Tri vepra shkencore me vlerë për komunitetin dhe studiuesit shqiptarë në Amerikë iu shtuan Bibliotekës Shkencore të Federatës Vatra. Aktivisti i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, studiuesi Prof. Elez Osmani dorëzoi te Vatra botimet: “Education in municipality of Gjakova 1990-2000”, “Historiani përballë ngjarjeve të mëdha të kohës – Beqir Krasniqi – Bajraktari, Jeta dhe veprimtaria”, “Vasil Gërmenji, një jetë në shërbim të çështjes shqiptare”. Këto botime të fushës së historisë dhe edukimit nxjerrin në pah figura të ndritura kombëtare dhe hapin shtigje të reja për hulumtime dhe kërkime serioze shkencore ku mërgata e Amerikës është një pasuri e jashtëzakonshme kombëtare e komunitare. I shoqëruar nga Burim Bajraktari, studiuesi Elez Osmani i bën një tjetër shërbim intelektual Vatrës dhe komunitetit shqiptar duke dhuruar botime me vlerë për historinë, letërsinë e mërgatën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.