

New York, 1 qershor 2025 – Në Kensico Dam Plaza, Valhalla, New York, Qendra Kulturore Nënë Tereza e Famullisë Zoja e Shkodrës dhe zyra e Parqeve të Qarkut Westchester organizuan festën e përvitshme të nderimit të traditës e trashëgimisë kulturore e shpirtërore shqiptare në Amerikë. Me pjesëmarrjen e shqiptarëve nga disa shtete të Amerikës, artistëve e grupeve kulturore, shoqatave e organizatave patriotike, aktiviteti mbresëlënës patriotik, kulturor, sportiv, social, komunitar e atdhetar shënoi një sukses të madh jo vetëm të bashkimit të shqiptarëve por edhe të shpalosjes së vlerave tona më të shtrenjta kombëtare në mërgatë. Nën kujdesin e veçantë të Dom Pjeter Popaj famullitarit të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”, dhe organizatorit Fran Çotaj, festivali i traditës e trashëgimisë shqiptare në Amerikë vjen vit pas viti si një sukses shqiptar, si një traditë, pasuri dhe trashëgimi identitetare kombëtare që ruhet në mënyrë të shkëlqyer prej shqiptarëve të Amerikës.
Këtë vit festa e Traditës Shqiptare u shoqërua me përformanca nga artistët: Indrit Mlika, Ermina Bushi-Lleshaj, DJ Geni Hotaj, Grupi Rozafati, Shoqeria Kulturoro Artistike Kelmendi, Ansambli Folklorik Autokoton Rugova dhe Qendra Kulturore Shiptare Amerikane Struga të cilët gëzuan dhe argëtuan pa masë të gjithë të pranishmit.
Me pjesëmarrje gjithnjë e më masive të bashkatdhetarëve tanë, aktiviteti atdhetar gëshetoi në vetvete kulturë, traditë, sport, muzikë, piknik, këngë e valle shqiptare të shoqëruara me guzhinë tradicionale shqiptare duke emocionuar të gjithë pjesëmarrësit e sidomos fëmijët shqiptarë të lindur në Amerikë. Kjo festë nderon jo vetëm Kishën Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës si institucion fetar e kombëtar lider por në mënyrë të veçantë çdo familje shqiptare që ruan identitetin, historinë, traditën, kulturën dhe gjuhën shqipe në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.