
Sot në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u promovua libri “Operacione sekrete – Shqipëria nën Luftën e Ftohtë” me autor prof. dr. Irakli Koçollarin.
Në këtë libër përshkruhen të parat operacione klandestine në historinë e Luftës së Ftohtë, të cilat u drejtuan kundër Shqipërisë, nga viti 1948 gjer në vitin 1954.
I mbështetur kryesisht në dokumentacionin e Arkivit të CIA-s, të Shërbimit Sekret Britanik dhe ato të Sigurimit të Shtetit, në këtë libër autori pasqyron operacionet sekrete të Shërbimit Sekret Shqiptar kundër CIA-s dhe MI 6 në vitet 1949-1953, të cilat njihen si operacionet e para sekrete kundër Perdes së hekurt nga SHBA dhe Britania e Madhe.
Prof.dr. Koçollari në këtë libër zbulon misionin delikat të SHBA-ve që kërkonte të rrëzonte regjimin diktatorial në Shqipëri, por edhe të ruante integritetin e shtetit shqiptar nga pretendimet greke, të cilat mezi prisnin të ndodhte ndryshimi.
Libri është një hulumtim 14-vjeçar. Autori pohon se koha e gjatë ka shërbyer për të shmangur të gjitha ndikimet apo anësitë e mundshme ideologjike, emocionet që shkaktohen nga ngjarjet e dhimbshme që gjenden ne fletët e arkivave të kohës, dhe krahas tyre është përpjekur të rrijë larg nostalgjive apo urrejtjes që kanë sjell shpesh troshitjet politike të kohës në vendin tonë….
Prof. Pëllumb Xhufi dhe Prof. Fatos Tarifa vunë në dukje rëndësinë që kanë dokumentet të cilat shmangin trajtimin bardhë e zi të historisë dhe dëshmojnë për fuqinë e shtetit të diktuarës në këtë aspekt.
Ato rrëfejnë se cila do të ishte fuqia e Sigurimit të Shtetit Shqiptar pa mbikëqyrjen e KGB-së, e cila në të vërtet ishte koka e shërbimit sekret shqiptar në atë kohë dhe oficerët tanë të sigurimit ishin thjesht një grup i gatshëm në terren i tyre.
Prof. dr. Koçollari tha se botimi është një kronikë ngjarjesh mbështetur thellësisht në dokumentacionin arkivor kryesisht atë të CIAS Të MI 6 dhe të Sigurimit, pa folur për të gjitha botimet perëndimore dhe lindore, të cilat flasin qartë përse, çfarë dhe si u realizuan operacionet klandestine të spiunazhit gjatë viteve të diktaturës në territorin shqiptar.
Por ndërkohë që dokumentacioni arkivor i CIA-s, MI6 dhe Sigurimit është deklasifikuar me shumicë, mungon dokumentacioni i shërbimit sekret grek. QIP, EIP, atij italian SIS, dhe jugosllav UDB, të cilët ndërmorën jo pak misione spiunazhi klandestin kundër vendit tonë, ndërkohë që kanë kaluar rreth 70 vite nga ato ngjarje, afate kohore që e bëjnë të detyrueshme deklasifikimin e materialit që flet për ato ngjarje, të këtyre vendeve në zbatim të ligjit ndërkombëtar për informacionin e klasifikuar.
Megjithatë dy vëllimet e këtij libri trajtojnë rrugën si nisën këto operacione, ku u hartuan planet, qëllimin që ato kishin, shkaqet, arsyet dhe objektivat që synonin, mjetet. Mënyrat, kontingjentin që u përdorën, zonat dhe terrenet ku ato u shtrinë, fatin e operacioneve dhe pasojat që ato sollën në jetët njerëzore, në rrjedhat politike të kohëve, për vendin tonë.
Për shkaqet pse e shkroi këtë libër prof.dr. Irakli Koçollari tha se:
Së pari, duke filluar që nga viti 2007, amerikanët, pra CIA, filloi të deklasifikojë pjesë-pjesë dosjet e operacioneve klandestine të ndërmarra në tokën shqiptare, çka pruri shumë dokumentacion që ndriçonte dhe konfirmonte shumë fakte të atyre ngjarjeve apo sillte shumë të reja të panjohura për ne apo që ne i kemi njohur ndryshe gjer më tani. Ishin me mijëra e mijëra faqe me vlera të veçanta historike për vendin tonë.
Një tjetër arsye që nxiti këtë ndërmarrje ishte edhe fakti se edhe nga perëndimorët për këto ngjarje tronditëse për dekada me radhë ishte mbajtur një heshtje dhe censurë ekstreme, madje ishte shkelur ligji FOIA!!? Dokumentet ishin ruajtur në një censurë ekstreme. (Po përse? Sepse sikundër thotë analisti britanik Bethel “ato dokumente ishin tepër komprometuese për vendet që i organizuan dhe ndërmorën ato operacione klandestine ndaj Shqipërisë, dhe binin ndesh me parimet dhe normat e të drejtës ndërkombëtare. )
I pari që do të thyente heshtjen rreth ngjarjeve, operacioneve sekrete dhe do të publikonte dokumentet para të tyre do të ishte lordi britanik Nikolla Bethel, anëtar i dhomës së lordëve dhe kryetar i komisionit të sigurisë në parlamentin britanik. Ai në vitin 1982 shkroi për herë të parë dhe i bëri të njohur publikut ç ‘kishte ndodhur me Shqipërinë, dhe ç’kishte gatuar shërbimi sekret britanik MI 6, përmes librit :”Great Betreal”.
Pas tij do të vinte Stephen Dirill-një ish profesionist i shërbimit sekret britanik. Me librin e tij “MI 6” dhe më pas Cristopher Andreë, amerikanët me Ben Macentyre me librin “A spy amanag friends”, Albert Lulushi, etj., grekët-Pavlos Apostolidhis.
Të gjithë këta autorë, profesionistë të CIA-s apo MI 6, në librat e tyre zbulojnë si u realizuan operacionet, dhe flasin për fatin tragjik që pësuan ato, por në konkluzionet e botimeve të tyre ata do të mbeteshin të dyzuar rreth shkakut të vërtetë të dështimeve.!!! Dhe për të sqaruar këtë enigmë –ata konkludojnë se ishte e panevojshme që pretendimet e tyre të konfrontoheshin me dokumente e sigurimit-si një prej aktorëve decizivë në këto përballje.
( E shihja të nevojshme të sqarohej kjo dilemë duke ofruar dhe prezantuar këtë anë të panjohur, por të rëndësishme të ngjarjeve, pra dokumentacionin e deklasifikuar të sigurimit.)
Prof.dr. Koçollari bëri të njohur se operacionet ndaj Shqipërisë qenë dhe janë të parat operacione klandestine në tërë historinë e luftës së ftohtë që përfshiu këtë planet që quhet tokë (Ato thirren në të gjithë literaturën e botuar të spiunazhit “The first strike aganinst Iron Cortain”) Por në këtë histori vetëm pala shqiptare kishte heshtur, për të treguar se çfarë kishte ndodhur në tokën e saj realisht (një nevojë tjetër kjo për të folur dhe treguar se ç’kishin dokumentet shqiptare).
Prof.dr. Irakli Koçollari tha se libri rrëzon pretendimet e pabaza të rolit të Kim Filbit në këto operacione (në libër gjendet fotokopjet e të vetmit informacion që Kim Filbi i ka dhënë KGB-së dhe që publikohet në mënyrë unike për herë të parë në këtë libër.)
Vite e fundit në shtypin dhe median e vendit tonë ka pasur mjaft pasaktësi, shtrembërime të skajshme dhe deformime, me dhe pa qëllim, të këtyre ngjarjeve, në këto rrethana ishte dhe mbetet një mision qytetar të sqaroheshin opinionet e pandriçuara, të painformuara ose të keqpërdorura për qëllime të caktuara.
Autori i dy vëllimeve të këtij libri ka pasur fatin të takojë protagonistë të ngjarjeve të të dy anëve; ata që bënë plane kundër Shqipërisë, dhe ata që iu kundërvunë grupeve dhe operacioneve klandestine në territorin shqiptar.
Prof. Koçollari tha se dokumentacioni i CIA-s ofron veç të tjerave, mes begatisë së tij shumë njoftime për çështje me interesa të veçanta për të shkuarën por edhe për atë aktuale për vendin tonë. Kështu mes të tjerave ai na bënë të njohur se cilat kanë qenë dhe janë interesat e hapura apo të fshehta të fqinjëve ndaj Shqipërisë-çështje këto që vetëm shërbimet amerikane të inteligjencës mund t’i mësonin dhe t’i dinin më mirë nga ne-dhe sigurisht janë mjaft të vlefshme për ne shqiptaret në përgjithësi, por edhe politikëbërësit në veçanti.
Ai tha se duke ndjekur në hershmëri, që prej fillimit të shekullit të 20-të (prej viteve 1913) dhe gjer në ditën e sotme…, raporte dhe marrëdhëniet e SHBA-së me Shqipërinë, përmes dokumentacionit të CIAS-s sqarohet fare qartë-konsekuenca e palëkundur e politikës së jashtme amerikane për të pasur marrëdhënie të afërta dhe miqësore me Shqipërinë dhe shqiptarët.
Prof.dr.Koçillari në mbyllje të fjalës së tij tha se “Amerika për ne shqiptarët dhe Shqipërinë, nuk është vetëm një partner i madh strategjik, por mbi të gjitha një partner ekzistencial.”
*
Ngjarjet dhe eventet që shkruhen në faqet e këtij libri, bëhen të njohura për herë të parë.
Libri ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të opinionit vendas, por edhe të atij ndërkombëtar.
Këshilltari për politikën ndërkombëtare pranë Departamentit të Shtetit, Frank Wisner Jr., shkruan:
“Përmbledhjen e librit “Operacione Sekrete – Shqipëria nën Luftën e Ftohtë” e lexova me një frymë!
U mahnita! Ju rrëzoni përfundimisht mitin e Kim Filbit! Suksese.”
Ndërsa historiani britanik Stephen Long shkruan: “ ….
Dy vëllime me 29 kapituj mbresëlënës, libri “Operacione Sekrete” është pika kulmore, dëshmia e një pune, dedikimi shumëvjeçar dhe hulumtimi të përpiktë shkencor të bërë nga autori….”
I shkruar më shumë se 70 vjet pas ngjarjeve në Shqipëri , trajtuar me mjeshtëri nga profesor Koçollari, libri operacionet sekrete i sjelle lexuesit kujtimet e kohës së gabimeve dështimit dhe arrogancës që ende shpesh duket se shoqërojnë operacionet sekrete.