Nga Rafaela PRIFTI/
Tri artistë të kalibrit më të lartë të muzikës Inva Mula, Genc Tukiçi, Olen Cezari e sollën artin e tyre në Nju Jork, si pjesë e turneut të vjeshtës 2019. Pas shfaqjeve të mirëpritura nga komuniteti në tri qytete kanadaze Toronto, Ottava, Montreal, dhe suksesit të koncertit të tyre në Roçester, Miçigan, në fund të muajit shtator, trioja e ambasadorëve të njohur të artit shqiptar ngriti peshë spektatorët në Nju Jork-ut në datën 5 Tetor. Programi i mbrëmjes i konceptuar si një udhëtim muzikor përmban polivalencë kuptimore dhe emocionale si për artistët edhe për publikun. Në fillim të shfaqjes sopranoja prestigjioze Inva Mula doli në skenën e Grand Prospect Hall dhe u përshëndet me duartrokitje të forta. Kur ajo i falenderoi pjesëmarrësit me dashamirësi dhe tha se do ta fillonte programin me këngën ‘Globi rrotullohet’ kënduar në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër, një entuziast nga salla nuk u përmbajt dhe foli me zë të lartë: “E mbajmë mend!” Ashtu vërtet! Artisja e skenave më të mëdha të botës nuk ka qenë kurrë larg mendjes dhe zemrës së bashkëatdhetarëve, Shfaqja në Nju Jork vetëm se e përforcoi praninë e përhershme të saj mes nesh! Midis të ftuarve dhe spektatorëve që hynin në sallën e Grand Prospect Hall, ishin anëtarë të trupit diplomatik, biznesmenë, funksionarë, artistë shqiptarë e amerikanë, të gjithë adhurues të trios me karierë artistike ndërkombëtare.
Preludi i koncertit me potpurinë shqiptare të aranxhuar për piano nga mjeshtëri Genc Tukiçi, dhe në vijim, kompozimet e interpretimet virtuoze nga violinisti i talentuar Olen Cezari burojnë nga një pikë e globit: vendlindja e të tre artistëve shqiptarë me famë botërore. Kabaja e jugut, jaret shkodrane, serenatat korçare janë pikënisja dhe pikëlidhja e të gjithë neve që sot jemi pjesë e një komuniteti të madh jashtë atdheut. Odeta Hoxha, asistentja e artistes së famshme operistike dhe bashkëorganizatore e turneut në Montreal, thotë se në kohën kur e kemi dëgjuar “Globin” si fëmijë në Shqipërinë e mbyllur nuk mund ta imagjinonim se ne do ishim ata që do bëheshim ‘shtegtarë të këtij rruzulli’. Atëherë shtegtimi si tema e turneut bëhet shprehje e unit tonë të përbashkët.
Në vetë konceptimin e koncertit, udhëtimi e gjen shprehjen artistike tek repertori i përzgjedhur mirë. Pjesë muzikore italiane të tilla si Cinema Paradiso për piano dhe violinë janë ‘një duet intrumental’ i dy maestrove, Genc Tukiçi dhe Olen Cezari të cilët janë në gjendje të transportojnë publikun në kohë dhe hapësirë. Intrepretimet unike të disa baladave klasike si ‘Parla piu piano’ dhe ‘Non ti scordar di me’ nga sopranoja Inva Mula janë të pashoqe. Meqë në atë ndërtesë të Grand Prospect Hall kishte kënduar tenori i madh i të gjitha kohërave Enrico Caruso, në program u këndua balada e kompozuar nga kantautori dhe bashkëatdhetari i tij Lucio Dalla, i cili e ka vlerësuar Olenin si ‘gjeniun e violinës’ dhe ka pasur disa bashkëpunime me të. Pra, siç tha Inva, kënga Caruso ishte “homazh” kushtuar nga artistët për artistin dhe gjithë artistët. Më tej, ajo ftoi në skenë sopranon shqiptare Dëshira Ahmeti-Kërliu me të cilën interpretoi në duet këngë qytetare korçare. Kërliu këndoi solo arian Summertime nga Gershwin. E lindur në Shkup dhe e ngjitur në skenat e operave botërore prej njëzet e pesë vjetësh, Dëshira ka pasur fatin të edukohet si artiste nën drejtimin e sopranos Nina Mula në Tiranë. Për pjesën e turneut në Nju Jork, Dëshira, e cila ishte organizatore bashkë me bashkëshortin, tha se “ka shumë për të thënë lidhur me këtë pikë” dhe do ulemi të bisedojmë sapo të jetë e mundur. Një artiste tjetër u ftua në skenën e koncertit në Nju Jork. Ana Golja, aktore dhe këngëtare me prejardhje shqiptare nga Toronto, si një yll në ngjitje në fushën e filmit dhe muzikës.
Duke u nisur nga ajo pikë e vogël në rruzullin tokësor, udhëtimi muzikor kalon nëpër Itali, Argjentinë e Francë dhe përsëri kthehet në viset jugore të Italisë aty ku ‘gjaku ynë i shprishur” – il nostro sangue sparso – ka krijuar xhevahirë si ‘O e bukura More’ dhe ‘Lule Lule’. Në pjesët e programit si tek këngët qytetare korçare, Margjelo dhe Eja, eja lule borë, Inva i fton spektatorët të këndojnë nga salla dhe me ëmbëlsi bëhet drejtuese e një korri entuziast.
Të lidhur nga respekti për mjeshtërinë artistike të njëri-tjetrit dhe dashurinë për artin e muzikës, të tre artistët e mëdhenj i paraqitën talentet e tyre në çdo pjesë të mbrëmjes duke lejuar të shkëlqente secili në artin e vet.
Pas përfundimit të koncertit, miqtë dhe spektatorët adhurues prisnin me radhë të përshëndesnin artistët dhe fotografoheshin me ta. Ishte një maratonë me aparate dhe blice të kamerave të publikut që kishin marrë pjesë në udhëtimin rreth globit me tri artistët shqiptarë dhe donin ta fiksonin momentin në përjetësi.
Baritoni i njohur shqiptar Kreshnik Zhabjaku i cili ka një karierë të bujshme skenike, kujton paraqitjen koncertale në Town Hall, Nju Jork, ku ai interpretoi me artistë si Inva Mula, tenori Riad Ymeri, soprano Dëshira Ahmeti-Kërliu. Të lidhur me profesionin dhe njohje familiare, nëna e Kreshnikut, Nermin Zhabjaku, pianiste e shquar e Teatrit të Operës dhe Baletit, ka shoqëruar me piano edhe prindërit e Invës, artistët Nina e Avni Mula. Duke shprehur adhurim dhe kënaqësi për koncertin në Nju Jork, baritoni Kreshnik Zhabjaku thotë se ata janë “artistë të mrekullueshëm që dinë t’i japin kënaqësi të veçanta publikut. Një koncert që me ëmbëlsinë dhe virtuozitetin në skenë më dhanë edhe një herë bindjen pse unë si këngëtar klasik bëj këtë punë që kam zgjedhur. Shkëlqimi në sytë e spektatorit është pagesa më e vyer për artistin. I uroj suksese të mëtejshme grupit!”
—————————————————————————————-
Shënim nga editori: Pas Nju Jorkut turneu shkon në Arligton, Massachusets ku me datën 8 tetor do të jepej shfaqja në Regent Theater nën kujdesin e organizatores Edlira Athanas Joseph në emër të Shoqatës Shqiptare-Amerikane BESA. Dielli publikoi shkrimin e kolegut tonë Fuat Memelli për koncertin e trios së famshme shqiptare aty.