Shkruan: Eugjen Merlika/
23 tetori 2013 qe një ditë e pazakontë për hapësirën shqiptare, kryesisht për Kosovën. Në afërsi të Prishtinës u përurua aeroporti i ri i shtetit më të ri t’Evropës. Një vepër bashkëkohore që dëshmon përparimin e Kosovës nga një anë dhe pozicionimin zyrtar të saj, në kontekstin gjeopolitik të një periudhe jo të qetë për Evropën, nga ana tjetër.
Aeroporti, që mban emrin e heroit të UÇK-së e të Kosovës, Adem Jasharit, u ndërtua nga një shoqëri franko – turke që quhet “Limak Aeroport de Lyon”, me sponsorizimin e Qeverisë turke. Ai është marrë në konçesion prej kësaj shoqërie për një periudhë prej njëzet vitesh. Kjo është mënyra më e mirë për t’i hapur rrugën zhvillimit në Vende që janë në hapat e para të tij. Shumë vite më parë qe këshilluar edhe për Shqipërinë pas komuniste, por pa asnjë rezultat. Klasa politike shqiptare nuk pati përfytyresën e duhur, u tregua jo larpamëse dhe krijuese në strategjinë e saj të zhvillimit, duke mos pranuar dhënien e konçesioneve, në emër të një ideje shterpë e të gabuar të interesave kombëtare. Ajo e bazoi rimëkëmbjen ekonomike të Vendit në huatë e në “kapitalin” vendas, me përfundime aspak të kënaqëshme, në krahasim me Vende të tjera të nisura në kushte të përafërta.
Ceremonitë e 23 tetorit shpalosën një simbolikë që le shteg për të interpretuar mendimin politik që zotëron sot në një pjesë të mirë të kosovarëve. Skena politike, në të cilën u zhvillua ngjarja, u zotërua nga tri figura : në plan të parë ishte Kryeministri turk Erdogan e mbas tij dyshja kryeministrore e shqiptarëve, Thaçi – Rama. Në dukje është diçka e zakonëshme, një ceremoni zyrtare në prani të Kryetarëve të Qeverive të Vendeve t’interesuara në veprën së cilës i pritej shiriti. Parë më në thellësi, dukuria nxjerr në pah elementë që lejojnë të nxirren përfundimet mbi gjëndjen politike të Kosovës e të Shqipërisë dhe prirjet e tyre në marredhëniet ndërkombëtare të së sotmes e të s’ardhmes. Në Prishtinë mungonte Kryetarja e Shtetit e cila, jo shumë ditë më parë, u shpreh hapur kundër vënies së shamive në kokat e studenteve në mjediset e shkollave, duke e përligjur këtë zgjedhje me shprehjen “Kosova është një shtet laik”. Në përurim mungonte dhe Kryetari i Bashkisë së Prishtinës, njëkohësisht Kryetar i “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, Isa Mustafa, një mungesë cilësore që vërteton një farë njëanshmërie të ceremonisë, më shumë e prirur të nxjerrë në pah marredhëniet përparësore me Turqinë dhe shfrytëzimin e tyre për qëllime zgjedhore. Por n’atë ceremoni, simbas shtypit, nuk ishin as përfaqësuesit e Eulexit, misionit evropian në Kosovë, dhe as ata të ambasadës amerikane, që përfaqëson mikun më të mirë të republikës së re. Mendoj se këto mungesa nuk janë thjesht rastësi, por kanë domethënien e tyre.
Emërtimi i aeroportit, me gjithë respektin e padiskutueshëm për emrin e dëshmorit të Kosovës bashkëkohore, tregon se udhëheqja aktuale kosovare, në një farë mënyre, ka bërë një shkëputje nga tradita historike e Vendit dhe është e prirur të vlerësojë më shumë periudhën e fundit, që lidhet me luftën e UÇK-së, bijë e së cilës është ajo vetë. Fakti që, për simbol të një vepre madhore të Kosovës bashkëkohore, nuk u huajt nga historia asnjë nga figurat e shumta të saj, personazhe të shquara të historisë kombëtare shqiptare si Ymer Prizreni, Nexhip Draga, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Dervish Mitrovica, Tahir Zajmi, Xhaferr Deva, Rexhep Mitrovica, Iljaz Agushi, për të përmendur vetëm disa prej tyre, tregon pikërisht atë prirje. Në këtë kuadër hyn edhe lënia disi në hije e emrit dhe ndihmesës së Presidentit të parë të Kosovës, të ndjerit Dr. Ibrahim Rugova. Sigurisht, një orientim i tillë është i lidhur me një mëdyshje që shqiptarët kanë qenë të detyruar t’a përballojnë në shumë etapa të historisë së tyre, atë të animit nga Lindja apo nga Perëndimi. Pa hyrë në analizën e motiveve dhe arsyeve të këtyre zgjedhjeve, të cilat janë shumë komplekse e paraqesin dritë – hije të pakundërshtueshme në rrjedhë të shekujve, duket qartë se ndikimi i Qeverisë aktuale turke në Kosovën e pavarur vjen duke u rritur.
Më 23 tetor Kryeministri Erdogan, në krye të një dërgate prej 600 vetësh, ku përfshihej gjysma e kabinetit qeveritar, u prit në Prishtinë e Prizren me një ngrohtësi të jashtzakonshme, jo nga pakica turke, por nga populli i Kosovës shqiptare. Nuk është një dukuri e pazakontë kjo, madje e gjithë historia jonë e gjysmës së dytë të shekullit të fundit, paraqet skena të tilla. Mjafton të kujtojmë pritjet e udhëheqësve komunistë të B.S. apo të Kinës në regjimin komunist dhe atë të jashtzakonshmen e Sekretarit amerikan të Shtetit më 1991. Këto pritje nuk janë vetëm shprehje e prirjes tradicionale të respektimit të mikut, por edhe e më shumë e shpresës që lind nga fuqia ekonomike e shtetit që përfaqëson, e iluzionit se vetëm të huajt mund të zgjidhin problemet tona. Ky koncept vazhdon të jetojë ende sot, edhe për inerci të kundërveprimit ndaj teorisë së “mbështetjes në forcat tona” të komunizmit enverian, zbatimi i së cilës solli mjerimin më skajor në historinë e shqiptarëve.
Por a është Erdogani “shpëtimtari i atdheut” që do të zhdukë varfërinë e Kosovës? E cili do të ishte çmimi eventual i një ndërmarrjeje të tillë? Sa do t’ishin t’interesuara Kosova e Shqipëria t’i jepnin përparësi këtij opsioni, kundrejt synimit të tyre për t’u bërë pjesë integrale e Bashkësisë evropiane ? Janë pyetje që klasa politike në Kosovë, kryesisht, por edhe në Shqipëri, duhet t’u përgjigjen. 23 tetori në Prishtinë e në Prizren, në kuadrin e deklaratave të drejtuesve të tre qeverive, i shtron më me forcë.
Turqia konsiderohet sot prej shumë kujt një mbifuqi ekonomike rajonale, një shtet i rëndësishëm i NATO-s, një faktor qëndrueshmërie në Lindjen e Afërt e të Mesme, në një zonë ku kundërshtitë janë gjithmonë të pranishme e ku luftërat mund të jenë përherë në pritë, madje edhe në zhvillim siç është ajo në Siri. Elementi i parë i këtij konstatimi besoj se meriton një analizë më të hollësishme të shifrave. Turqia ka një popullsi prej 74 milion banorësh, me një PPI prej 789,3 miliard dollarë dhe t’ardhura për frymë 10830 dollarë në vit. Përkatësisht këto shifra, simbas BB janë : për Gjermaninë 3400 miliardë dhe 44000 dollarë ; për Francën 2813 miliardë dhe 41770 dollarë; për Britaninë e Madhe 2435 miliardë dhe 38250 dollarë ; për Italinë 2013 miliardë dhe 33840 dollarë. Po të bëjmë krahasimin me Vëndet kryesore evropiane nuk besoj se fjala mbifuqi ekonomike qëndron në këmbë, mbetet më shumë frut i një propagande se sa një realitet i prekshëm. Ajo ka një rritje të PPI në masën 2,2 %, që nuk është një shifër dragojsh ekonomikë.
Që nga viti 2005 Turqia ka bërë kërkesën për të hyrë në BE. Ishte një kërkesë që, në 2004, gëzonte miratimin e 73 % të opinionit publik turk e që këtë vit ka zbritur në 44 %. Por bisedimet kanë ngecur pa bërë përparime, si pasojë e kërkesave, gjithënjë në rritje të evropianëve kundërshtarë (Franca e Gjermania kryesisht), por edhe për një delir madhështie të Qeverisë islamike të Erdoganit, që ëndërronte një neoperandori otomane në salsë bashkëkohore. Koha duket se i ka zvogëluar këto motive, madje në Ankara nuk është më në plan të parë ministri i jashtëm Davutoglu, idhtar i “neootomanizmit”, por Egemen Baris, ministri për marredhëniet me BE. Në këtë drejtim vlen të përmëndet fakti se numuri i shteteve të BE-së, që miratojnë praninë turke n’Evropë, është shtuar. Nëse do t’i përshtasnim një klasifikim termik opinioneve të antarëve të BE-së, rezulton se të ngrohtë ndaj hyrjes së Turqisë janë sot Suedia, Finlanda, Estonia, Letonia, Irlanda, Britania e Madhe, Hollanda, Belgjika, Portugalia, Spanja, Italia, Sllovakia, Sllovenia, Kroacia, Rumania dhe Bullgaria ; të vakët janë Lituania, Polonia, R. Çeke dhe Franca ; të ftohtë janë Danimarka, Gjermania, Austria, Hungaria, Greqia dhe Qipro.
Dështimet në politikën rajonale, në marredhëniet me Izraelin, Egjyptin apo Sirinë e bëjnë Qeverinë turke të kërkojë zona ndikimi në Ballkanin ish otoman, kryesisht në shtetet me popullsi myslimane si Bosnja, Kosova, apo Shqipëria. Prirja për t’u kthyer aty ku kanë qenë para më shumë se njëqind vitesh mund të duket si një dukuri e zakontë që haset shpesh në marredhëniet e ish fuqive koloniale me ish kolonitë e tyre. Por në rastin tonë nuk mund të zbatohet ai parim.
Deklarata e Erdoganit në Prizren se “Kosova është Turqi e se Turqia është Kosovë”, në rastin më të mirë është një lajthitje e në më të keqin një demagogji bajate, që mund të hyjë vetëm në trutë e fanatikëve apo të padijshmëve, sepse nuk mban parasysh historinë e njëqind viteve të fundit e jo vetëm atë. Kryeministri turk “harron” faktin se shqiptarët kanë një shekull që janë të ndarë në katër shtete kufitarë e që problemi kombëtar, me gjithë kufizimet që koha dhe prirjet bashkuese të kontinentit i kanë vënë, mbetet gjithmonë i gjallë në vetëdijen dhe strategjinë e tyre politike. Por në fjalimet e Prishtinës e të Prizrenit asnjë gjysëm fjale nuk doli që t’a kujtonte “dertin” shqiptar të një shekulli. Erdogani shtrembëron edhe historinë, të cilën na ka kërkuar t’a rishkruajmë në frymën që “për shekuj me rradhë kemi jetuar në vëllazëri dhe në unitet në këto toka.”. Me “shkopin magjik” të prestigjiatorit politik kërkon të na paraqesë një realitet historik të paqenë, që le në harresë 54 kryengritje, gjatë më shumë se katër shekuj pushtimi, në të cilët nuk është lejuar të hapet as edhe një shkollë në gjuhën shqipe. Feja, normalisht motiv bashkimi i njerëzve, u kthye në një mjet ndarës, veçimi e dallimi mes folësve të të njëjtës gjuhë. Ndihmesa e shumë shqiptarëve në jetën administrative e kulturore të Perandorisë otomane, është më shumë shprehje e ambicjeve dhe arritjeve vetiake të tyre, se sa një parapëlqim i institucioneve kundrejt tyre.
“Historia na mëson e vetë me sŷt t’anë po shohim se Shqiptarët, megjithë qi atdheun e vet e kanë ruejtun vetëm ata vetë me gjakun e çëmueshëm të tyne, megjithë qi deri vetë jeta e mbretnis otomane qëndron me sakrificat e tyne, me gjithë këto, po themi, Shqiptarët po gjinden të ndrydhun prej padrejtis mâ të padurueshme, prej sundimit mâ të neveriçëm.” Janë fjalët e një shqiptari që ishte diplomuar në Mylkijen e Stambollit e që mbajnë datën 2 korrik 1912. Vlejnë edhe sot si dëshmi e një historie që nuk mund të tjetërsohet.
Por të gjitha këto konsiderata nuk duhet të paragjykojnë marredhëniet me shtetin turk që duhet të jenë të mira, shumë të mira, por gjithmonë në kuadrin e respektimit të vlerave e të interesave të ndërsjellta, pa kaluar caqet e identitetit e traditës së secilit. Nëse rruga jonë drejt Evropës është e përbashkët, nuk shoh asnjë fitim që atë t’a bëjmë nën ombrellën e Erdoganit, edhe nëse na premtohet ndonjë lëmoshë. Nëse shqetësimi i tij është i sinqertë e pa interes (e vështirë për t’u besuar), nëse ai “nuk mund të durojë dot të shohë Ballkanin të derdhë lot si në të kaluarën”, por bujarisht përpiqet të japë ndihmesën të shërojë plagët e tij, askush nuk duhet të ushqejë paragjykimin për të mos e pranuar a priori atë ndihmë. E kemi ende të gjallë para syve një mospranim të tillë nga Enver Hoxha e Ramiz Alia kundrejt dorës së shtrirë të Shtrausit e Gensherit, ndërsa shqiptarët ftoheshin “të hanin bar” për të ruajtur ideologjinë kriminale të tyre.
Por ky pranim eventual i ndihmës nuk mund të kushtëzojë në asnjë mënyrë zgjedhjet, traditat, konceptet, historinë, synimet e projektet tona, që nuk mund të jenë të tjera, veç përkatësisë në Bashkësinë e kontinentit në të cilin bëjmë pjesë, në historinë e qytetërimin e tij.
Në traditën shqiptare miku është vënë gjithmonë në krye të sofrës apo të oxhakut, por nuk është bërë kurrë zot shtëpije. Komunizmi u mundua t’a tjetërsojë atë duke bërë zot shtëpije Titon, Stalinin, Mao Ce Dunin. Drejtuesit e shqiptarëve pas komunistë, edhe në ushtrimin e retorikës më të zjarrtë në marredhëniet me të tjerët, duhet t’a mbajnë para sysh atë parim të urtë të të parëve tanë.
Tetor 2013