Dr. Lulzim Nika/
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, heroike dhe çlirimtare. Pas përfundimit të mandatit të Gjykatës së Hagës, presioni për ta formuar dhe vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale ishte sui generis për drejtësinë ndërkombëtare, meqë qysh në fillim ishte konceptuar si gjykatë që do të ndiqte vetëm pjesëtarët e një kombi, në këtë rast shqiptarët, e si e tillë, paraqet një nonsens juridik, historik dhe politik, sepse është bazuar në paragjykim dhe fajësi a priori të luftës së drejtë për liri e pavarësi.
Krimet masive dhe masakrat çnjerëzore që u bënë ndaj civilëve shqiptarë nga shteti serb, detyruan NATO-n të ndërhyjë për të ndalur gjenocidin dhe deportimin e plotë të civilëve shqiptarë, nga ushtria dhe policia serbe.
Duke qenë se UÇK-ja ishte organizim i popullit shqiptar të Kosovës për t’i bërë ballë dhunës dhe politikës shfarosëse të Serbisë dhe se ndalja e gjenocidit në Kosovë ishte synim i deklaruar i Bashkësisë Ndërkombëtare në të gjitha dokumentet e rezolutat e saj, andaj gjykimi dhe dënimi i strukturës komanduese të UÇK-së, do të thotë dënim i një politike të përbashkët ndërkombëtare që bashkëpunonte me UÇK-në, që ishte në anën e luftës së drejtë përballë një gjenocidi të planifikuar shtetëror të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës.
Politika amerikane dhe ajo evropiane në vitet 1998-1999, ishin në bashkëpunim të ngushtë me UÇK-në për të ndalur masakrat dhe krimet e shtetit serb. UÇK-ja u bë pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare për paqen në Kosovë, duke i nënshkruar dhe respektuar ato.
Krimet e individëve duhet dënuar, nëse ka fakte, edhe pse kapacitetet e UÇK-së ishin shumë të limituara në përballje me shtetin serb, që kishte trashëguar armatimin e të gjithë shtetit jugosllav. Populli shqiptar ka bërë vetëm luftëra mbrojtëse dhe historia nuk njeh ndonjë luftë pushtuese në asnjë kohë, që mund të ketë bërë populli ynë. Në fakt, historia dokumenton se kemi humbur territore të tëra si Sanxhaku i Nishit, që ishte me gjeografi, më i madh se Kosova e sotme ose krahina e Çamërisë.
Nisur nga këto fakte të lartëpërmenduara, veteranët është dashur të protestojnë, së bashku me qytetarët e Kosovës dhe të detyrohet gjykata të heqë terminologjinë ofenduese, e cila është fyerje për historinë tonë, të rënët, martirët, dëshmorët dhe heronjtë tanë. Gjykata qysh në formulimet e para të akuzës, por edhe tani, kur ka kaluar kaq kohë, që ka nisur funksionimi i saj, pra kjo gjykatë, e quan organizimin tonë për lirinë “ndërmarrje kriminale “.
Veteranët e luftës, për këtë do të duhej të protestonin e jo të organizohen për qëllime tjera, që përkundër rëndësisë që mund të kenë, prapëseprapë janë minore, përballë këtij ofendimi dhe njollosje që i bëhet luftës sonë nga Gjykata Speciale e që në fakt është gjykatë politike, meqenëse ndikimi ruso-sllav ishte i madh që të themelohej një gjykatë e tillë, e siç dihet rusët dhe serbët, asnjëherë nuk ishte pajtuar me një shtet shqiptar e lëre më, me shtetin e dytë, Kosovën.
Sintagma ’’ndërmarrje kriminale’’ në çfarëdo analize që i bën, qoftë gjuhësore, juridike a politike, ka për synim që të kriminalizojë vetë qëlllimin e UÇK-së, pra lirinë tonë e fokusi i tërë shoqërisë sonë, do të duhej të ishte që kjo akuzë, të hidhet poshtë, sa më parë.
Për fat të keq, nuk patëm një reagim të duhur as nga shteti i Kosovës, për këtë është dashur të reagojë me një rezolutë edhe parlamenti i Kosovës si themelues i kësaj gjykate, që në arkivat e tij të mbetet një dokument zyrtar që dënon terminologjinë ofenduese për sakrificën dhe historinë tonë për liri.
Shikuar edhe në aspektin jo vetëm formal-juridik, por edhe në atë politik, Gjykata Speciale e humb kuptimin e vet, sepse është selektive, meqë akuzohen vetëm shqiptarët, po ashtu nuk mund të arsyetohet as moralisht, sepse për krimet eventuale individuale, nëse ka pasur, duhej të penalizoheshin individët, por jo e gjithë struktura udhëheqëse e UÇK-së, ndërkaq në rrafshin historik, do të njollosë luftën tonë të drejtë.
UÇK-ja ishte organizim vullnetar për çlirimin e Kosovës, që në vetvete ishte qëllim human në mbrojtje te popullsisë civile shqiptare nga gjenocidi shtetëror serb.
UÇK-ja është emblema e lirisë sonë!