NIKO KIRKA U KACAFYT DISA HERE ME VDEKJEN DHE … E ZMBRAPSI…./
Komuniteti shqiptar përcolli me nderime e respekt atdhetarin, qëndrestarin, antikomunistin e pakompromis Niko Kirka, i cili ndërroi jetë të dielën me 2 Dhjetor 2018, në orën 7 e 10 minuta të mëngjesit në spitalin Calvary në Bronks, në prani të familjes.
Ditën e Martë, 4 Dhjetor, komuniteti shqiptar bëri homazhe në Shtëpinë Mortore”Farenga Brodher”, më Allerton Ave në Bronx, ku ishte vendosur i rrethuar me kurora me lule arkmorti me trupin e të ndjerit.
Komuniteti, familje, individë, organizata, ngushëlluan Familjen Kirka. Të Mërkurën në orën 10 e 30 të mëngjesit në Shtëpinë Mortore”Farenga Brothers”, u organizua ceremonia përcjellëse. Lutjet dhe ritet fetare i bëri fadher Nikodhim, prift i kishës Orthodokse St. Nicholas në Nju Jork.
Fjalën përcjellëse e ka mbajtë nipi i Niko Kirkës, Zhani Lito. Ai përcolli elegjinë kushtuar dajës së tij, Niko Kirka. E japim të plotë: ” Një shprehje e vjetër thotë se vetëm vdekja dhe taksat janë, dhe gjithëmonë do të jenë, të sigurta. Por një person, që unë kam menduar se e vinte këtë të ashtuquajtur”siguri” të vdekjes , në pikëpyetje, ishte Niko Kirka. Arsyeja që unë mendoja këtë gjë të pabesueshme është sepse Niko Kirka gjatë jetës së tij e ka parë vdekjen disa herë në sy dhe vdekja është mbrapsur. Niko Kirka e pa vdekjen shumë afër në burgun e Korçës, si një 19 vjeçar, kur sigurimi e kishte futur në qilarin e atyre që po pushkatoheshin, me qëllim që t’ia thyenin shpirtin. Vdekja u kacafyt me Niko Kirkën në kënetën e vdekjes, në Maliq, dhe në kampet e tjera të Shhqipërisë komuniste, por gjithëmonë Niko Kirka, triumfoi, mbijetoi dhe vdekja u zmbraps. Aq e fuqishëm ishte mbijetesa e Niko Kirkës në kampin e përqëndrimit të Vloçishtit, sa që një hoxhë i burgosur atje, me lot në sy, i tha Nikos: Vetëm Ti dhe Krishti jeni ringjallur!
Po pse Niko Kirka ishte kaq i fuqishëm? Çfarë e mbante Nikon të fortë kur të tjerët thyheshin dhe vdisnin?
In the Bible-John 8:32 Then you will know the truth, and the truth will set you free.
E vërteta- Të tregohet e Vërteta!-, ky ishte Misioni që Niko i kishte vënë vetes. Të jetonte që të tregonte të vërtetën mbi komunizmin, ishte ky “sekreti” që e fuqizonte dhe e bënte të thyente vdekjen. Ishte misioni që i kishte vënë vetes për të treguar të vërtetën për të Atin, Kristo Kirkën, patriotin dhe vatranin e lavdishëm, që komunizmi e burgosi, e la pa varr, dhe u mundua që ta fshijë nga historia.
Ky mision i dha fuqi dhe kurajo. Qëllimi i këtij misioni e bëri të palëkundur para vështirësish të pa imagjinuara dhe të pafund. Ky qëndrim i kaliti karakterin dhe e bëri të vendosur deri në fund, derisa t’ia arrinte qëllimit të tij madhështor dhe historik, Niko Kirka kurrë nuk u lëkund në besimin se komunizmit do t’i vinte fundi dhe e vërteta do të triumfonte. Dhe Niko Kirka ia arriti qëllimit të tij. Komunizmi u thye, bëmat famkeqe të komunizmit u njohën botërisht dhe libri i Kristo Kirkës, dhe i jetës së tij, është botuar dhe historianët shqiptarë e lexojnë dhe nderojnë kujtimin e Kristo Kirkës.
Sot ne jemi mbledhur me dhimbje në zemër dhe lot në sy për Nikon tonë të dashur, por të gjithë e dimë se Nikoja gjithëmonë do të jetë pranë nesh si shembull i karakterit të pathyeshëm….
Persona si Niko Kirka kurrë s’vdesin, ata janë si ushtarët që “Fade Away” si e përshkruan gjeneral Macarthur.
Dajë i dashur Niko, ti tani je mes të dashurëve tanë dhe ne të gjallët pacim bekimin tënd!
I përjetshëm qoftë kujtimi i Niko Kirkës!”
Një mesazh ngushëllues për familjen dhe vlerësues për të ndjerin Niko Kirka, si antikomunist dhe qëndrestar përballë diktaturës dhe komunizmit, që ende është në këmbë, përcolli Dr. Gjon Bucaj.
Varrimi i të ndejrit u bë në Farnclif Cemetery, NY, ku preheshin eshtrat e Mitd’hat Frashërit dhe ku prehen eshtrat e nacionalistëve të tjerë që kanë ndërruar jetë në Nju Jork si: Zef Pali, Luan gashi, Sefer Mujo e të tjerë.
Më pas familja ka shtruar drekën për shpirtin e njeriut të tyre të dashur Niko Kirka në restorantin”Maestro’s”.
Prehu në Paqë Niko Kirka!
*(Per me shume fotografi shihni ne Facebook-dielli vatra