
(Homazh)
..Vdiq aq thjesht. Pothuaj aq thjesht sa pat jetuar. Aq sa dhe sot pas kaq vitesh, nuk e besoj se ka ndrruar jetë. ..
…E kujtoj, dhe në çastin e parë të përfytyrimit, më duket se e kam diku këtu pranë në Lushnje a Itali, në një qytet të vogël, ku shkoi pas të birit që emigroi…
…Dhe do e takoj e do flasim gjatë për tregimet e tij të ardhme
Shkruajti dhe dy romane të mirë. Aq pati kohë të bënte
Po mua më mbeti në mend si tregimtar. Sepse tregimet e tij më pēlqenin shumë. Ndofta edhe sepse jeta e tij e thjeshtë, mbeti a zgjati pothuaj sa për një tregim…
..,Sesi do më dukej të thosha si roman. Sikur do fyeja modestinë e tij…E jetës së tij…
…Kaloi vite të gjatë jete të nënshtruar në Lushnje…Aso kohe. Si shumë të tjerë. Si edhe ne…
…Mê patën thënë mbaroi, në një spital të vogël…atje…në Itali. Pa e marrë vesh kush, ndër ne miqtë e të njohurit, se kish qenë sëmurë.
Më vonë më kish thënë i biri se nuk pat vuajtur gjatë. Nj lloj kanceri galopant…
Po ai i pat dhënë me gjasë, ndopak modesti edhe sëmundjes së madhe…
…Ky ishte ndër ata njerëz që nuk shtirej si modest
E pat modestinë brenda si në fytyrë e sjellje, edhe në gjithë atë qē bëri…Ato që la pas e ato që pësoi( pat bërë edhe ca kohë burg. I pandjerë edhe për këtë, kur erdhi koha e ca të tjerë rrihnin gjokse për vuajtje…)
…Nuk pretendoi kurrë para, lavdi……nuk nguli këmbë me kërkënd t’i mbushte mendjen se kish shkruar tregime vërtet të mira. Sado që i kish vërtet shumë të mira. Më të mira se të shumicës së atyre që pretendojnë se janë shkrimtarë, po e po.
..Po i kishte të mira në vetvete.Pa pasur nevojë për krahasime. Kritikë letrare a lëvdime…
…Për ata që si edhe unë (mësues atje) e patën njohur dikur në Lushnje, aty ku jetoi më gjatë, më ndjehet se….Kujtimi i tij do të mbetet si ai i i një guri të vogël modest por të çmuar, fshehur nga a mes gurësh të tjerë të zakonshëm që e pengonin t’i dukej ndrićimi…
…E që pak kush mori mundimin e as u kujdes t’ja largonte ata gurë sadopak, për ta nxjerrë më në pah në dritë.
Qê ta lejonte së paku, të reflektonte ndriçimin e tij…faqe diellit…Ai vetë kurrë nuk e kërkoi këtë
Mbeti mbuluar një jetë të tërë pothuaj…
…Le që kjo është e zakonshme ndër ne. Njerëzit tek ne, i lodhin dritat a ndriçimet. Njerêzve u janë mësuar sytë për kohra të gjata në terr…
..E quanin Halil Jaçellari. Dritë e ndriçim pastë aty ku të jetë…
Prof. Dr. Ylli Pango