Nga Ramazan Çeka/
Humanistët malësorë bashkohen sërish në një darkë të veçantë donatorësh për mbledhjen e fondeve për restaurimin e TV “BOIN”. I jashtëzakonshëm uniteti i malësorëve këtu në Michigan, në Malësinë e vogël me zemër të madhe, që ata vetë kanë themeluar në Amerikën e Largët, me shumë përkushtim e respekt reciprok, duke i shtrirë dorën vllazërore njëri – tjetrit e duke lidhur besën njësoj si në vendlindje me BESLIDHJEN E MALËSISË.
Sa herë thërret zëri i Atdheut, i Malësisë apo i Vllaznisë dhe lind nevoja me iu gjet pranë, me iu zbut hallet e me iu zbardhë faqen, ata mblidhen njësoj si sonte në këtë darkë humanitare, në të cilën janë bashkuar për të mbledhur fonde për rindërtimin e TV Boin, medias së vetme shqiptare në Malin e Zi, me kushte dhe parametra bashkëkohorë.
Kjo darkë vllaznie me motiv bamirësie e shtruar bujarisht nga Avokati i nderuar z. Jozef Dedvukaj, në lokalin e biznesmenit Dodë Kolçaj në Rochoster Bistro, mblodhi bashkë malësorë e aktivistë, biznesmenë e drejtues të organizatave më me emër në Komunitetin Shqiptar në Michigan, ndër ta edhe Drejtori i Degëve të Vatrës në Amerikë z. Mondi Rakaj, Avokati i mirënjohur z. Ervin Tinaj, njëkohsisht Kryetar i Shoqatës “Kelmendi”. Prof. Anton Lajçaj, Kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë” Agron Dedivanaj, Biznesmenët e nderuar Mark Nikollë Pjetrushi Lulgjuraj, Marash Nucullaj, Palë Shkreli, Marjan Camaj, Vilson Sinishtaj, Aktivisti Gjergj Ivezaj dhe Aktivisti e humanisti i nderuar z. Peti Camaj, biznesmen dhe sipërmarrës me përvojë në rolin e arkatarit, njëkohësisht producent i disa veprimtarive dhe aktivitete kulturore e artistike, si dhe shumë malësorë të tjerë aktivistë e humanistë të nderuar e bujarë me emër në Malësi.
Nuk munguan as përfaqsues të mediave shqiptare në Michigan e jo vetëm.
Për ta njohur më në detaje mirfunksionimin e marrëdhënieve vllaznore, rëndësinë e “Tv Boin” për këta malësorë, për Komunitetin Shqiptar në Michigan, si dhe në Malësinë e Madhe, motivin për çka janë mbledhur, si dhe mbarvajtjen e kësaj darke, kemi marrë disa intervista, të cilat do t’i pasqyrojmë në një reportazh për teleshikuesit shqiptar, për të dëshmuar kështu forcën e unitetit vllaznor, që si askund tjetër i mban të lidhur bashkë këta malësorë të nderuar në vendlindje dhe në Diasporë.