
Nga MASSIMO GAGGI
“Corriere della Sera”, 3 dhjetor 2021 Përktheu Eugjen Merlika
Donald Trump-i vazhdon të ushqejë pritmërinë e një kandidature të tij për në Shtëpinë e Bardhë më 2024. John Kelly, ish shefi i Kabinetit të tij, tregohet i sigurtë se kur të vijë koha do të tërhiqet mbrapsht: “Nuk mund as të konceptojë që të kalojë në histori si një i mundur”. Ka bindur njëherë popullin e tij se ka qënë i vjedhur. Per herë të dytë do t’ishte e vështirë edhe për të. Por nëse të gjithë sytë janë të përqëndruar mbi lëvizjet e personazhit, mekanizmat e politikës amerikane po ndryshojnë – me rrezikun e të tjerë dëmeve për demokracinë – në një nivel që rrëmben më pak kujdesin e publikut të gjërë.
Mbas votës së një muaji më parë në Virxhinia (ku fitoi një konservator që e ka drejtuar fushatën e tij pa ndërhyrjen e ish presidentit), shumë republikanë kanë filluar të mbajnë parasysh mundësinë e një trumpizmi pa Trump-in: vijë e ashpër, aspak kompromise, teknika komunikimi të paskrupullta dhe retorikë përçmuese, siç u pëlqen idhtarëve të The Donald, por pa një kthim të tij në Shtëpinë e Bardhë. Prandaj shumë, që nga guvernatori i Floridës Ron De Santis deri tek Chris Christie, kuturisin lëvizje përgatitore për një zbritje në fushë duke sfiduar zëmërimet e shefit të madh.
Sot Partia republikane, ajo që pothuajse sigurisht do të rifitojë konrollin e Kongresit mbas 11 muajsh, është një krijesë e çuditëshme politike. Në dukje është nën kontrollin e plotë të Trump-it: deri pak kohë më parë i vetmi zë që e kundërshtonte hapur ishte ai i Liz Cheney-t, që partia e Shtetit të saj, Wyoming, ka kërkuar në të gjitha mënyrat t’a shkishërojë. Megjithatë, në të vërtetë shumë parlamentarë të moderuar heshtin nga frika e hakmarrjes politike, ose të dhunave fizike: kërcënime tashmë shumë të përhapura.
U pa në konferencën e fundit të guvernatorëve republikanë: gazmorë e të bashkuar në mbrëmjet zyrtare, në të vërtetë t’alarmuar nga sulmet e Trump-it shumë prej tyre dhe shumë parlamentarëve konservatorë jo mjaftësisht të rrjeshtuar. Shumë kanë vendosur të mos kandidohen më (i fundit, dje, guvernatori i Massachusetts Charlie Baker), ndërsa të tjerë duhet të maten në parapraket me ndonjë besnik skajor të Trump-it, që kërkon t’i çrrënjosë. Prandaj beteja e vërtetë politike djathtas, më shumë se në zgjedhjet e mid term të nëndorit, do të zhvillohet në parapraket e pranverës e të verës.
“Corriere della Sera”, 3 dhjetor 2021 Përktheu Eugjen Merlika