Nga Veri Talushllari/
Shoqata “Skënderbej”USA, që ka në radhët e saj ushtarakët shqiptarë, familjarë dhe miq të tyre, është një nga shoqatat më aktive të komunitetit tonë në NY dhe NJ. Në radhët e kësaj shoqate janë disa krijues e studjues, që edhe këtu, në emigracion, gjejnë kohë e mundësi të tregojnë vlerat krijuese e intelektuale nëpërmjet shkrimeve e botimeve. Të dielën, më 17 tetor, në një mjedis të këndshëm në Forest Hills, ajo organizoi “Ditën e Librit”, për promovimin e librave të anëtarëve të saj, botuar kohët e fundit. Petrit Xhaferi erdhi me dy botime. Romani “Medeti”, sjell të gjallë dhe me humor një copëz nga jeta në repartet e ushtrisë shqiptare në vitet ‘50-60 shekullit të kaluar, ku luan me konfliktin komandant-komisar dhe krijon situata të gjalla, reale e që të bëjnë të mbash buzën në gaz. Po ashtu Petriti ka botuar kohët e fundit një fjalor për udhëtarë shqip- anglisht-gjermanisht, aq i nevojshëm në këto kohë.Një vend të veçantë në këtë veprimtari zuri diskutimi për librin “ Mërgata Legjendare e Amerikës” e studjuesit Shefqet A.Saliu, libër për të cilin kjo gazetë ka shkruar pak kohë më parë. “ Mërgata…” e Saliut është një vepër voluminoze dhe shumë e rëndësishme për komunitetin tonë dhe Emigracionin Shqiptar, pasi përfshin Historinë e tij të shtrirë në tre shekuj, që nga fillimet e tij në vitet 1800 e deri në ditët tona. Një studim që i mori autorit 15 vite punë kërkimore, i bërë me kritere të rrepta shkencore, por i shkruar me penë e shpirt shkrimtari, duke e bërë librin të lehtë në të lexuar. Kol.(R) Gëzim Mustafaj, Prof. Asoc., Dr. i shkencave ushtrake, u përgëzua nga shokët dhe kolegët për botimin e librit” Lufta e Kosovës dhe NATO”. Folësit në takim vlerësuan nivelin shkencor dhe analizën e thellë të kësaj ngjarjeje të madhe historike për popullin shqiptar, që kulmoi me krijimin e shtetit të dytë shqiptar në shekullin që shkoi. Libri është një vështrim i gjerë politiko- ushtarak i Operacionit “Forca Aleate”, që i dha fund robërimit të pothuaj gjysmës së popullsisë dhe teritorit të shqiptarëve, një padrejtësie historike të fuqive të mëdha europiane, genocidit shtertëror dhe tentativës për spastrim total etnik të kombit shqoptar në Kosovë nga regjimi kriminel i Milosheviqit. Prof. Mustafaj, që ka qënë pjesëmarës aktiv në këtë ngjarje si ushtarak me funksione të rëndësishme në njësitë e kufirit Shqipëri- Kosovë, na ka dhënë një përshkrim të detajuar të zhvillimit të Operacionit, vendit dhe rolit të UÇK-së në këtë histori, lëvizjet e ushtrisë, policisë dhe forcave paramilitare serbe, krimet e tyre ndaj popullsisë së paarnatosur shqiptare. Libri, i shoqëruar edhe me harta të operacioneve ushtarake të palëve ndërluftuese, si dhe me një ditar luftarak, është një pasuri e shtuar e bibliotekës së Luftës së Kosovës, Operacionit çlirimtar e shpëtimtar të NATO-s, si dhe heroizmit të bijve e bijave të popullit shqiptar të rreshtuar nën flamurin tashmë legjendar të UÇK-së. Në takim u fol për libra e krijime poetike,letrare e studimore të krijuesve të tjerë, anëtarë të Shoqatës, si poetes së njohur Ilirjana Sulkuqi, autorit të këtij shkrimi, studiusve Mihal Jano e Engjëll Zerdelia, krijuesit Dhimitër Golemi etj. Folësit, Bujar Hasani, Haxhi Sejdarasi, Fatmir Kalemi, Gëzim Shentolli, Përparim Seitaj, Dirka Xhakolli etj, vlerësuan faktin që përtej problemeve, halleve e streseve të jetës së përditëshmë, si emigrantë, anëtarët e Shoqatës SKËNDERBEJ gjejnë kohë dhe forca për punë krijese, për krijime letrare dhe kërkime shkencore, dhe uruan e premtuan që ky të mos jetë takimi i fundit i kësaj natyre.