
Saimir Kadiu/
“Ka të ngjarë që poeti Xhagjika të jetë poeti i vetëm i pushkatuar pas Luftës së Dytë Botërore në të gjitha vendet e Lindjes. Në ç’plane duhet të shkojnë poetët që të mos vriten me plumb…? E vërteta nuk vdes. As nga plumbi, as nga litari. Ajo mbetet monument nderi dhe u bën apel të gjithëve që ëndërrojnë dhe luftojnë, sadopak, për liri dhe demokraci. Poezia e vërtetë nuk mund të pushkatohet. Ajo gjallon në gojën, mendjen dhe zemrën e popullit, pavarësisht se ndonjë pushtetar a partiak e identifikon atë me djallin.” (Xhevahir Spahiu).
Trifon Xhagjika ishte një nga poetët e parë shqiptarë të ekzekutuar nga regjimi komunist pas vitit 1960, duke përuruar një epokë të errët të martirizimit letrar. Fati i tij ilustron qartë se sa brutale mbeti Shqipëria ndaj intelektualëve, në krahasim me vendet e tjera të Evropës Lindore.
Pas tij u ekzekutuan edhe Vilson Blloshmi dhe Genc Leka (1977), si dhe Havzi Nela (1988). Edhe vdekja e Bilal Xhaferit (1986) në SHBA dyshohet se mund të ketë qenë e “ndihmuar” nga Sigurimi i Shtetit.
Pas viteve ’60, në Lindjen komuniste ka pasur raste burgosjesh, internimesh apo ndalimesh librash, por asnjë rast tjetër të vrasjes së poetëve.
“Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!” — kjo ishte dëshira e fundit e Trifon Xhagjikës përpara inkuizitorëve. Edhe pse kanë kaluar 62 vjet nga ekzekutimi i tij, ende nuk dihet se ku prehen eshtrat e tij, as ç’u bë me dorëshkrimet dhe blloqet e poezive që i rrëmbeu Sigurimi i Shtetit.
Pas shembjes së regjimit komunist, në fillim të viteve ’90, mbi bazën e dorëshkrimeve të ruajtura nga familja Xhagjika, u bë i mundur botimi i librave të tij “Atdheu është lakuriq” (1994), si dhe një përmbledhjeje poetike (2002).
Po ashtu, para disa vitesh, në fshatin e tij të lindjes, Peshtan të Përmetit, u vendos një bust i tij, ndërkohë që eshtrat e poetit ende nuk janë gjetur.
Xhagjika është autor i poezisë që u bë himni i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve, përmes kompozimit të Kostandin Trakos. Kam qenë në shkollë të mesme (në Gjimnazin “Qemal Stafa”, Tiranë) me nipërit e tij, Kristaq dhe Artan Xhagjika — nxënës të mirë dhe shumë të edukuar. Asnjëri prej tyre nuk pati fatin të shkonte në shkollë të lartë para viteve ’90, kuptohet, për arsye biografie.
Fatkeqësisht, të dy ndërruan jetë në emigracion, në moshë shumë të re. Ylli Xhagjika, xhaxhai i shokëve të mi të gjimnazit dhe vëllai i Trifonit, i diplomuar në Mjekësi në Bashkimin Sovjetik, u arrestua vetëm disa orë para pushkatimit të të vëllait. Dëshmitarë të kohës kanë treguar se, ndërsa gjyqi përfundoi dhe Trifoni po përcillej drejt makinës, i lidhur për t’u pushkatuar, Ylli hoqi kapelen dhe e përshëndeti të vëllanë, duke i kërkuar të mbante kokën lart. Gjykatësit urdhëruan menjëherë arrestimin e tij.
Këtë akt të rrallë guximi e ka përmendur edhe Dritëro Agolli në një dorëshkrim të tij:
“Sakaq ia vunë prangat edhe Yllit për këtë dashuri që do ta quaja heroike dhe për këtë guxim prej një trimi të marrë, sipas shprehjes së popullit.”
Një oficer madhor i Policisë së Tiranës e goditi Yllin me shuplakë. Ky ishte kontakti i fundit zanor me të vëllanë — një moment që vulosi edhe fatin e fëmijëve dhe nipërve të tij. Ndërkohë, djali i oficerit “të zellshëm” do të bëhej ambasador në kohën e demokracisë.
Sigurisht, Xhagjika nuk është poeti më i madh i periudhës së komunizmit, por padyshim një nga më të guximshmit dhe më të drejtpërdrejtët në përballje me regjimin.
Sipas poetit dhe studiuesit Sadik Bejko:
“Trifoni ishte produkti i parë i disidencës letrare shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore, pasi ishte një disident i formuar brenda komunizmit. Ai është po ashtu poeti i parë i pushkatuar për arsye letrare në Shqipëri.”
Trifon Xhagjika mbetet versioni shqiptar i Osip Mandelstamit hebre-rus.
Nuk mund të ketë poezi më disidente në gjithë periudhën para viteve ’90 sesa poezitë e Xhagjikës.
“ATDHEU LAKURIQ!”
Nuk mundem,
nuk mundem,
nuk mundem.
E pashë Atdheun lakuriq
(vetëm, pa shokë e miq).
Mundohej të këpuste një degëz dafine
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të rritur,
Por sa i vogël qenka !
As një degëz nuk e këpuste dot.
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër,
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh !
Ndihmomëni të gëzoj
se nuk mundem:
Atdheu është lakuriq.
(1962)
“KËNGA E VERBËR”
E shkreta ti, o Republikë
u blatohesh të zotërve
pa e ditur ç’janë.
Dritën ta shuajnë në terr, e ditën ta ndezin;
bukën ta shtrojnë në sofër, e duart t’i presin;
në burim të çojnë, e gojën ta mbyllin.
Ata të kthyen në metelikë!
E shkreta ti, o Republikë,
e çmendura ti, o Republikë,
gënjeshtarja ti, o Republikë,
kusarja ti, o Republikë!
Me emrin tënd, të vjedhin jetën.
Sa do të doja,që ballin e ftohtë
me dritën e rrufeshme të ma përkëdhelje,
ëndrrat e ngrira të më zgjoje.
Me tmerrin duke shkuar
do të kuptoja dashurinë e jetës,
kur je në gji të nënës.
O njerëz të thjeshtë,
ju dua!
Mund t’ju shërbej
si ushtar, si shërbëtor besnik.
Veç me mua ejani,
t’ju rrëfejë të vërtetën
që ndrit.
Të dinë udhëheqësit lart
dhe e larta Republikë
se nuk jemi
as të verbër
as të shurdhër në politikë.
O Republikë e pabesë!
T’u fala, si kristiani Krishtit,
po ç’më dhe?
Dhe diellin do të ma zësh.
Turp,
Atdhe!
S’dua të di kush je!
Tek ty jam
I lirë pa liri,
I gjallë i pajetuar,
I vdekur i pavarrosur.
O vendi im
O Republikë!
Në ç’rrugë po ecën tani
me duar të gjakosura,
me sy të çuditshëm?
Vetë jeta çudinë ta zmadhon
e të ardhmen ta shuan.
E pikëlluar
mashtrimi i buzëqesh.
Shko!
Shko, o Republikë!
Mua më duhet të eci në rrugën time.
Nga nata ilegale
ku ndrydhen qëllimet,
të dal në ditët e të ardhmes,
të ngre flamurin e besimit tim.
Aty
të shkruar e kam biografinë,
të pastër e pa njolla.
Dhe, ti,o Republikë,
e gjora republikë,
do të jesh përsëri me mua.
Po tani,
të të pështyj unë dua,
se ti nuk pate turp
të mbytësh historinë.
Me këtë këngë të verbër
të ngre në gjyq,
në gjyqin e të heshturve.
Ç’të të këndoj më? Trishtimi po më mbyt.
Lodhja dorën ma përshkon.
Por tërbimin nuk e ndal dot.
Jo!
Nuk mundem të të fal.
Gjuha mu zgjidh.
Vramë po të duash.
Në netët e tua të gjakosura
do të dëgjosh zërin tim:
“Të urrej o Republikë,
lavire e zotërve gjakprishur!”