Irena Dragoti/
Rruga drejt poezisë nuk është një ëndërr që të rikujtohet teksa zgjohesh një mëngjes të bukur plot diell, apo dëshira e një pasditeje medituese me çaj në dorë, mes zogjve në kopësht, por një udhëtim i tërë i cili nis nga dhuntia, te leximi si proces i vazhdueshëm, tek formimi yt në zhanrin letrar e njerëzor. Më pas tek kultivimi si “grykësi” e egos tënde, pa u shkëputur nga realiteti, ku duhet të mësosh të jetosh me mediokritetin, konkurencën e egos e jo poezisë, zilinë, gjuajtjen me gurë, kritikën krahinore apo oportuniste, pronësinë e saj nga emra të çertifikuar në sisteme politike etj etj. Dhe ti pyet veten: Pse e zgjedh këtë udhëtim me kaq kokëçarje? A je në gjendje t’i bësh ballë një mentaliteti të ngujuar e kokëfortë njëjtë si kanuni i Lekë Dukagjinit, që precipiton në një standart imagjinar vlerash apo ngërthehet nga delirime të patrup kohe e largësie? A je gati të zhvishesh nga trupi i kujtesës apo t’i largohesh njeriut që mendon se di gjithçka për botën, por asgjë për vehten? A je gati të sharlatohesh nga një ambjent, ku nuk flitet më për parametra, por për ëndrra e dëshira nate, apo nga një ambient ku poezia e realizmit socialist qoftë dhe disidenca si (borxh i së shkuarës) na imponohet si vlerë e pakundërshtueshme kombëtare, pa u filtruar?
A je gati të mbytesh si një gur në fund liqeni, pra vetflijosh paqen tënde, a të shpërndash rrathë negativiteti e rreziku, njerëzve që do më shumë, apo t’i bëhesh hije vetes? A je gati të endesh në qiej mizantropikë, plot reteorika të rreme dhe tangencialitetit të vlerave letrare? A je gati të përplasesh me mure kështjellash letrare pa dyer të vërteta? A je gati të kuptosh se poezia nuk është profesion i marrë me qera për të jetuar? A je gati të ringjallësh frikën e të qënit (i,e) dobët e të mohosh guximin e të jetuarit vetëm? Sa gjenerata do shkatërronte guximi yt nën hipnozën e arritjes së majave?
Kur zhvendosesh në një vend kaq të madh si Amerika, ti kupton sa i vogël, apo i rrejshëm është shkëlqimi që ti ke mitizuar për dekada tëra në vendin tënd, duke frenuar hapin e kultivimit e vetrritjes poetike, si një dhuratë që Zoti ia bën vec sinqeritetit. Para se ti hysh kësaj udhe, gjithkujt nga ne i duhet një përballje me një sistem vlerash të vërteta letrare, ku poezia të jetë e pavarur nga dogmat e autentizmit kombëtar e të vlerësohet veç nga bukuria e saj, pa qenë garë njerëzorësh, por reflektim drite, ku shëmbëllimi në kohë, të mbetet njëjtë me përmasat reale.
A je gati të jetosh brenda cilësie e jashtë vetëtimave që e matin botën veç me sy? A je gati të shohësh letërsi groteske, utopike që nuk profilizon standartet e vetes? Ëndrra është i vetmi zjarr që njeriu ndez padashje e që shpesh e rrit apo vret parakohe. Bota, mbetet një xhep ku strukim ëndrrat, kurse vetja, një valixhe frikërash e nëse delirojmë për më tej ëndrrës, botës e vetes mund të gjendemi një ditë, në një vend të shkretë, duke dorëzuar lumturinë. Bën gjithnjë dimër, kur ti ëndërron e lufton veç tituj, sepse udha për tek titujt kthehet në një poezi që nuk do të shkruhet kurrë. Poezia është pëllëmbë, për të shtrënguar si prekje e munguar, njeriun brenda nesh. Pyete veten a ke takuar këtë njeri?