




Veprimtaria u zhvillua më 17 dhjetor 2025 nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, Komisioni i përhershëm i gjuhësisë dhe i letërsisë dhe Komisioni i përhershëm i historisë.
Prof. dr. Anila Omari, Kryetare e Komisionit të përhershëm të gjuhësisë dhe të letërsisë, në fjalën e hapjes theksoi se Peter Prifti ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në njohjen e Shqipërisë së viteve ‘70-‘80 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në botën perëndimore, por në atdheun e tij nuk është dhe aq i njohur. Kjo konferencë do të ndriçojë jetën, veprën dhe kontributin e tij.
Prof. dr. Paskal Milo, Kryetar i komisionit të përhershëm të historisë, e vlerësoi Peter Priftin si një nga figurat më të shquara të historisë së diasporës shqiptare dhe nga më pak të njohurat në Shqipëri. Kjo dilemë historike rreth personalitetit të Peter Priftit ka ardhur për arsye specifike, për shkak të situatës në marrëdhëniet shqiptaro – amerikane të kohës dhe për shkak të mbylljes që ka patur Shqipëria, përfshirë këtu edhe shkencën shqiptare. Ai vlerësoi veçanërisht veprimtarinë e Peter Priftit si aktivist kombëtar, intelektual dhe krijues, një personalitet që është përpjekur të jetë i baraslarguar nga politika duke ruajtur një identitet vetjak.
Julika, mbesa e Peterit dhe vajza e shkrimtarit Naum Prifti, lexoi përshëndetjen e kryetarit të Federatës Vatra, dr. Elmi Berisha. Ai e vlerësoi Peter Priftin si shpirt rilindës dhe atdhedashës, një bashkëpunëtor i besuar i Fan Nolit dhe ithtar i idealeve të larta kombëtare. Vlera e veprës së tij qëndron në ndërtimin e themeleve të studimeve shqipe në Amerikë e më gjerë, duke i dhënë historisë së shqiptarëve hapësirë të dëgjohej dhe respektohej në mbarë botën. Në fund të fjalës, shpreheshin falënderime për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që po e respekton studiuesin e gjuhës shqipe dhe të albanologjisë.
Akad. Hamit Kaba në kumtesën “Politika shqiptare e pasluftës në studimet e Peter Priftit” e vlerësoi personalitetin e studiuesit të shquar shqiptaro-amerikan dhe veprimtarinë komplekse në disa fusha të shkencës dhe filologjisë. Ai bëri një pasqyrë të plotë të krijimtarisë shkencore të Peter Priftit, të arkivave të pasura dhe studimeve të tij mbi historinë e Shqipërisë, që nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Akad. Kaba prezantoi punën kërkimore dhe frytet e saj në qendrën e studimeve ndërkombëtare pranë Institutit të Teknologjisë në Kembrixh, në Maçasusets, të cilin Peteri e vazhdoi deri në vitin 1976.
Akad. Kristina Jorgaqi, në kumtesën me titull “Interesat gjuhësore të poliedrikut Peter Prifti” vuri në dukje morinë e interesave kërkimore të Peter Priftit për Shqipërinë e shqiptarët dhe veçoi kontributin e tij për ruajtjen dhe njohjen e gjuhës shqipe në SHBA, për përhapjen e njohurive mbi historinë e saj, si dhe për mbështetjen e përkrahjen koherente të shqipes standarde. P. Prifti ishte pjesë e një ekipi, që merrte përsipër hartimin e teksteve për mësimdhënien e shqipes për anglishtfolësit. Produkti i një projekti trevjeçar ishte trilogjia për mësimin e shqipes, që përbëhet nga 3 tekste: Spoken Albanian , Standard Albanian, Reference Grammar for Students, si dhe një antologji me tekste leximi në gjuhën shqipe, Readings in Albanian. Paralelisht ai u angazhua edhe në mësimdhënien e shqipes dhe ka redaktuar të gjithë lëndën në librat “Shqipja e folur” dhe “Lexime në shqip”, duke ruajtur kriteret e gjuhës së njësuar letrare. Akad. Jorgaqi foli më tej për hartimin e metodave, fjalorët dygjuhësh dhe gramatikave për mësimin e shqipes nga P. Prifti etj.
Prof. dr. Arben Cici në kumtesën “Fan Noli dhe Peter Prifti- nga fryma e rilindjes tek mendimi modern shqiptaro amerikan” e vlerësoi Peter Priftin si një nga personalitetet më përfaqësuese të kulturës shqiparo-amerikane të shekullit të 20-të. Ai punoi për t’i sjellë çështjet shqiptare në qendër të vëmendjes akademike dhe politike në SHBA. Peter Prifti ishte vazhdim i drejtpërdrejtë i traditës së Fan Nolit, mendimtarit, përkthyesit dhe dijetarit, që besonte në fuqinë e arsimimit dhe të kulturës për të ndriçuar kombin.
Prof. dr. Rami Memushaj mbajti kumtesën “Polemika Prifti – Pipa për problemin e gjuhës letrare të njësuar”. Duke vlerësuar jehonën e Kongresit të Drejtshkrimit (1972) në botën shqiptare, ku vendimet e tij u zbatuan me vullnet të lirë në të gjitha trevat shqipfolëse dhe në mërgatat, prof. dr. Memushaj nga debati mes intelektualëve ka veçuar përgjigjet e Peter Priftit për gjashtë argumentet e Arshi Pipës kundër gjuhës së njësuar letrare. Ndër to, për argumentin se gjuha letrare u krijua për të nënshtruar gegët, Petri shpjegon se nevoja për një gjuhë letrare për tërë kombin qe artikuluar nga tri emra të mëdhenj të Rilindjes Kombëtare: Konstandin Kristoforidhi, Sami Frashëri dhe Faik Konica, dhe se Komisia Letrare e Shkodrës shënon përpjekjen e parë në këtë drejtim. Punën e papërfunduar të Komisisë e përfundoi Kongresi i Drejtshkrimit, arritjet e të cilit, shkruan Petri, “përbejnë një gur nishan në historinë e gjuhës shqipe”.
Biografja e Peter Priftit, znj. Eleni Karamitri, në kumtesën “Kujtesë bibliografike për portretin enciklopedik të Peter Priftit” renditi një sërë kontributesh: si anëtar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane; në fushën e gazetarisë; në arte e letërsi e më gjerë. Peter Prifti publikoi artikuj në enciklopedi serioze si: Encyclopedia Britannica, Compton’s Encyclopedia, Encyclopedia Americana, Collier’s Encyclopedia, World Book Encyclopedia, etj. Është kontribuuesi i parë shqiptar në prestigjiozen Encyclopedia Britannica, pasi artikujt e tij janë me shumë vlerë për historinë e Shqipërisë dhe letërsinë shqipe. Emri i tij gjendet në serinë e librave “Shkrimtarë ndërkombëtarë”, ku në vëllimin “Shkrimtarë nga Europa Lindore” (Londër 1991) shënohet: “Peter Prifti është një konsulent për shqipen në Departamentin e Linguistikës në Universitetin e Kalifornisë, në San Diego. Ai shkruan rregullisht për tema të ndryshme lidhur me Shqipërinë, kryesisht mbi historinë, literaturën dhe çështjet aktuale.”.
Dr. Ermira Alija në kumtesën me titull “Një shikim komplementar në Shqipërinë komuniste nëpërmjet krahasimit të Priftit dhe Ypit” paraqiti nëpërmjet një analizë shteruese filozofike personalitetin e Peter Priftit, duke e vendosur në mesin e personaliteteve më me ndikim në zhvillimin kulturor të komunitetit dhe vendit të tij.
Konferenca u mbyll me diskutime dhe konkluzione për figurën shumëdimensionale të Peter Priftit me kontribute në krijimtari, në historinë bashkëkohore, në gjuhësinë dhe gjuhën shqipe, në fushën e publicistikës, por edhe si aktivist kombëtar e më gjerë.