Kur rritet inati, mendo pasojat…/
Konfuci/
…Vironi u përpoq ti shmangej shikimit të ngrirë, të errët si pellg me zift, të Çao Dao Bu-së. Eci përgjatë tezgave me barishte, spinaq, lëpjeta, radhiqe, rrepka, karota dhe qepë. Pak më tej ishin tezgat e shtrembra sikur do binin përdhe të mbushura me patate të vjetra me gunga. Të gjitha këto prodhime ishin të mbledhura prej fshatarëve nëpër skërkat e maleve, mezhdat e arave dhe në zgavrat e përrenjve. Ecte ngadalë për tu treguar i preokupuar në sy të saj, në blerjen e prodhimeve të stinës
Përgjimi dhe vështrimi i Çao Dao Bu-së ishte acarues. Ajo shoqërohej nga dashnori i përkushtuar, shitësi veshllapush i peshkut, Kim Kum Il. Ata ngriheshin në majë të këmbëve, zgjateshin majtas djathtas, bënin veprime të hallakatura. Të dy lëvrinin të paduruar, donin të fshiheshin e të përgjonin njëherësh, nxituan në anën tjetër, shtynë padashur me bërryla shitësit e nervozuar, rrëzuan spinaqin, e shkelën me këmbë. Kërkuan të falur me sy të trishtuar, duke bashkuar pëllëmbët dhe përkulur me përulje kokat.
Vironit përnjëherë iu krijua përfytyrimi se zhapiku dhe bretkosa ishin më simpatikë se këta dy njerëz që zvarriten nëpër baltovinën e pazarit. Spërkatin me zift dhe kacafyten me shitësit fatkeq, të cilëve po u shpërdorohej dhe shkelej malli i mbledhur me aq mund e sakrifica.
Vironit nuk i bëhej të qeshte, qëndroi, u mbush me frymë dhe fshiu djersën. Brenda disa orësh mësoi nga jeta shumë gjera,të cilat si kishte menduar më parë. Njohu sa me vlerë dhe e gjithëpushtetshme është kur të do dikush. Sa e madhe është dashuria e May Lee-së, femrës së mrekullueshme që, për djemtë vendas por edhe për vetë atë, quhej ëndërr e purpurte e pakapshme, fluide që i afrohej dhe largohej si era. Nuk mund të prekej dhe të ledhatohej.
Vajza e ëndërrt, e magjishme May Lee i dhuroi gjithçka me fisnikëri, si rrallë ndonjë femër, me gjithë pasionin dhe forcën e shpirtit. Atëhere e kuptoi se ndjenjat e brishta nuk janë lodra, ato janë shungulluese. Dashuria dhe ndjenja e një femre kur të do me pasion nuk ka pengesë ta ndalë. Ajo nuk ishte e akullt, enigmatike, me mjegull të hirtë e shi të imët mbuluar, si pikturat e rëndomta që shiten në pazarin e antikuarëve. May Lee ishte ajri dhe vlaga, ëndrra dhe realiteti, dashuria dhe jeta, vetë dhurata e bukurisë dhe zjarrit femëror. Ajo ishte gjithësia, të cilën ia dhuroi pa ngurrim. Ndjenja, brishtësia, dashuria, sinqeriteti nuk kanë masë dhe peshë të peshohen. Burojnë prej zemrës dhe shpërthejnë si vullkan i zjarrtë.
Vironi nuk besonte se njerëzit aziatikë,të skajit të largët, të kenë ndenja aq të prekshme, të patjetërsueshme, të dallgëzuara si uragane, shpërthyese sa shkundin dhe thërrmojnë malet.
Për herë të parë në jetën e vet u ndje i lehtë, me flatra dhe me frymëmarrje të plotë. Se janë ca gjëra të pashfaqura, të nëndheshme, të cilat lëvizin me tërsëllëm dhe ngrihen me vërtik përpjetë. Të bëjnë ta shijosh jetën, të mbash në buzë mushtin më të papërsëritshëm. E magjishmja May Lee në momentet e mrekullueshme të dashurisë qe ajër i freskët, fllad, këngë, burim gurgullues e përnjëherësh llavë e zjarrtë.
U largua i përhumbur prej saj, duke u kalamendur, vetëm sa kishte hedhur këmbën dhe shkelur lehtë, butë në parkun e Edenit. Pastaj gjithçka rrodhi aq shpejt dhe furishëm, kapërceu i hutuar deriçkën e vogël dhe shtegun e ngushtë të përmbytur nga ferrat dhe drizat. U përkul, gati u zvarrit nëpër monopatin që i treguan, pa i kushtuar rëndësi ferrave dhe gjembave se mund të çirrej apo të shpohej. Vironit akoma nuk i besohej për bukurinë që preku dhe e shijoi aq shumë, kundërmimi i trupit të saj e drithëronte, ndjehej i mbushur aq sa i mbahej frymëmarrja, por i pa nginjur…
Vironit iu duk e neveritshme të bënte rolin e të tremburit, fajtorit, kur nuk kishte arsye. Gjendej si gjithë qytetarët e tjerë në mes të pazarit të madh, ku zallahia dhe rrëmuja ngrihej në kupë të qiellit. Bëri një hap të madh majtas u doli përpara, qëndroi dhe priti të afrohej drejt tij përzierja e shpifur midis zhabjakut dhe bretkosës.
Çao Dao Bu nuk e priste ngulmimin dhe afrimin e djalit, ndaloi disa hapa larg tij, u kapërdi me vështirësi dhe mbajti për krahu shitësin e peshkut. Ajo u pështjellua, nuk e mendonte se huaji do ta vështronte drejt ne sy pa i lëvizur bebja e syrit. I u tha pështyma në gojë, iu bë i hidhur farmak, bëri të kthehej, të ikte nga sytë këmbët në shtegun më të parë midis tezgave, por shitësit e ndiqnin me sy të egërsuar dhe i dilnin përpara. Ajo u shmang, donte të lëvizte në krahun tjetër, gjithsesi rrugina midis tezgave ishte e ngushtë dhe ata me patjetër do të piqeshin. Çao Dao Bu shtrëngoi nga krahu shitësin e peshkut Kim Kum Il dhe shpejtoi hapin me shikim të ulur përtokë.
-Sa mirë që u takuam Çao Dao Bu,- i foli Vironi me nënqeshje të lehtë dhe njëherësh e zhbiroi me sy.
Ajo u përtyp, tërhoqi e hutuar kryet prapa dhe mërmëriti me keqdashje të hapur:
-Nuk di ku ta shoh të mirën e këtij takimi!
Luajti me nervozizëm kryet si kulaçi i lulediellit që lëkundej prej erës, ndërsa shitësi veshllapush i peshkut Kim Kum Il u kollit me ndërprerje.
Vironi u mërzit dhe për një moment mendoi ta zgjaste bisedën me Çao Dao Bu-në, ta ngacmonte dhe të shfryhej me shëmtimin e tjetërsimit të fytyrës së femrës, por ndërroi menjëherë mendje. Nuk duhej ta tendoste akoma më tepër gjendjen. Ajo ishte një bretkosë e keqe që nuk dinte vetëm të kuakte, por edhe të përlyente dhe fëlliqte me ndotje dheun e shkrifët dhe lulet e freskëta. Gjithashtu, nëse ai fshihej, do dredhonte, tërhiqej nëpër fëlliqësirat e pazarit, me siguri do shtohej oreksi dhe dyshimi i përgjueses, shkollares shembullore Çao Dao Bu.
Ai e shoqëroi me bisht të syrit tjetërsimin e fytyrës së vajzës, si metal i ndryshkur, pa larguar prej fytyrës së tij buzëqeshjen cinike.
Vironi përsëri ndjente mëshirë dhe përbuzje për këtë femër fatkeqe, të paditur, që hante veten e vet prej xhelozisë dhe marrëzisë. Ndërsa Çao Dao Bu e urrente thellësisht, përbindshëm, aq sa t’ja nxirrte sytë me thonj këtij studentit të huaj, bukurosh, i cili pabesisht dhe pa pikë turpi u hyri në mes May Lee-s dhe asaj.
Ata u larguan pa kthyer kokën nga njëri tjetrit, por përgjonin me bisht të syrit, ecën me hapa të shpejtuara në skaje të kundërta. Çao Dao Bu u fut sërish me hap nervoz dhe të ngutur në rrugët e ngushta të skajit lindor të qytetit. Vironi doli prej pazarit, me hapa të ngadalta, kapërceu rrugën ndarëse dhe u fut në rrugën kryesore. Duke pasur në krah të djathtë qytetin model, të mrekullueshëm por fatkeqësisht fantazmë, të magjisë socialiste.
Filloi të binte shi. Vironi ngriti jakën dhe shpejtoi hapin. Stacioni i autobusit për të shkuar në qytetin e studentit ishte larg. Dy blloqe më poshtë se monumenti njëzet metra i lartë i derdhur në bronc i udhëheqësit të lavdishëm Kim. Vironi la pas monumentin dhe kaloi me hap të nxituar në anën e kundërt të bulevardit, në trotuar, përballë bllokut të rrethuar me mure dhe hekura të udhëheqësve të lartë të partisë dhe të shtetit.
Shiu vazhdonte të binte, por ai nuk çante kryet, i shkrepi të vraponte. Magjia May Lee i kishte ngelur në mendje. Vajza i dha kënaqësinë më të mrekullueshme. Autobusi i linjës së qytetit të studentit frenoi me zhurmë përpara këmbëve dhe ai kërceu brenda. Makina u mbush menjëherë plot. Shiu filloi të binte me furi, me erë, përplasej mbas xhamave të dritareve, fshirëset punonin me vështirësi.
Vironi vështronte rrëketë e shiut që përdridheshin, dredhonin, rrëshqisnin nëpër dritare dhe ndjeu menjëherë mall të madh për May Lee-në. Provoi pendesë të heshtur, si një pickim në zemër që nuk kishte ndenjur më shumë me të. Dikush e preku në shpatull, u kthye me bezdi, dalloi kaçurrelin dhe buzëqeshjen e gjerë te kubanezit Julio.
-Përskuqja e fytyrës sate më mahniti. Në cilat shtigje të pashkelura barite sot vëllaçko?- i foli Julio me zë të lartë, pa e ndarë buzëqeshjen.
Vironi e ndjeu veten bosh, u nervozua dhe e këqyri tjetrin me vëmendje. Nuk i pëlqeu kur tjetri i futi hundët, përnjëherësh e mbërtheu alarmi i zbulimit të sekretit të madh.
-Në shtigjet e sat ëme Julio,- ia ktheu me ton të thatë.
Julio u prish në fytyrë dhe tundi kokën ngadalë.
-Nuk bëj shaka,- foli me zë të lënduar dhe vazhdoi me ton të ngjirur. – Sa për dijeni, mos i përzje mamatë në biseda hidh dhe prit.
-As unë,- ia ktheu Vironi thatë dhe ktheu kokën mënjane.
Kubanezi Julio hodhi lart kaçurrelin dhe shfryu me inat.
-Ta kam thënë disa herë dreqi me brirë Viron don Zhuani, mos u kruaj shumë me mua. Sa për dijeni nëna ime u vra prej Fidel Kastros katër vjet mbasi ai mori pushtetin. Ajo ka qenë ndër komunistet e para, por nuk ishte dakord me politikën dhe praktikën që ndiqte Fideli, i cili inkurajonte parazitizmin dhe varfërinë. Nëna e kundërshtoi ashpër në një mbledhje plenumi. Fideli shkuli qimet e mjekrës prej inatit dhe e quajti nënën antiparti, antipopull. E përjashtoi dhunshëm nga partia dhe e pushkatoi. Nëna ime ishte ndër femrat më të bukura të Kubës. Im atë, i frikësuar për jetën e vet mëshumë se sa për mua dhe për të rregulluar biografinë, shpëtuar persekutimit u martua me një kushërirë të afërt të mjekroshit, një lëneshë e shëmtuar me eksperiencë. Vunë kurorë, mjekroshi mori pjesë në dasmë, qeshte me zë të lartë. Mbaj mend më kishin veshur me një kostum të bardhë. Ai më mori pranë dhe pyeti babanë: ‘Ky është djali? Babai me vështrim të trembur luajti kryet me të shpejtë. Fideli ledhatoi mjekrën dhe vazhdoi : Ta edukojmë të bëhet komunist i devotshëm.’ Unë shkava prej gjurit të tij dhe ika tutje. Kupton Viron don Zhuani, ndryshe nuk do të isha këtu me ty në këtë skaj të largët aziatik,’ përfundoi me zë të grindur Julio.
Vironi e ndjeu veten keq:
-Më fal Julio,- i pëshpëriti.
Kubanezi shkundi kryet me bezdi, pastaj zbardhi dhembët dhe flaku në çast mërzinë.
-Sa për dijeni, edhe po të ishte ime më gjallë, ti nuk mund të bëje gjë sepse do të paloste me shikim, dreqi me brirë Viron don Zhuani.
Të dy qeshën dhe i rrahën shpatullat e shoqi-shoqit.
-Të dy jemi dreqër të këndshëm, more Julio kubanezi,- i ktheu Vironi.
-Jemi! Përse të mos jemi,- ia bëri Julio dhe zbardhi dhembët: – Ne mbartim mbi shpinë me ndershmëri proletare komunizmin eksperimental.
Shiu vazhdonte të binte, xhamat e makinës ishin veshur me avull. Autobusi bëri një rrotullim të fortë, ndaloi përpara kinoteatrit. Ata kërcyen dhe vrapuan drejt derës së hapur të kinoteatrit. Julios iu fut këmba e djathtë në një pellg me ujë, fytyra e tij u deformua nga ngërdheshja, pështyu në pellg por nuk shau. I trembej përgjimit:
-Këta aziatikë krijojnë pellgje për të njohur mëritë,- pëshpëriti Julio.
Tek kutia e postës, Vironi gjeti një zarf, dërguar nga i ati, zarfi ishte i portokalltë dhe pak më i trashë se herët e tjera. E grisi në cep, brenda gjeti letrën të shkruar me shkrim të madh në fletë fletoreje me kuti dhe dy fotografi të formatit të zakonshëm. Në të dyja fotografitë kishte dalë i ati i qeshur, i lumtur, kokë më kokë me Megi violinisten, mbas tyre dallohej sfondi i detit, me siguri ata duhej të kishin dalë në plazhin e qytetit të Durrësit. Me flokët e Megit luante era dhe ai dalloi ballin pak të kërcyer dhe të gjerë.
Mbrapa fotografive ishte shkruar me shkrim të kujdesshëm:
-Me mall të presim, babai(një hapësirë e vogël bosh, ku ndjehej mëdyshja,më pas) nëna Megi.
‘Nëna Megi,’ mërmëriti me vete. Sikur nuk shkonte, ishte artificiale. Vështroi shiun që binte përjashta. Iu kujtua nënë Vera, sa shpejt lihen mënjanë, sfumohen, derisa harrohen njerëzit e afërt, të dashur edhe pse me ta ke kaluar pjesën më të rëndësishme të jetës. I tmerrshëm qenka harrimi. Nuk do ta harronte kurrë nënën Vera.Vironit nisi ti pihej ujë, fërkoi qafën mbas këmishës dhe hodhi përsëri vështrimin përjashta ku vazhdonte të derdhej shiu dhe rruga ishte e përmbytur nga përrenjtë.
Nuk donte të mendonte gjëra të trishtuara. Ishte i mbushur me kujtime të këndshme, mezi priste të vinte dita e nesërme dhe të mendohej se si të gjente mundësinë të takohej me vajzën që dashuronte. Mbase dhe babai i tij Mirili e donte vërtet violinisten Megi. A mund të dashurojë njeriu dy herë me të njëjtin zjarr dhe pasion? Dikur babai i tij Mirili ishte dashuruar, siç thuhej, çmendurisht me nënën e tij Vera.
Vironi hëngri disa biskota të thata, të zbutura në çaj të vakët, u zhvesh dhe u fut në rroba. Mbështeti kokën në jastëk dhe mbylli sytë, përnjëherësh i doli përpara May Lee e qeshur, e zhveshur, e mrekullueshme..