
Nga FRANCO VENTURINI
Një ushtri turke, i dyti në NATO mbas atij të SHBA, jeton nëpër gazerma. Një tjetër, më pak e fuqishme por e fortë gjithmonë prej njëzetmijë vetësh, jeton nëpër burgje, në vëndbanime të detyrueshme, në çnderim e në varfëri.
Tre ditë më parë prokurorët e veçantë kanë urdhëruar arrestimin e 158 ndërmjet studentëve të akademive ushtarake, ushtarëve e oficerëve. Për të gjithë, nga korriku 2016 kur disa reparte tentuan një grusht shteti kundër Erdoganit, padia është e njëjta: përkatësi në një “rrjet” të predikuesit Fetullah Gulen, ish mik dhe bashkëpuntor i Erdoganit por sot i mërguar në SHBA. Nuk mjafton.
Disa proçese nuk kanë përfunduar ende e vazhdimisht zbulohen “grupe subversive” të rinj, ushtarakë e civilë, gjithësej 150.000 vetë. Dikush mund të mendojë se Erdogani është vetëm një njeri që nuk harron. Por pikërisht në këto ditë është patur e sata provë alarmuese e faktit që “grushtshtetasit” dhe “kundërshtarët” tashmë janë sinonime. Erdogani ka kërcënuar përzënien e dhjetë ambasadorëve perëndimorë sepse diplomatët kishin kërkuar lirimin e Osman Kavalës, Navalnit turk, botues dhe kundërshtar i njohur, i burgosur prej katër vitesh pa proçes. Trajtim i njëjtë, jo rastësisht, si ai që i rezervohet miqve të hamendësuar të grushtshtetasve.
Protestat fillojnë të ndihen edhe në Parlament, por Erdogani përgjigjet me nisma të reja të depërtimit ushtarak dhe ekonomik. Nga SHBA (që as ëndërrojnë të dorëzojnë Fetullah Gulenin), Sulltani i Ankarasë don së paku dyzet F-16 për të kompensuar humbjen e F-35 të ndaluara nga Amerika mbasi Turqia kishte blerë raketat ruse. Ndërkaq, jo i kënaqur nga prania e bollshme e tij në Libi, Somali dhe në Mesdheun lindor, Erdogani synon Sahelin dhe vjen vërdallë nëpër Afrikë për të shitur dronet e tij tepër të kërkuara. Por shpejt a vonë, ndonjëri do t’i bëjë të kuptojë se me të tilla synime është mirë të ketë vetëm një ushtri?
“Corriere della Sera”, 22 tetor 2021 Perktheu: Eugjen Merlika