mbajnë njerëzit e mirë, përkundër atyre që dinë të bëjnë keq dhe vetëm të shfrytëzojnë rastin në dobi të interesit të tyre meskin.
Thjesht e bukur jep autorja situatën te tregimi “I mbijetuari”, ku në figurën e Ermalit jep ankthin e masakrës dhe gjetjen e paqes, po kështu, në tregimin tjetër “Pirgje të hirta”, autorja vizaton figurën e Andit dhe jepet një pirg cigaresh të shuara – si shenjë e mërzisë dhe e pritjes- detaje që vizatohen mirë nga autorja dhe që japin një atmosferë gri.
“823 metra nën ujë” është një tregim tjetër interesant- i cili e rrit më tepër intensitetin e të rrëfyerit dhe komplikon situatat, duke përmbysur rrëfimin në raporte të ndërlikuara me thyerje lineariteti- Motivi i kërkimit të kryefamiljarit për gruan e humbur dhe fëmijët është çelësi që e mban tregimin në ankth dhe rrëfimi i jep përparësi një dinamike të mbyllur, që zhvillohet si një luftë e brendshme shpirtërore. Përpjekja gërshetohet me rastësinë dhe rastësia e ardhur për një jetë tjetër, sjell atë që quhet lodhje e dëshpërim- dëshpërim dhe humbje përmes tij.
“Nga zero” është një tregim tjetër që të bën të mos e humbasësh interesin për prozën e shkurtër rrëfimtare të Armenida Qyqes. Në këtë tregim jepet një përpjekje e njeriut për të arritur diçka dhe humbja- pastaj një ringritje e besimit për t’ia nisur sërish nga pika fillestare. Linjat shoqërore ngërthehen me linja dashurore dhe kështu fluksi rrëfyes nuancon jetën e njeriut në mënyrë shumëplanëshe. Tregime të tjera, si “Prapa diellit”, “Pllakat”, përfaqësojnë vlera të qenësishme etike-morale. Janë një sërë tregimesh që kanë në fokus temën e parasë, një temë e ditëve tona- paraja- ky mekanizëm diabolik, që lëviz gjallërimin e shoqërisë, djeg shumë dëshira, ashtu siç ndez shumëfishimin e tyre nga njerëzit e shtresave të ndryshme shoqërore. Jepet kjo bukur në tregimin “Zemra e nënës”- një tregim sa i rrafshit shoqëror dhe i problematikës së mprehtë, aq edhe i ndjesive të holla kur vjen puna për të reflektuar mbi ndjesitë e një nëne.
Edhe në tregimin tjetër “Gjashtë ditë”, autorja ndërton premisën si parakusht i kuptimit të vetvetes – si ngecje dhe harresë për gjërat e mundura me një angazhim tjetër shpirtëror për të arritur seriozitetin dhe aftësinë e një njeriu ndaj një tjetri. Në këtë kohë, kur njeriu përthithet nga absurdi i saj shpeshherë humbja e kujdesit bëhet edhe ndaj njeriut më të dashur.
Po kështu në tregimin “Çmimi” arrihet që të jepet një botë tjetër që induktohet dhe merret në një tërësi të veprimeve të personazheve, ku imazhet përzihen me njëra-tjetrën, duke përcjellë ankth. Andaj, të bukura janë tregimet “Vajzat”, “Djajtë e vegjël”, “Rrëfyesi”. Dilemat e personazhit, lufta shpirtërore me vetveten, është një mundësi e realizueshme këndvështrimi e autores, e cila e sjell botën njerëzore si komplekse dhe inkandeshente herë-herë.
Autorja krijon një minibotë të zhdërvjellët plot përndezje shpirtërore, me pengesa e pendesa, me një ritëm të qetë rrëfyes, ku poshtë rrjedhës narrative vlon një zjarr i brendshëm shpirtëror. Fraza e saj punohet me kujdes dhe autorja ruan sensin e masës, duke shmangur mënyrën përshkruese nga teprimet apo ngjashmëritë dhe duke arritur të na japë një prozë sa fabuleske, aq edhe refleksive.
Lidhur me mjeshtërinë e saj mund të themi se ajo nuk e prezanton problemin në fillim të tregimit- një zotësi konceptuale kjo – në mënyrë që lexuesi përmes një nisje rrëfyese të mbajë të gjallë kureshtinë e tij për të arritur tek pika e nyjës, aty ku lidhet intriga- dhe, ndërsa shkon aty, ai nuk hamendëson dot për zgjidhjen, veçse përpos zgjidhjes së autores, të cilën e kupton në fund. Kjo mënyrë tregon për një njohje të mirë të autores për artin e tregimit, i cili nuk mund të quhet i bukur nëse gjërat kuptohen që në fillim.
Përshkrimet e shumta transmetojnë gjendje shpirtërore, dilema e hamendje, por edhe mjedise, të cilat vizatohen në përshtatje të këtyre gjendjeve dhe rrethanave sociale. Duke paraqitur njeriun e sotëm kryesisht në mjedise urbane- në vend apo jashtë shtetit – autorja zhvillon një përmasë të re shpirtërore dhe mentale të këtij njeriu – ku hapësira nuk është më e kufizuar. Duke arritur të kapë tema e motive që kanë peshë – ajo tregon gjithëkohësinë e tyre me një universalizëm të kapjes, çka u jep tregimeve të saj një ton filozofik.
Kështu, vëllimi “Pirgjet e hirta” mbetet një nga vëllimet e mira në prozë – ku kapja e problemeve, mjediset, personazhet, karakteret dhe mendësitë e të sotmes, sillen në mënyrën e të shkruarit përmes një stili të qetë dhe që realizon një përmbajtje të gjerë e, më shumë, të thellë të shqetësimeve të individit të sotëm.