Të enjten në mbrëmje, në mjediset e Shtëpisë së Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, u promovua dega më e re , ajo e Queensit nw shtetin e New Yorkut. Sic kemi njoftuar, në fillim të muajit prill ishte mbledhur në klinikën e dr. Skënder Murtezanit, i anëtarësuar në Vatër që në kohën kur kryetar ishte Prof. Arshi Pipa, komisioni nismëtar i riorganizimit të degës, që paralajmëroi rikrijimin e degës, që pati pushuar së funksionuari që në vitet ’80.
Vatranëve të Queensit ua uroi mirëseardhjen në Shtëpinë e Vatrës, kryetari dr. Gjon Bucaj. Ai u foli shkurtazi për historinë e Vatrës, për luftën e saj për cështjen kombëtare, rigjallërimin e saj në 100 vjetorin e themelimit, dhe frymën që mbizotëron në prag të Kuvendit të saj që do të mblidhet me 27 prill 2013.
Të sapoanëtarësuarit në Vatër me banim në qytetin e Queensit kanë prezantuar radhazi veten e tyre; ardhjen në Amerikë, familjen, profesionin dhe cfarë i lidh me Vatrën. Atana janë nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Në organizimin e kësaj dege punoi anëtari i Këshillit të Vatrës, juristi Bashkim Musabelliu.
Më pas është zgjedhur komisioni i votimit, i përbërë nga Ndre Deda, Altin Qose dhe Bujar Saliasi për të zgjedhur kryesinë e degës. Me votim të fshehtë u zgjodhën shtatë anëtarë të kryesisë. Numërimi i votave u bë hapur. Kryesia e re u hoq mënjanë dhe zgjodhi , kryetarin, dy zvëndës/kryetarët, sekretarin dhe arkëtarin. Kryetar u zgjodh dr. Skënder Murtezani, zv/kryetarë Halit Shpuza dhe Bujar Golemi, sekretare Monda Musabelliu.
Kjo degë ka 40 anëtarë. Në fund u zgjodhën dhe katër delegatët për në Kuvendin e Vatrës. Ata janë dr. Skënder Murtezani, Halit Shpuza, Monda Musabelliu dhe Arben Bardhi.