Shkruan: Begzad Baliu/
Zbulohen të dhëna të reja për datën e saktë të lindjes së profesor Idriz Ajetit
Kohë më parë (2017) Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka bërë të ditur përgatitjet për mbajtjen e një konference shkencore për të shënuar 100 vjetorin e lindjes së bardit të albanologjisë profesor Idriz Ajetit. Sigurisht, të gjithë albanologët dhe njohësit e historisë bashkëkohore të Kosovës, shënimin e 100 vjetorit të lindjes së profesor Ajetit e prisnin këtë vit, por ky shënim pritej të bëhej më 26 qershor, ashtu sikur ishte bërë që nga shënimi i parë i ditëlindjes së tij në qarqet akademike, në 60 vjetorin e lindjes, e jo më 27 janar 2017.
E vërteta, ishin disa miq e të afërm të Profesor Ajetit, që e dinin se ai kishte edhe një ditëlindje tjetër në dokumentet zyrtare. Fjala është për 27 janarin e vitit 1917, por të cilin Profesori nuk e pranonte me arsyetimin se nëna e tij i kishte thënë se ai kishte lindë gjatë të korrave, e kjo dmth, diku në fund të qershorit të vitit 1917.
E vërteta, si për ditëlindjen e 26 qershorit, të njohur deri më tash, ashtu edhe për ditëlindjen e 27 janarit të “rizbuluar” së fundi, ka shumë për të diskutuar, por kësaj radhe duam të bëjmë të njohur një të dhënë të re, të panjohur deri më tash, zbulimin e dokumenteve më të hershme, të cilat na njohin se profesor Idriz Ajeti nuk ka lindur as më 26 qershor, as më 27 janar, por më 4 janar 1917.
Në qershor të vitit 2016, shkova ta intervistoj Profesor Idiz Ajetin për një projekt që lidhej me kujtimet e studiuesve nga Kosova për Profesor Çabejn. Me këtë rast profesor Ajeti bashkë me zonjën Hajrije më ofruan disa materiale, me të cilat, sikur shprehej z. Hajrije mund të plotësohej një studimi imi, i shkruar në ditëlindjen e 90-të të tij, për të cilin profesor Idrizi disa herë më kishte thënë se “pasi t’i bashkohej bibliografia e botimeve, mund të vendosej brenda kopertinave”, e kjo do të thotë se mund të bëhej një vepër për të.
Kureshtjen time për jetën e tij bashkë me z. Hajrie, e cila e ndihmonte Profesor Idrizin, të shkuar në moshë, e zgjeruam në shumë drejtime, por hapi i parë u bë kur unë e pyeta për ndonjë certifikatë lindjeje, përmes së cilës mund të zbulonim vitlindjet e prindërve të tij. Nuk e dinim se aty do të zbulojmë jo vetëm një datë tjetër të lindjes, 27 janarin 1917, për të cilin dinin vetëm disa nga kolegët e tij më të ngushtë, por edhe shumë detaje të tjera, të panjohura, me shumë interes për biografinë e tij. Duke parë mënyrën e përpunimit të dokumenteve, z. Hajrie dhe Profesor Idrizi ma besuan gjithë arkivin e dokumenteve të mbyllura më shumë se gjysmë shekulli më parë.
Prej dokumenteve të dala deri në vitin 1960, të shkruara me dorë apo me makinë, prej dokumenteve zyrtare të karakterit shkencor, shtetëror dhe social, shihet qartë se profesor Idriz Ajetit ka lindur më 4 janar 1917. Fjala është për dokumentin zyrtar të certifikatës së lindjes, në të cilën del edhe viti i lindjes së babait (1882) dhe nënës (1885), por jo edhe viti i vdekjes së hershme të nënës. Ditëlindja e njëjtë del edhe në Kartonin zyrtar shtetëror të vitit 1945, të vitit 1947 dhe të vitit 1952, brenda të cilëve janë përfshirë edhe të dhëna shteruese për jetën e tij dhe të familjes së tij. Ato janë të dhëna të cilat nuk kanë qenë të paraqitura në asnjërën prej biografive të tij zyrtare apo shkencore dhe arsimore.
Prej dokumenteve të kësaj periudhe, dy prej të cilave janë pyetësorë të shërbimit shtetëror, mësojmë për herë të parë se profesor Idriz Ajeti ishte njëri prej bursistëve të Mbretit Zog, prandaj në Padovë nuk shkoi falë përkrahjes familjare dhe gjendjes së mirë ekonomike që kishte familja e tij. Për më tej, ai fillimisht shkoi në Piza (1941) e pastaj në Padovë (1941-1943). Gjithashtu, prej dokumenteve zyrtare të shërbimit shtetëror jugosllav, për herë të parë mësojmë se profesor Ajeti gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte qëndruar disa muaj ilegal në Shqipëri (në përkrahje të Luftës Nacional Çlirimtare), ndërsa më pastaj ishte kthyer në Prishtinë dhe fillimisht ishte emëruar profesor në Gjimnaz e pastaj edhe zëvendësdrejtor. Po kështu, për herë të parë, veç tjerash mësojmë se Profesor Ajeti, pas vendosjes së pushtetit jugosllav në Kosovë, ishte burgosur në Prishtinë, nga 27 qershori – 18 korrik 1945, sado arsyet e kësaj burgosje nuk i ishin thënë asnjëherë.
Pa dashur të merremi me detaje të tjera, duam të theksojmë se data e lindjes, më 4 janar 1917, del edhe në diplomën e marrë në Fakultetin Filozofik të Beogradit, më 30 dhjetor 1949.
Datën e lindjes, më 26 qershor 1917 për herë të parë e gjejmë në një dokument jo zyrtar të vitit 1960, në referatin e paraqitur për zgjedhjen e tij docent në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Karakteristikë e këtyre të dhënave të ndryshme për datën e lindjes është se ndryshe nga ditëlindja e parë, 4 janari dhe ajo e dytë 26 qershori, pikërisht ditëlindja e 27 janarit nuk na del në dokumente relevante. Gjithashtu, prej këtij referatit të vitit 1960, kuptojmë veç tjerash se ai nuk është autor i veprës “Proza jugosllave”(1952), sikur del prej bibliografisë së tij në faqen e Akademisë, përkundrazi, madje as redaktor e përgatitës, po vetëm përkthyes i dy tregimeve brenda këtij teksti mjaft të vëllimshëm, prej 414 faqesh, ndërsa titulli i dispensës “Letërsia jugosllave” (1947), e vendosur në faqen zyrtare të ASHAK-ut në këtë bibliografi nuk është shënuar fare edhe pse nuk mungojnë të dhëna për kontributet letrare, arsimore e shkencore të tij në dorëshkrim.
Pa dashur të shterojmë dokumentet e panjohura deri më tash dhe pa dashur ta konsiderojmë këtë tekst përmbyllës, mendojmë se shkëputja nga ditëlindja e tij e parë, 4 janari i vitit 1917, bëhet me kalimin e tij nga Beogradi në Prishtinë, në fillim të viteve ’60. Po ditëlindja e tretë 27 janari 1917 si doli, madje në një moshë të shtyrë? Kjo mbetet për ta vërtetuar gjatë kërkimeve në vazhdim.
Le të jetë ky 100 vjetor prandaj, një arsye tjetër për të bërë kërkime të reja në biografinë dhe në bibliografinë e tij dhe për t’i saktësuar ato në ato përmasa që e nderojnë albanologun qindvjeçar dhe albanologjinë shekullore.
Foto 1: Idriz Ajeti në një nga fotot më të hershme, viti 1952
Fig. 2. Idriz Ajeti, foto e 4 janarit 2017
Fig. 3. Një prej dokumenteve, që dëshmon ditëlindjen e Profesor Idriz Ajetit, më 4 janar 2017