-Këshilli i Sigurisë Kombëtare mblidhet në Beograd pas ndalimit të trenit ilegal për të hyrë në Kosovë. Presidenti serb Nikoliç kërcënon…
-Kryeministri kosovar Isa Mustafa: Kosova është përballur me një situatë tërësisht të panevojshme të krijuar nga Serbia në kuadër të lojërave të saj të pandershme/
-Në Mitrovicën veriore pjesëtarë të komunitetit serb protestojnë/PRISHTINË, 15 Janar 2017/ Në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë u zhvillua sot mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, e ftuar nga Presidenti i Republikës, Tomislav Nikoliç, raporton media serbe, ndërkohë në orën 03:56, herët në mëngjes, është kthyer në Beograd, prej nga u nis dje, treni ilegal e provokues drejt Mitrovicës Veriore, të cilit aktoritetet e Kosovës ia ndaluan hyrjen.
“Lëndë e dialogut të Brukselit duhet të jetë vetëm treni, gjegjësisht lëvizja e lirë”, citohet nga media serbe presidenti i Serbisë, Nikoliç, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Nikoliç u kërcënua se çdo përpjekje e ardhëshme e “institucioneve të përkohëshme” të Kosovës për provokim të konfliktit, si në rastin e trenit, do përfundojë keq.
“Le të mendojnë për këtë shqiptarët dhe sponsorët e tyre”, citohet presidenti i Serbisë, Nikoliç t’u ketë thënë gazetarëve sot në Beograd.
Ndërsa në Prishtinë, mbrëmë, kryeministri kosovar Isa Mustafa në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi tha se, Kosova është “përballur me një situatë tërësisht të panevojshme të krijuar nga Serbia në kuadër të lojërave të saj të pandershme”.
“Kthimi mbrapa i këtij treni është veprim i duhur, dhe se hyrja e tij në Republikën e Pavarur dhe Sovrane të Kosovës nuk do të lejohej, ose në rast se do të hynte do të trajtohej në përputhje të plotë me ligjet e Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.
Mustafa bëri të ditur se, një ditë më parë në Prishtinë ishte mbajtur mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës ku është marrë vendimi “që institucionet e Republikës së Kosovës në përputhje me situatën të ndërmarrin gjitha veprimet ligjore dhe veprimet kushtetuese”.
Si reagim në këto zhvillime, në Mitrovicën veriore pjesëtarë të komunitetit serb protestojnë sot në mesditë./b.j/